Në dosjen dërguar në Gjykatë, Prokuroria ka përfshirë edhe zbardhjen e përgjimeve të bisedave telefonike të kryera nga Alizoti, numri i të cilit ishte vënë nën kontroll që në muajin maj, me urdhër të gjykatës. Sipas teksteve të bisedave në të paktën tre raste Alizoti konfirmon faktin se ai ka luajtur rolin e Agron Xhafës. Ai në disa raste është shprehur i zhgënjyer që nuk ka marrë paratë e premtuara, ndërkohë që nga telefonatat që ai ka marrë nga Kosova nga Albert Veliu, i cili ka ërkuar atje azil, ky i fundit i kërkon të bëjë durim.
Prokuroria gjithashtu deklaron se nga analiza e telefonatave në ditën që Veliu pretendon se ka bërë bisedën në një lokal me vëllanë e ministrit, rezulton se ata kanë patur vetëm dy komunikime telefonike prej 20 dhe 29 sekondash, ndërsa nuk vërtetohet të jetë bërë ndonjë takim mes tyre, dhe se Veliu është nisur nga Vlora drejt Tiranës që pas orës 14.00, ndërsa ka deklaruar se e ka takuar Agron Xhafajn rreth orës 17.30 në Vlorë.
Nga analiza e tabulateve telefonike, Veliu ka kontaktuar fillimisht me deputetin Salianji më 20 tetor të vitit të shkuar, dhe vetëm një ditë më pas me gazetarin Jetmir Olldashi, i cili ka deklaruar se ka qenë ai që ka pajisur me një përgjues Veliun, në kuadër të një investigimi gazetaresk.
Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe Jetmir Olldashi, akuzohen nga prokuroria për “Kallzim të rremë”. Por ndërsa për dy të parët, masa e arrestit është parë e vlefshme dhe nga Gjykata, për gazetarin Olldashi u dha vetëm “Detyrimi për paraqitje”. Prokuroria sqaron se ajo po vijon më tej me hetimet për këtë rast.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.