IntervistaKronika

Babai i Nexhmije Dushkut: Arsyet që e çuan vajzën time në vrasjen e të birit

Intervista

Adem Dushku rrëfen nisjen e konflikteve me ish-dhëndrin

djali“Atë ditë nipi më kërkoi që t’i blija disa lodra te dyqani i fshatit. Ia bleva, sepse nuk ia refuzoja dot dëshirat. E kam dashur nipin, më shumë se vajzat që kam rritur vetë. Ta shihje të vdekur, ishte e tmerrshme. Falë Zotit, që nuk u çmenda atë natë! Vajzën e dija të vdekur, por më pas fqinjët më thanë që ajo ishte gjallë.” Ky është rrëfimi i Adem Dushkut, babai i Nexhmijes, 26-vjeçares që vrau me thikë djalin e saj dhe më pas tentoi të vriste veten. Ai thotë se shkaktarët që e çuan vajzën në depresion, ishte frika që të mos humbiste djalin dhe prej kësaj, Nexhmija kaloi në depresion. “Nuk ka nënë që të mos dojë fëmijën e saj, por vajza ka qenë në gjendje të rëndë psikologjike, e shkaktuar nga ish-dhëndri im. Vizitat e shpeshta të përmbarimit dhe presionet që i bënin ata, e përkeqësuan gjendjen e vajzës”, shprehet Ademi. Më 10 gusht të këtij viti, Nexhmije Dushku, nën kushtet e depresionit, vrau pranë banesës vogëlushin e saj katërvjeçar. Shkak për këtë ishte depresioni që e reja po përjetonte pas divorcit të saj. Prindërit e ish-burrit kërkonin vazhdimisht që të takonin nipin e tyre, por prej frikës se ata do t’ia merrnin, Nexhmija nuk ua jepte. Prej presioneve të shumta, nëna 26-vjeçare vrau vogëlushin e saj me thikë dhe më pas tentoi të vetëvritej. Fatmirësisht arriti të shpëtonte, ndonëse gjendja shëndetësore e Nexhmijes, paraqitet e rëndë. Që prej ditës së krimit, e reja ndodhet nën Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Ajo ende nuk ka dalë nga reanimacioni, pasi plaga në qafë, e shkaktuar nga thika, është shumë serioze. E vetmja dëshirë që Ademi ka në zemër, është shpëtimi i jetës së vajzës. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Adem Dushku ka treguar historinë tmerrit, e cila tronditi mbarë opinionin publik.

Cilët janë shkaqet që e çuan vajzën drejt krimit?

Depresioni i madh. Prej kohësh ajo nuk ishte mirë nga ana psikologjike. Ardhja e shpeshtë e përmbaruesit së bashku me policinë, ia shtuan më tepër depresionin. Ata kërkonin ekzekutimin e vendimit të gjykatës, në mënyrë që gjyshërit të takoheshin me nipin e tyre.

Përse Nexhmija nuk ua jepte djalin që ta shikonin gjyshërit?

Vajza i lejonte që ata të takoheshin me nipin e tyre, por mes dy familjeve lindi një konflikt. Vendimi i gjykatës thoshte që djali duhej të shkonte dy herë në muaj te familja e ish-dhëndrit tim, por me një marrëveshje verbale, ne vendosëm që djali të shkonte çdo javë. E gjitha kjo ishte bërë që edhe ata si gjyshër të kishin mundësi për t’u takuar me nipin e tyre. Ideja ishte që ai të rrinte aty 3-4 orë dhe jo më shumë, pasi fëmija ishte shumë i vogël, rreth 11 muajsh. Ai kishte nevojë për kujdesin e nënës dhe donte ushqim, gjumë. Asnjëra palë nuk pati kundërshtime dhe ne e çonim fëmijën sipas asaj që kishim vendosur mes dy familjeve. Një ditë, e çuam fëmijën dhe vajza ime e vogël, motra e Nexhmijes, shkoi për ta marrë dhe ata nuk ia japin. Madje, ata e nxjerrin me dhunë vajzën time nga shtëpia. Ajo e trembur, më merr mua në telefon, për të më treguar atë që kishte ngjarë. Në atë kohë unë isha në Greqi. Shkoj shpesh atje, për të mbajtur familjen me bukë. Në mënyrë që situata të mos merrte përmasa të rënda, bashkëshortja ime, së bashku me kryeplakun e fshatit, shkuan atje për të marrë nipin.

Po më pas, çfarë ndodhi?

E dhanë nipin dhe që prej asaj kohe ne nuk ua çuam më. Por, nuk ishte kjo e vetmja arsye që na detyroi të merrnim këtë vendim, edhe familja tjetër nuk e kishte respektuar vendimin e gjykatës. Kjo e fundit e detyronte ish-dhëndrin tim që të paguante një shumë prej 60 mijë lekësh të vjetra në muaj, për të rritur djalin e tij. Fillimisht, Altini ish-dhëndri im, pagoi lekët për 7 muaj dhe më pas nuk dha asnjë qindarkë për nipin. Ne u kujdesëm që atij të mos i mungonte asgjë. Babai i fëmijës iku në Angli dhe nuk u kujtua më për të birin. Gjyshërit e tij nuk kishin asnjë të drejtë morale që të kërkonin takim me nipin, sepse ata nuk iu përgjigjën për asnjë moment anës financiare.

Si vepruan prindërit e Altinit?

Ata kishin sjellë disa herë zyrën përmbaruese për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Së bashku me këta persona, prezent ishte edhe policia, në një kohë kur unë nuk ndodhesha në shtëpi. Ata gjenin këtë moment dhe vepronin. Nuk them se unë duhet të jem aty për t’i kërcënuar, por kur është burri në shtëpi është më ndryshe. Të bësh kërcënime te porta e shtëpisë, më duket si jo normale. Ata kërkonin që Nexhmija të hapte derën, ose në të kundërt do i merrnin shtëpinë dhe djalin. Prej vizitave të shpeshta, vajza kaloi në depresion. Më datë 7 të këtij muaji, unë erdha nga Greqia. Të shtunën shkoj në Komisariatin e Policisë së Elbasanit, për të folur me inspektorin e zonës. Doja t’i thosha që të mos bënin presione, pasi vajza nuk ishte mirë nga ana psikologjike. Kisha nevojë që ata të vinin qetësisht. Nuk arrita të takojë askënd, pasi inspektori i zonës nuk ishte aty për momentin. Unë u largova, për t’u kthyer një ditë tjetër.

Çfarë vutë re te vajza juaj?

Që të premten arrita të kuptoj se vajza nuk ishte mirë mendërisht. Ajo kishte kaluar në depresion. Edhe të shtunën e 6 gushtit, ishte shumë e acaruar. Ndihej fajtore, pasi mendonte se më kishte futur në telashe. Kishte frikë se do i merrnin djalin dhe shtëpinë. Unë i kërkova që të rrinte e qetë, pasi isha aty dhe nuk do të lejoja që të ndodhte një gjë e tillë. Pavarësisht kësaj, ajo nuk bindej. Ishte shumë e trembur dhe druhej se mos përmbarimi do i merrte fëmijën dhe shtëpinë time. Këto ishin shenja që tregonin se vajza po vuante nga depresioni i thellë.

Ishte shprehur ndonjëherë se do të vriste veten dhe djalin?

Jo, kurrë! Edhe pse dukej që ishte rëndë nga ana psikologjike, nuk menduam se do të merrte një vendim si ai që mori. Nga presioni i madh që i kanë bërë njerëzit e burrit, bëri që vajza të kalonte në depresion.

Çfarë ndodhi atë natë?

Atë ditë isha te prindërit e mi për një drekë familjare. Me ne ishte edhe Nexhmija, së bashku me nipin. Pasi mbaruam drekën, nipi i vogël më kërkoi që t’i blija një pistoletë lodër te dyqani i fshatit. Unë ia bleva me gjithë kënaqësi. Pas kësaj më kërkoi një makinë. Nuk ia refuzova kërkesën, ia bleva edhe atë. Erdhëm në shtëpi dhe nga ora 10:30 e mbrëmjes ramë për të fjetur gjumë. Nga ora 02:30-03:00 e mëngjesit, dëgjoj ulërima nëpër shtëpi. Zgjohem dhe çfarë të shikoje?! Nuk jam në gjendej që të tregoj, për atë që pashë me sy.

Çfarë mendove në ato momente?

Asgjë. Time bijë e dija të vdekur dhe nuk kam parë gjë. Atë natë kam bërë një gjumë të zi. Unë ndiej edhe zhurmën më të vogël, por atë natë nuk arrita që të zgjohesha. Zoti më vuri në një gjumë të zi.

Kush ju njoftoi për ngjarjen?

Atë natë Nexhmija ka marrë në telefon motrën e madhe. Kjo e fundit ka telefonuar bashkëshorten time dhe i tregon për ngjarjen. Gruaja shkon te krevati dhe nuk e gjen Nexhmijen dhe djalin. Më pas më zgjojnë mua nga gjumi dhe nisëm të kërkojmë nëpër shtëpi. U alarmuam dhe prej britmave u zgjuan komshinjtë. Kanë qenë këta personat që e gjetën Nexhmijen me fëmijën. Nuk e gjetëm neve. Unë e dija të vdekur vajzën dhe më pas komshinjtë më thanë që ajo ishte gjallë. Nuk isha i vetëdijshëm për atë që po ndodhte. Të shikoje nipin të vdekur, nuk kishte gjë më të tmerrshme se kjo. Nuk e di se si nuk u çmenda në një situatë të tillë dhe falënderoj Zotin që më mbajti mendjen.

Keni ndonjë koment në lidhje me familjen tjetër?

Asgjë. Nuk kërkoj asgjë. Nëse nuk e dënon qeveria, le ta dënojë perëndia. Nuk merrem më me këtë çështje, sepse siç i thonë asaj shprehjes “Uji që derdhet, nuk mblidhet më”. E vetmja gjë që dua tani, është shpëtimi i jetës së vajzës sime. Uroj që ajo të bëhet mirë! Nuk dua asgjë tjetër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button