ArteKosova

Artistët nga Kosova solidarizohen me Parisin

Artistë nga mbarë bota kanë reaguar ndaj sulmeve terroriste në Paris. Kombinimi i shenjës së paqes me Kullën e Eiffelit, realizuar nga artisti francez Jean Jullien tashmë në mbarë botën është shndërruar në shenjë solidariteti me viktimat.

Vepra është shpërndarë gjithandej rrjeteve sociale. Të shtunën mbrëma në “Metropolitan Opera” në New York organizatorët e koncertit kanë dalë jashtë programit. Placido Domingo para se të niste interpretimi i veprës operistike treaktëshe “Tosca” të Giacomo Puccini, ka dirigjuar himnin francez “La Marseillaise”, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Metropolitan Opera vajton për viktimat e Parisit që ranë pas sulmeve terroriste dhe do të interpretojë himnin francez në shenjë solidariteti me qytetarët e Francës”, është shkruar në pjesën shtesë të programit.

Por symbyllur para aktit terrorist nuk kanë qëndruar as artistët shqiptarë. Kulla e Eiffelit është kthyer në pozitë horizontale. Pos kësaj, dizajneri Afërdin Haxhimurati që në botën artistike njihet si “Agi” kullën me nam të kryeqytetit francez e ka shndërruar në kallashnikov. “Love or bullet – Who are you?”, është pyetja me të cilën Haxhimurati ka titulluar veprën. Posteri ka ardhur si reagim ndaj sulmeve terroriste që kanë lënë të paktën 129 të vdekur mbrëmjen e së premtes në Paris.

Kulla me të cilën identifikohet Parisi ka shërbyer si element nëpërmjet të cilit shumë artistë kanë reaguar ndaj ngjarjes. Dizajneri Rrezear Galina kullën e ka shndërruar në një pikë loti që mund të shihet edhe si pikë gjaku.

Haxhimurati ka thënë se Kulla paraqet dashurinë e këtij qyteti, përderisa në anën tjetër “Bullet”, armën e cila ua mori jetën viktimave.

“I drejtohem audiencës se ‘Cili je ti nga këto dyja?’ Jeni dashuria apo plumbi”, ka thënë Hxhimurati, derisa ka shpjeguar konceptin e veprës. Sipas tij, bëhet fjalë për pyetje retorike e cila në po të njëjtën kohë është dhe kritikë për ata që janë kundër sensibilizimit për Francën.

“Në këtë kohë apo në këtë ‘krize morale’ fatkeqësisht duhet bërë pyetja: Je për dashuri apo për plumba?”, ka thënë Haxhimurati, i cili njihet si artist që reagon pas ngjarjeve tronditëse sikur ajo e Parisit. Në skajet e posterit janë numrat 3, 11 dhe 15. Ka thënë se 13 është data kur ka ndodhur sulmi, 11, muaji që simbolizon edhe 11 Shtatorin e 2001-it kur ndodhën sulmet terroriste në New York të ShBA-së, e 15 është viti i sulmeve në Francë.

Rrezeart Galica e ka “përgjakur” Kullën me veprën që e ka titulluar “Bloody Eiffel”.

“Posterin e kam konceptuar duke u bazuar në ngjarje tragjike dhe pikat i kam paraqitur në formë jo vetëm të gjakut por jam përpjekur për të krijuar edhe lotin pavarësisht nuancave”, ka thënë Galica. Sipas tij vepra është menduar të jete sa më goditëse dhe identifikuese e ngjarjes tragjike të Parisit.

“Po ndihem kontributdhënes në alarmin për paqe andaj posterin e krijuar e shoh si solidarizim me popullin paqedashës të Francës në këtë kohë të rëndë për ta”, ka thënë Galica. Sipas tij arti depërton kudo, kurdo dhe jo vetëm sensibilizon por edhe hap rrugë për zgjidhje.

“Andaj ndërgjegjja pikërisht prek artistët fillimisht për ngjarje të caktuar dhe idetë e tyre i formësojnë për të ndikuar, provokuar dhe ndihmuar njerëzimin”, ka thënë ai. Galica ka thënë se artisti edhe parandien ndonjëherë pa dashje dhe prek këtë. Sipas tij, shenja “Hippy” është bërë ikonë e solidarizimit të gjithë njerëzve me paqen.

“Punimin tjetër ‘Hippy Eiffel’ e krijova në mars të vitit të kaluar duke dashur të reflektoj kohën hipi të viteve ‘60 dhe kisha më shumë dëshire që të jetë diçka ikonike dhe të njëjtin poster e ekspozova në nëntor të vitit 2014 në ‘Galerie B’ në Bocholt të Gjermanisë me ç’rast mora kritika pozitive për punën time”, ka thënë Galica për veprën e tij të realizuar 20 muaj më parë e që ngjan fort me atë të Jean Jullien të shndërruar në shenjë solidarizuese pas 13 nëntorit të këtij viti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button