Babai i Noizy-t në SPAK për tritolin në lokal, kërkohet si dëshmitar reperi Cllevio
Bashkim Rajku, babai i Rigels Rajkut, reperit të njohur si Noizy, është thirrur në cilësinë e dëshmitarit për të dhënë deklarime lidhur me ngjarjen e 8 qershorit 2022, kur iu vendos tritol në lokal dhe në dyqanin e tij.
Ai fillimisht sqaroi se si ka ndodhur ngjarja.
“Para 4 vitesh kam qenë në gjumë. Mora vesh që kishte shpërthyer diçka. Shtëpia është në katin e pestë. E dëgjova zhurmën. Në atë moment nuk ka qenë stafi aty. Lokali ka qenë biznes funksional, por në atë orë ishte i mbyllur, sepse ishte natë. Nuk e kujtoj emrin e punonjësit, kanë kaluar 4 vite. Administratorja i ndiqte lokalet, vajza ime, Anisa. Kam edhe një djalë, është muzikant. Lokali ka qenë i mbyllur. Nuk e kujtoj nëse djali ka qenë në shtëpi apo jashtë shtetit. Ai jeton vetëm, pak më poshtë. Zbritëm poshtë. Pallati është 8-9 kate. Zbrita, por nuk pashë kush kishte zbritur, sepse isha i stresuar. Djalin e kam parë më pas.
Pashë që ishin thyer xhamat dhe ishte prishur gjithçka. Nuk hyra brenda në lokal, sepse pritëm që të vinin dhe të bëheshin verifikimet. Lokali është rreth 100 metra katrorë dhe ndodhet në katin e parë. Ka pasur kamera. Pasi erdhi policia, nuk mora vesh asgjë më shumë“, tha ai.
Sakaq, Rajku shprehet se nuk ka dyshime tek ndonjë person pasi nuk ka pasur konflikte me dikë.
“Ngjarjen nuk di me çfarë ta lidh. Këtë e kam deklaruar edhe në polici. As nuk njoh njeri, as nuk kam probleme me çështje pronësie. Nuk e di nëse djali ka pasur ndonjë problem. Djali është artist. Edhe sot e kësaj dite nuk dimë gjë. Nga mediat kemi marrë vesh. Kleviol Ahmeti e kemi dëgjuar. Di që merret me muzikë dhe me rrjete sociale. Di që ka pasur xhelozira me djalin tim. Më duket se është nga Lushnja. Nuk kam pasur dyshime për dikë, sepse nuk kam menduar që kam pasur hasmëri aq sa dikush ta bënte atë”, deklaroi ai.
Në seancën e radhës, e cila do të mbahet më 28 maj, ora 14:00, gjykata do të thërrasë sërish Rigels Rajkun, reperin e njohur si Noizy, ndërkohë është kërkuar si dëshmitar edhe reperi tjetër Kleviol Ahmeti.
Sjellim ndërmend se sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion, tritoli u vendos me urdhër të Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë veprash kriminale, pas sherrit të Noizy-t me një tjetër reper, Kleviol Ahmeti, i njohur me pseudonimin Cllevio Serbiano.
Asokohe, në rrjetet sociale doli edhe videoja kur Noizy pati një sherr fizik me Cllevio-n, duke i shkaktuar mpiksje gjaku në kokë.
Ishte i penduari i drejtësisë Artan Tafani ai i cili zbuloi porositësin e vënies së tritolit, Haxhiun, i cili nuk kishte hezituar pasi kishte parë dhunën e ushtruar ndaj shokut të tij, Cllevio-s.
Haxhiu, është dënuar me burg përjetë për atë që njihet si Masakra e Lushnjes, ngjarje e ndodhur në 2017-ën.
Më 4 tetor 2025, Prokuroria e Posaçme çoi në gjyq Laert Haxhiun dhe dy të tjerë të akuzuar si të përfshirë në vrasje e disa ngjarje të tjera kriminale.
Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK tha se Haxhiu, në rolin e drejtuesit të grupit, është pjesëmarrës dhe porositës i tre vrasjeve: ekzekutimit të Çajup Selimit në Tepelenë, Fridman Xhaferrajt në Korçë dhe Alban Semakut në Peqin.
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.