Opinion

Autobusi për në tokën e premtuar

FADIL LEPAJA

fadil_lepajaUnë nuk i di përgjigjet në pyetjet e mia o njerëz. Thjesht, llaf po bëjmë deri në autobusin e radhës drejt tokës së premtuar. Mos shkoni, se rrugë e vështirë është, po thonë. Ftohtë, s’ka asgjë përpos shpresës së çuditshme të cilën sorrat na e sollën natën. Ato të cilat e kanë zbrazë shumë herë këtë vend. Ma keq se këtu, nuk ka kurrkund, po thonë, sorrat. Ma keq nuk bëhet, po thonë. Nuk bëhet më m…!

Hajt pra, flasim pak, sa për me e shkurtue pritjen! E keni parë atë filmin e jashtëzakonshëm serb, me titull “Kush po këndon atje”? Nuk e keni parë? Vetëm sepse është serb?

Është një rrëfim përplot humor, i cili flet për një udhëtim të zakonshëm me një autobus të vjetruar, nëpër Serbi, në kohë të pazakonshme, më saktë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Pra, këtë autobus, e vozisnin me radhë babë e birë, dhe udhëtimi po rridhte me qyfyre e debate. Me një fjalë, tragjikomedi.

Pastaj vjen ajo skena kur shoferi i ri, pra djali, gjithsesi i krisur “paksa”, mburret para udhëtarëve se ai mund ta vozisë autobusin edhe me sy mbyllur. Nuk mundesh, ia kthen njëri nga udhëtarët me mosbesim! Kështu, krejt papritmas udhëtimi i zakonshëm e ku ziente muhabeti për shtat palë qejfe, shndërrohet në dramë. Djali ngrihet në këmbë dhe kërkon t’ia mbyllin sytë me një stofë dhe ulet pranë timonit, të cilin ia lëshon pa kundërshtuar babai i vet. Udhëtarët e tjerë e kapin për krahësh ose përpiqen t’i mbyllin gojën “Shën Thomait”, por kot! Ai ngul këmbë në mosbesimin e tij. E djaloshi, me sytë e mbyllur shtrëngon me të dy duart timonin e autobusit dhe shkel përplot vetëbesim dhe krenari papuçen e gazit. Si mundeni me marrë me mend atëherë nuk kishte magjistrale dhe shirit asfalti me vijën e bardhë në mes. Tipi voziste nëpër gjurmët e lëna livadheve dhe kodrinave!

Në autobus fillon paniku. Po lëre ore, i thotë bashkudhëtari shokut pranë, i cili kishte shprehur mosbesim se djaloshi mund të voziste me sy mbyllur! Thjesht, pranoje! Kot!

Nuk mundet se nuk mundet, insistonte, udhëtari kokëmushkë. Kështu, mundesh e nuk mundesh, dhe shoferi i ri me sytë e mbyllur po e ngiste autobusin ndërkohë që udhëtarët po mbaheshin edhe përplaseshin për njëri-tjetrin përplot tmerr.

A nuk ju duket situatë e njohur, kjo, nëse autobusin, udhëtarët dhe shoferët i kuptojmë si metaforë që flasin për shtetin, qytetarët dhe qeveritarët? Në fakt, filmi ishte një metaforë. Pastaj autobusi ynë është fare i ri. Të tjerat, udhëtarët dhe shoferi i krisur… kjo nuk është larg realitetit.

Do të thoni se krejt kjo ngjan me kaos. Pastaj prej kaosit krijohet rregulli, sipas renditjes biblike? Po kaosin kush e krijoi, do të pyesni ju?

Në vend të përgjigjes, po ju rrëfej një barsoletë. Mos më thoni se e dini, se prishet loja! Edhe vëmendja bie. Rrëfimi bëhet i zakonshëm. Pastaj, kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka përse po ua tregoj barsoletën.

Pra, ishin kirurgu, arkitekti dhe një politikan. Nuk ka barsoletë interesante pa një biondinë ose politikan. Kështu, debati po bëhej se cili ishte zanati më i vjetër nga këta.

I pari foli kirurgu dhe nxori për argument thënien biblike se Zoti e krijoi Evën nga një brinjë e Adamit. Pra kirurgu!

Jo, tha arkitekti. Kjo ndodhi në ditën e gjashtë, ndërkohë që në fillim ishte kaosi, e pas kësaj u krijua rendi. Zoti ishte arkitekt fillimisht, se ne krijojmë rend, u mburr ai.

E kush mendoni se e krijoi kaosin? – pyeti politikani me ton triumfues?

Pra kush e krijoi kaosin?

Qeveria, do të thotë opozita. Ndërkohë që qeveria do t’i lërë fajin qeverisë së mëparshme. Qeveria e mëparshme do të thotë se kaosi u krijua, vetëm pasi ata ikën. Ikja e tyre rrënoi arkitekturën e rregullit.

E këta të rinjtë, sipas tyre, nuk dinë ose nuk munden.

Kush nuk mundet, do të thotë dikush, më i ri në moshë. Unë e vozis shtetin me sy mbyllur. Nuk besoni?! E dini ju që gjithnjë gjendet dikush, i cili do të ngulë këmbë dhe do të bëjë guximtarin. Nuk mundesh do të thotë, dhe djaloshi i ri me sy mbyllur do të fillojë të vozisë shtetin. Më falni, autobusin!

E shihni se mundem do të thotë, ai, derisa udhëtarët e tmerruar, do të zbresin diku afër kufirit me Hungarinë dhe do të kalojnë lumin këmbë. Kush e krijoi kaosin?

Faji, si e dini nuk ka nënë as babë. Edhe nëse ka nënë nuk do merret vesh kurrë se me kë fjeti së fundmi, mamaja e Fajit. E përse duhet fajtori? Përse sa herë kërkojmë zgjidhje dikush e fillon grindjen se kush ishte fajtor mijëra vjet më parë… për mëkatin e parë.

Nuk i di përgjigjet, o njerëz të mirë. Thjesht po bëjmë llaf, derisa po presim. Duhet të mësojmë të kursejmë energjinë!

Duhet me u marrë vesh, se ai që të del i fundit me i fikë dritat! Po flisnim për kaosin, apo jo?

Kaos, këtu nuk ka kaos, more mik! A nuk e sheh se si vozisim me sy mbyllur, nëpër vijat e asfaltit, drejt tokës së premtuar?! Kemi ardhur te deti. Dikush duhet t’i bjerë tokës me shtagë dhe ta urdhërojë detin të hapet, për të kaluar njerëzit!

Ju kujtohet se në rrëfimin e moçëm deti hapet kur fisi kthehet në shtëpi. Po duket se me rrëfimin tonë diçka nuk është në rregull!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button