Asnjë hetim për marrëveshjen e detit
Firmosja – Pakti detar me Greqinë u firmos në 2009-n në Tiranë, në praninë e dy kryeministrave Berisha dhe Karamanlis, nga dy kryediplomatët Dora Bakojanis dhe Lulzim Basha
Neni 208
Dorëzimi i territorit – Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm
Neni 210
Marrëveshja për dorëzim territori – Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të Forcave të Armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Në fund të muajit prill, kryediplomati shqiptar, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme, tha se veç vendimit për rrëzimin e paktit detar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, grupi i punës i ngritur nga MPJ-ja, ka konstatuar shumë shkelje gjatë negociatave me palën greke. Bushati theksoi se prokuroria mund të hetojë nëse është shkelur apo jo neni 210 i Kodit Penal, që parashikon dënim me burg nga 5 deri në 10 vjet për “marrëveshjet e bëra me shtete të huaja për dorëzim pjesërisht apo tërësisht të territoreve”. “Sa u përket nënshkruesve të marrëveshjes, besoj se kryeprokurori ka dokumentacionin përkatës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, praktikën ndërkombëtare që konsiderohet e shkelur nga kjo gjykatë dhe mund t’i referohet Kodit Penal. Sa u përket personave të përfshirë në negocimin e marrëveshjes, do të merren masat përkatëse, ndërsa për nënshkruesin, unë pres me qetësi vendimin e prokurorisë”, – deklaroi Bushati.
Tashmë kemi hyrë në javën e pestë që kjo çështje u “rihap”. Mazhoranca, nga ajo që thotë akuza, nuk ka bërë asnjë kallëzim të mirëfilltë, pasi në këtë rast mund të denoncoheshin ushtarakë të lartë, madje edhe ish-kreu i këtij institucioni, Lulzim Basha, aktualisht lideri i PD-së. Por, Ministria e Jashtme i kërkon prokurorisë të thellohet në këtë çështje, pra të marrë të gjitha materialet dhe t’i verifikojë. Dy institucionet janë rreth 500 metra larg njëra-tjetrës dhe mjafton një korrier i thjeshtë, qoftë i prokurorisë apo i ministrisë, të dorëzojë apo të marrë materiale për këtë çështje. Ajo çfarë duket “nga jashtë” është se askush nuk dëshiron një hetim të tillë, pasi në këtë rast mund të kishte edhe pasoja politike, apo diplomatike.
Kërkimet për Naftë
Athina: Kemi kujdes të shmangim problemet me Shqipërinë
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Konstantinos Koutras, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje shkrimet në shtypin shqiptar, sipas të cilave, zonat që do të tenderohen prej qeverisë greke për kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi natyror, shtrihen edhe brenda ujërave territoriale shqiptare, deklaroi se “Greqia respekton plotësisht të Drejtën Ndërkombëtare mbi Detin”. Zëdhënësi Koutras siguroi se është bërë kujdes që zonat që do të tenderohen, të mos krijojnë absolutisht asnjë problem me asnjë prej vendeve fqinje dhe në rastin konkret, me Shqipërinë. “Sigurisht që kuadri ynë i referimit është gjithmonë, pranimi i përbashkët dhe respektimi i së Drejtës Ndërkombëtare të Detit”.
Sokol Çobo