Kronika

Ballafaqimi me detyrim ndërmjet Doshit dhe Frrokut në zyrën e Prokurorisë

Kreu i PKD-së e konfirmon praninë, ndërsa deputeti i Shkodrës hesht

Nga Herion Mesi

Toshi & FrrokuKontradiktat e deklaratave ndërmjet deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku mund të ‘sheshohen’ sot nga prokuroria me ballafaqimin e dy deputetëve të Kuvendit. Doshi, në rrëfimin e tij në emisionin “Top Story” të enjten e kaluar, deklaroi se për këtë plan makabër të eliminimit fizik të tij, ishte vënë në dijeni nga Mark Frroku. Por, një ditë më pas, alibia e Doshit do të rrëzohej nga vetë kreu i PKD-së, i cili në dëshminë e tij që dha para përfaqësuesve të organit të akuzës, mësohet se ka mohuar të ketë qenë ai jo vetëm lajmësi i Doshit për këtë ngjarje, por që nuk kishte asnjë dijeni për çështjen në fjalë. Ashtu si dhe për deputetët demokratë Sali Berisha dhe Mhill Fufi, në Kuvend kanë mbërritur thirrjet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për një ballafaqim mes deputetëve Doshi e Frroku në orën 12:00 të ditës së sotme. Në shkresën e firmosur nga drejtuesi i Prokurorisë, paralajmërohet se në rast se dy deputetët nuk paraqiten, atëherë do të urdhërohet shoqërimi i detyrueshëm. Në këtë shkresë theksohet gjithashtu se do të jetë oficeri i policisë gjyqësore Jon Keta që do të kryejë veprimin hetimor të ballafaqimit mes dy deputetëve.

Ballafaqimi

Frroku & DoshiNdërkaq, i kontaktuar pasditen e djeshme për këtë ballafaqim, deputeti Mark Frroku konfirmoi për gazetën “Shqip” se do të jetë sot në Prokurori, por theksoi se nuk është mësuar për mënyrën se si do të procedohet nga prokurorët e çështjes për realizimin e kësaj përballje mes dy deputetëve të Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë. “Unë do të shkoj, por nuk e di si do të zhvillohet”, pohoi Mark Frroku. Ndërsa deputeti Tom Doshi refuzoi t’i përgjigjej të njëjtës pyetje të gazetës “Shqip”. Por, pavarësisht kësaj, mësohet se dhe Doshi nuk do të mund ta shmangë dot këtë përballje me ish-mikun e tij Mark Frroku, i cili, sipas Doshit, ka qenë ai personi që e ka vënë në dijeni për atentatin ndaj tij. Kjo është hera e dytë që Doshi dhe Frroku paraqiten në Prokurori në lidhje me këtë çështje, ku Doshi për gjashtë orë, të enjten e kaluar, do të jepte në Prokurori të gjithë versionin e tij për ngjarjen në fjalë, ku dhe dorëzoi një video të regjistruar, e cila paraqet pamjet filmike të dëshmisë së Durim Bamit, autori i dyshuar për realizimin e këtij atentati. Një ditë më vonë, do të dëshmonin më pas, sipas radhës, në organin e akuzës, kreu i Parlamentit, Ilir Meta, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Kryeministri Edi Rama dhe deputeti Mark Frroku. Ky i fundit do të deklaronte në organin e akuzës se nuk ka qenë në dijeni të atentatit të organizuar ndaj deputetit Tom Doshi, duke e detyruar Prokurorinë që t’i thërrasë të dy ligjvënësit në një ballafaqim, mes tyre për të mësuar të vërtetën e këtyre pretendimeve.

Hetimet

Pas këtyre dëshmive mësohet se tashmë Policia e Shtetit, që prej ditës së shtunë, ka marrë të gjitha masat për sigurimin e jetës së deputetit të Shkodrës, Tom Doshi, i cili është marrë në mbrojtje fizike. Gjithashtu, mësohet se një gjë e tillë nuk është kërkuar nga deputeti Doshi, por kjo ka qenë iniciativë e Policisë së Shtetit, pas bërjes publike të këtij plani kriminal ndaj tij të mbetur në tentativë. Sipas deklaratave që ka bërë Tom Doshi, ndaj tij dhe Fufit ka pasur një plan për eliminim fizik me urdhër të kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Mbrëmjen e së enjtes, gjatë një interviste në emisionin “Top Story”, Tom Doshi bëri me dije se ka qenë me pushime në Budva me familjen, në momentin kur Frroku e ka telefonuar për t’i dhënë një informacion të rëndësishëm. “Kur u ktheva, Frroku më thotë që kam takuar një person që unë e njoh dhe më ka thënë që Ilir Meta ka paguar lekë për të të eliminuar ty dhe Mhill Fufin”, është shprehur Doshi gjatë intervistës. Pas këtyre deklaratave, Prokuroria nisi hetimin kryesisht dhe thirri zyrtarët e lartë të vendit për të dhënë versionin e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button