Kryeartikull

“Askush të mos përdorë Zotin për të justifikuar dhunën e tij”

papa-nene terezaTakimi

Papa Françesku jep mesazhe të forta gjatë takimit me komunitetet fetare të vendit tonë

Papa Françesku: Shqipëria, shembull frymëzimi për bashkëjetesën fetare 

“Askush të mos mendojë se mund të përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore”. Ky ishte mesazhi i dhënë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku te sheshi “Nënë Tereza” në meshën e mbajtur para qindra e mijëra shqiptarëve, në një kohë që bota po kërcënohet nga aktet terroriste. Ati i Shenjtë, Papa Françesku, kreu një mrekulli ‘të vogël’ për shqiptarët, arriti të bashkojë liderët e politikës shqiptare në sheshin “Nënë Tereza”. Mosmarrëveshjet, kapriçiot e udhëheqësve politikë u sheshuan në këtë ngjarje historike, siç është prezenca e Atit të Shenjtë. Kjo është hera e dytë që një Papë viziton Shqipërinë. Kjo realizohet pas 21 vitesh nga vizita e Papa Gjon Palit. Papa Françesku jep mesazhe të qarta paqeje për kombin tonë të trazuar dhe me një demokraci të brishtë, si dhe vlerëson atë që shqiptarët kanë më të çmuar, bashkëjetesën dhe tolerancën fetare. Për këtë vizitë historike, qindra mijëra shqiptarë të besimeve të ndryshme dolën për të pritur Papa Françeskun. Qëndrimi në Shqipëri zgjati 11 orë, nisi në ora 09:06, me mbërritjen në Rinas dhe u mbyll në ora 20:00.

Mesazhet

Fjalimin e parë, Ati i Shenjtë do ta mbante në selinë e Presidencës përpara udhëheqësve politikë dhe shtetarëve shqiptarë.

“Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat të vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore. Ka kaluar tashmë gati një çerekshekulli që kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse të lirisë. Kjo udhë i krijoi mundësitë shoqërisë shqiptare të niste ecjen e rindërtimit material e shpirtëror, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Europës e të mbarë botës”, tha Papa. Më tej Ati i shenjtë nuk harroi të vlerësojë atë që shqiptarët e kanë të çmuar, bashkëjetesën fetare. “Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje; e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e  vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektueshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij.

Askush të mos mendojë se mund të përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!”, theksoi Ati i Shenjtë. Më tej Papa Françesku për këtë virtyt të shqiptarëve, harmoninë fetare, shtoi se “është vlerë që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve duke e njohur dhe nderuar njëri-tjetrin. Është dhuratë që duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit, në lutje. Uroj që Shqipëria ta vijojë këtë udhë duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi”. “E lumja Nënë Terezë bashkë me martirët që e dëshmuan fenë me heroizëm -atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – sigurisht galdojnë në qiell, për punën e burrave e të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të kishës në Shqipëri. Falënderoj me gjithë zemër secilin prej jush për mikpritjen e ngrohtë dhe si Shën Gjon Pali II, në prill të 1993, i lutem Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar. Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!”, mbylli fjalimin e tij, Papa Françesku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button