Ballkani eliminohet pas penalltive, Bohemians avancon në raundin e tretë
Ballkani i ka dhënë fund rrugëtimit në UEFA Conference League, pasi u eliminua nga Bohemians pas ekzekutimit të penalltive në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues.
Skuadra nga Suhareka triumfoi me rezultat 3:2 pas 120 minutave lojë në stadiumin “Fadil Vokrri”, por kjo nuk mjaftoi për të siguruar kualifikimin. Meqenëse sfida e parë në Irlandë kishte përfunduar me fitore 2:1 të Bohemians, rezultati i përgjithshëm pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve ishte 4:4. Fituesi u përcaktua nga penalltitë, ku irlandezët u treguan më të saktë, duke fituar 5:4 dhe duke siguruar kalimin në raundin e tretë.
Ballkani e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Serebe zhbllokoi rezultatin në minutën e 10-të, duke rikthyer baraspeshën në rezultatin e përgjithshëm dhe duke rritur shpresat për kualifikim.
Megjithatë, Bohemians reagoi shpejt. James-Taylor barazoi shifrat në minutën e 20-të, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1:1.
Në pjesën e dytë, Ballkani dominoi dhe arriti të rikthehej fuqishëm. Giovanni realizoi për 2:1 në minutën e 51-të, ndërsa Domgjoni vetëm shtatë minuta më vonë shënoi edhe golin e tretë, duke e afruar skuadrën kosovare drejt kualifikimit.
Kur gjithçka dukej se po shkonte në favor të Ballkanit, Hickey realizoi në minutën e 88-të për 3:2, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm dhe duke e dërguar ndeshjen në vazhdime.
Tridhjetë minutat shtesë nuk prodhuan gola, ndërsa fati i përballjes u vendos nga pika e bardhë. Bohemians ishte më i saktë në ekzekutimin e penalltive, triumfoi 5:4 dhe siguroi kualifikimin në raundin e tretë të UEFA Conference League, ndërsa Ballkani e mbylli këtu aventurën evropiane për këtë edicion.



