Opinion

Attali, mik i rrallë e i jashtëzakonshëm

Nga: Linda Rama*

linda1Ndjeva nostalgji, kur m’u desh të përgatitem për një ceremoni si kjo në këto mjedise. Nostalgji për vitet kur në auditorë na mësohej logjika e profesionit dhe ktheheshim e riktheheshim në këto dyer për të fituar provimet e nxënies sonë. Ëndërronim ndonjëherë, në atë kohë, që të flisnim drejtpërdrejt me një autor të huaj, në gjuhën e mësuar, duke i dëgjuar autorët në distancën e heshtur të faqeve të atyre pak librave të lejuar; ëndërronim vazhdimisht që të kishim nëpër duar një libër të pamundur, nga raftet e librave që lexonin studentët e Ekonomisë në vendet e shoqërive të hapura; ëndërronte ndonjë guximtar ndër ne edhe që të mund të udhëtonte ndonjëherë përtej kufirit, por, besoj se askush nuk e ka ëndërruar dot që një ditë, në auditorin e këtij fakulteti, ku sot shoh plot fytyra te dashura të asaj kohe, do të mund të kishim mes nesh një autor të jashtëzakonshëm dhe personalitet kaq kompleks të botës së lirë, si Jacque Attali.

Sigurisht që, mund të vazhdoja më tutje radhën e gjërave të paimagjinueshme në atë kohë, duke shtuar se s’do më kishte shkuar kurrë dot ndër mend se jo vetëm Attali do të vinte në fakultetin tonë, por edhe se do të më takonte mua nderi i mbajtjes së kësaj fjale.

Miku ynë special sot, Jacque Attali, shprehet diku se intelektuali, shkrimtari, akademiku, nuk duhet ta lejojë veten të sintetizohet me një citim. E në fakt, si lexuese e vëmendshme e veprës së tij, mund të them se ai, jo vetëm nuk ia ka lejuar vetes të sintetizohet me një citim, por, të paktën mua, ma ka bërë të pamundur ta sintetizoj qoftë edhe në një fjalim se kush është dhe se sa i gjerë është horizonti i interesit të tij intelektual. Ndaj, i nderuar Jacque Attali, pranoni qysh në fillim ndjesën time për kufizimin e pashmangshëm që kjo fjalë mikpritjeje ka në raport me personalitetin tuaj shumëpërmasor.

Ngërthimi i disiplinave i nxjerrë në pah nga aktiviteti i Attali-së, pasqyron fare dukshëm se ekonomia, aq sa ç’është mjedis i ekuacioneve, statistikave, grafikëve, është edhe botë subjektive e ndjeshmërisë njerëzore, filozofisë, politikës. Dhe sot, në një kohë të paimagjinueshme ndërveprimesh, ku bota është gjithnjë e më shumë një fshat global, ekonomia, politika, sociologjia, arsimi, kultura, feja, janë pjesë të një të tëre, përherë e më të integruar.

Në pamundësi për të pasur një shtjellë shteruese të këtij aktiviteti kaq kompleks e marramendës, do të doja të shënjestroja tri qasje veçanërisht kuptimplota, në kontekstin e sfidave të përbashkëta të shoqërive bashkëkohore, përfshirë atë shqiptare.

E para ka të bëjë me konceptin e ekonomisë pozitive, që i referohet një vizioni ekonomik afatgjatë, i cili formëson zgjidhjet dhe zgjedhjet imediate dhe afatmesme.

Bëhet fjalë për një vizion në shërbim të gjeneratave të tjera, me synime të qarta, si burimi më i sigurt i rrugëdaljeve në udhë-kryqet bashkëkohore të shteteve dhe shoqërive.

E, pikërisht për këto udhë-kryqe, lexohen shumë qartë dy koncepte të tjera, si sinjale të forta perspektivash shpresëplota: sipërmarrja dhe respekti.

Sipërmarrja, përmes Jacque Attali-së lexohet kumbueshëm si kurajoja e gjithsecilit për të krijuar zgjidhjet e veta, për të ndërtuar strategji personale suksesi, duke përdorur në mënyrë të zgjuar asetet. Pa pritur që zgjidhja të vijë prej politikës, shtetit, familjes, shkollës, apo qoftë edhe prej çdo aktori tjetër përtej vetes.

Këtë lloj sipërmarrjeje, Jacque Attali na fton ta kuptojmë si qytetari aktive, e cila, sa nga ndjeshmëritë kulturore e sociale, është e orientuar edhe nga suksesi ekonomik, me bazë kreativitetin dhe shfrytëzimin e mundësive ekzistuese, cilatdo qofshin ato.

Respekti, të cilin Attali e përdor për marrëdhëniet ndërkombëtare, rezonon si vlerë orientuese për luftën e çdo shoqërie, kundër çdo lloj diskriminimi, për barazinë e mundësive, përpjekjen shoqërore e shtetërore për të jetësuar e siguruar një dialog të vazhdueshëm kulturor e social mes grupeve dhe shtresave të ndryshme.

E kam fjalën këtu për respektin për të ndryshmen, për përvojën, kontributet, ndjeshmëritë, ambiciet e, mbi të gjitha, për njeriun e njerëzoren, i cili meriton respekt të pakushtëzuar e pa dallim kombësie, kulture, përkatësie apo statusi ekonomik e social.

Sigurisht, jam e vetëdijshme për rrezikun që, duke komentuar kompleksitetin e mendimit të Attali-së, mund të biesh fare lehtë pre e kaosit në rreshtimin e mendimeve. Ndaj, lejomëni ta kapërcej këtë vështirësi përmes një rrëfimi të thjeshtë.

Tek unë instinkti i ekonomistes nuk është më i fortë se ai i nënës, apo ai i një gruaje të angazhuar në kërkime e studime të interesit të sotëm publik.

Kështu që, duke përgatitur këtë fjalë modeste për Jacque Attali, ndjeva se, m’u ndërthurën gëzueshëm në një tërësi të pandashme të tria këto instinkte. Sepse, në fund të fundit, më e bukura që të ndodh kur lexon Attali-në, është se ka shpresë e frymëzim për të jetuar, pavarësisht kompleksitetit, shpeshherë të rëndë, të botës që ai përshkruan.

Do të doja ta mbyllja fjalën time jo me një përfundim, por me një pyetje të gjatë për Jacque Attali-në:

Si mjaftojnë orët, ditët, javët, vitet për të shkruar kaq shumë e kaq jashtëzakonshëm;

për të qenë personalitet botëror edhe në akademi, edhe në politikë;

për të dashur edhe vendin, duke kontribuar për të; për të dashur edhe muzikën, duke kontribuar për të;

për të dashur edhe njerëzit dhe për të punuar, sa kundër varfërisë, aq edhe që çdokush të jetë vetvetja, siç duket kjo e sintetizuar te “Devenir Soi”?

Nuk di se si mund të arrihet kjo, se si triumfohet kështu në luftën me kohën, por di që kam shumë kënaqësi e krenari që një njeri i tillë është sot “Honoris Causa” në një universitet me kaq shumë emër në vendin tonë. Jam e sigurt se, nga sot, ky vend ka një mik e dashamirës të rrallë, me përmasat e jashtëzakonshme të këtij njeriu të jashtëzakonshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button