Ekonomia

Asnjë tolerim për guroret që nuk respektojnë kontratat

Asnjë tolerim për guroret që operojnë jashtë standardeve teknike dhe nuk respektojnë kontratat.

Ky ishte premtimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili zhvilloi sot një takim me qytetarët e Urës Vajgurore, që i ishin drejtuar me një ankesë platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al për mbylljen e guroreve në qarkun e Beratit dhe pyllëzimin e zonës.

Kryeministri Rama vlerësoi së pari nismën e këtij komuniteti për t’iu drejtuar platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqëdua.al.

Platforma e bashkëqeverisjes, sipas Kryeministrit, është rruga më e shkurtër dhe e sigurt për të adresuar një problem individual apo të komunitetit drejt e në qeveri. “Çdo ankesë, kërkesë apo nismë që ndërmerret nga poshtë, menjëherë bëhet objekt i vëmendjes së ministrit përkatës. Mbrapa atij ekrani të platformës ku qytetari shkruan shqetësimet e tij qëndrojnë mbi 30 njerëz që kanë vetëm këtë detyrë dhe janë të shpërndarë në të gjitha ministritë me një bërthamë drejtuese në kryeministri. Çdo nismë, menjëherë shkon në tavolinën e ministrit i cili ka 10 ditë kohë për t’u dhënë përgjigje. Çdo të mërkurë kur mblidhet qeveria, mbasi mbarojnë të gjitha çështjet e ditës, ndizet ekrani dhe del raporti për çdo ankesë, kërkesë dhe nismë që është duke u trajtuar dhe çdo ministër përgjigjet personalisht nëse aty ka ankesa apo kërkesa jashtë afatit. Këto janë minimale dhe janë për probleme që kërkojnë më shumë kohë”, u shpreh Kryeministri Rama, duke bërë një prezantim të shkurtër se si funksionon platforma e bashkëqeverisjes.

Deri tani janë mbi 3600 raste që kanë gjetur zgjidhje, ndaj kreu i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve që t’i drejtohen kësaj platforme. “Nëse keni probleme me hipotekën, ALUIZN-in, faturën që e konsideroni të parregullt nga OSHEE apo Ujësjellësi, probleme me tatimet, letrat e pensionit dhe kartën e shëndetit, trajtimin jo të denjë të një punonjësi në një zyrë, mos humbisni kohë dhe në asnjë mënyrë mos fusni dorën në xhep. Thjesht shkruani problemin dhe prisni 10 ditë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, kjo nuk kushton asnjë gjë për qytetarin, i cili do të marrë përgjigje brenda 10 ditësh, dhe do të marrë zgjidhje nëse i takon.

Kryeministri informoi se “35 punonjës hipoteke janë larguar menjëherë nga detyra pasi nuk u janë përgjigjur në kohë qytetarëve”.

Lidhur me problemin e guroreve, Rama siguroi se ata që kanë bërë këtë dëm të madh dhe janë tallur me ligjin do të përgjigjen para ligjit dhe shtetit.

“Nëse duan të punojnë duhet të riparojnë të gjitha dëmet. Nuk do të vazhdojnë të gërmojnë pa dhënë garancinë e plotë të riparimit të të gjitha dëmeve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në gurore do të punojnë vetëm kompanitë që i kanë të gjitha standardet e logjistikës, nga makineritë që duhet të spërkasin, deri tek çdo pjesë e logjistikës dhe financave që garantojnë se puna bëhet në sistem dhe nga njëra anë ti merr gurë, por duhet të mbjellësh pemë; operon por duhet të rehabilitosh”.

Ky parim, tha Rama, duhet të vendoset dhe Policia e Shtetit do të jetë pjesë e të gjithë procesit. “Kush guxon të bëjë ndryshe do të ndalohet në vend dhe do të përgjigjet para ligjit. Unë do të nënshkruaj kallëzimin penal dhe bashkë me ju do të shkoj në prokurori dhe gjykatë që këta të shkojnë në burg. Kjo ëshë pak por e sigurt”, tha Rama.

Ai theksoi se është për të ardhur keq që kjo barbari vazhdon të mbështetet sot nga forca politike, nga ish-kryeministri që inkurajon personalisht protesta e bllokime rrugësh për të mos ndaluar ky tmerr.

Vetëm në Krujë, tha Rama, deputetët kanë dëmtuar faqen e malit nga ana e detit. “Kjo është hipokrizia dhe tallja e madhe që është bërë me ligjin, njerëzit dhe të ardhmen. Ne jemi të vendosur t’i japim fund këtyre barbarive. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të filloj me rehabilitimin e faqes së malit në Krujë dhe do të vazhdojë procesi në gjithë Shqipërinë”, tha Rama, duke shtuar se do të jetë vendimmarrja e ministrave përkatës që do të vendos përfundimisht bazën mbi të cilën do të vazhdoj ky aktivitet në të ardhmen.

Duke i drejtuar një mesazh shfrytëzuesve të guroreve, Rama i siguroi se nuk kanë për të vazhduar dot të bëjnë atë që kanë bërë. “Duhet t’i nënshtrohen ligjit dhe të gjitha kushteve të kontratës.
Atyre që bllokojnë rrugët u them se ka vetëm një rrugë për të fituar dhe për të jetuar me punë të ndershme: rruga e ligjit dhe rruga e zbatimit të parimit, mos ha në kurrizin e tjetrit. Në vend të bllokoni rrugët shkoni dhe zini për fytin pronarin që ka detyrimin t’u përgjigjet. Fundin kësaj maskarade e kemi garantuar, lufta jonë do të jetë për rehabilitimin”, tha Rama.

Klosi: Plan strategjik për shfrytëzimin e guroreve

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se, guroret janë momenti i drejtpërdrejt i kontaktit negativ që qytetarët kanë me mjedisin dhe mënyrën se si ne kemi trajtuar mjedisin këto vite.

“Në një analizë që kemi bërë në gjithë Shqipërinë, 270 guroret që ka Shqipëria pothuaj të gjitha kanë problematikat e tyre sa i takon zbatimit të lejes mjedisore. Në çdo gurore e kemi të vështirë të gjejmë zbatimin e koordinatave të kontratës që kanë bërë. 243 kompanitë nuk kanë mbushur pothuajse asnjë nga detyrimet e tyre. Këto ndikojnë në jetën e qytetarëve në komunitetet pranë. 285 kompani nuk kanë kryer as procedurën e fondit pyjor. Sot kemi 7 milionë pemë që duhet të kishin mbjellë këto kompani gurore dhe minerare, në zbatim të kontratës”, tha Klosi.

Ministri u shpreh se “ne nuk jemi kundër biznesit të guroreve, por ato nuk duhet të fitojnë para duke shitur mjedisin, pasurinë e përbashkët dhe duke e vjedhur çdo ditë pasurinë e përbashkët”.
Në drejtim të masave që po merren ministri nënvizoi moratoriumin për dhënien e lejeve të tjera sa i takon guroreve. Po ashtu do të zbatohet një plan strategjik për shfrytëzimin e çdo miniere.

“Nuk do të lejojmë asnjë gurore të funksionojë nëse nuk ka 5 parimet bazë të ndërtimit të tyre 1 km larg zonave të banuara, të mos jenë në vendet me impakt të madh vizual, zona të zhvilluara turistike dhe vende të shenjta”, tha Klosi.

Kompanitë që marrin leje mjedisore dhe minerare për të shfyrtëzuar gurore, sipas Klosit duhet të kenë impiantet e sprucimeve dhe lagies së gurit dhe kompanitë duhet të jenë të fuqishme dhe jo që marrin lejen mjedisore për ta rishitur.

Spiropali: 3365 ankesa në portalin e bashkëqeverisjes kanë marrë zgjidhje

Koordinatorja kombëtare e bashkëqeverisjes në PS, Elisa Spiropali theksoi se platforma e bashkëqeverisjes është mekanizëm i vërtetë ndërveprimi mes qeverisë institucioneve dhe qytetarëve.

“Nga 3998 ankesa prej tyre kanë gjetur zgjidhje 3365. Këta janë qytetarë me emër e mbiemër, që në dyert e institucioneve, apo duke kapur deputetin, mikun e shokun nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje dhe kanë gjetur zgjidhje në këtë platformë që parashikon zgjidhjen e problemit pa ndërmjetësim”, tha ajo.

Spiropali u shpreh se “kjo platformë është një mënyrë e mirë për të bërë realitet qeverisjen me qytetarët. “Në qarkun e Beratit për 440 ankesa, 365 kanë marrë zgjidhje në nivel lokal”, tha ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button