Australi, arrestohet 17-vjeçari nën akuzën për terrorizëm; i gjenden 3 bomba artizanale
Policia australiane ka arrestuar një 17-vjeçar nën akuzën për terrorizëm. Arrestimi u krye në periferi të Melburnit, ditën e premte.
Zyrtarë të policisë bënë të ditur se personi i arrestuar kishte planifikuar për të shpërthyer 3 bomba artizanale në qytet, bomba që u gjendën pas kontrolleve në banesën e tij.
Zyrtarët thanë gjithashtu se nuk kishte prova për objektivin që synonte 17-vjeçari, tashmë i arrestuar.
“Por më lejoni t’u them se, diçka do të ndodhte”, tha zëdhënësi i Policisë Federale australiane.
Muajin e kaluar u arrestuan 5 persona në Melburn, nën dyshimet se do të kryenin një sulm në ditën historike australiane të quajtur “Anzac”, e cila përkujton ushtarët australianë dhe të Zelandës së Re të vrarë në luftë. Ndërsa operacioni më i madh kundër terrorizmit në Australi është zhvilluar shtatorin e kaluar, kur u arrestuan 15 persona.