Ballkani mes poleve konkurruese
Nga Havier SOLANA
BE-ja nuk duhet të mos përmbushë pritshmëritë që Tesla pa dyshim do të kishte për të. Të gjithë evropianëve duhet t’u ofrohet mundësia të marrin pjesë në projektin evropian dhe të përfitojnë nga potenciali transformues i tij. Kjo është pikërisht ajo që ende dëshiron një segment i madh i popullsisë ballkanike. Udhëheqësit e BE-së nuk mund të garantojnë se procesi i anëtarësimit në bllok do të jetë i shpejtë dhe i lehtë. Por vetëm ata mund të sigurojnë që udhëtimi do t’ia vlejë.
Pak rajone të botës janë më kompleksë kulturalisht dhe politikisht, sesa Ballkani. Dhe nuk mund të ketë një ilustrim më të qartë të së kaluarës dhe të tashmes së rajonit, sesa jeta dhe trashëgimia e njërit prej bijve të tij të jashtëzakonshëm: fizikanit dhe shpikësit Nikola Tesla.
I lindur në një familje ortodokse serbe në vitin 1856, në një qytet që sot është pjesë e Kroacisë, kombësia e Teslës mbetet një objekt debati në rajon. Tesla besonte se përparimet shkencore duhet të përdoren për të ndërtuar ura ndërmjet vendeve, dhe përfundimisht për të arritur paqen universale. Por ka disa në Kroaci dhe Serbi, që duan të përvetësojnë trashëgiminë e tij në mënyra që janë të drejta.
Edhe kontributet e Teslës në fushën e fizikës kanë risjellë në vëmendje dinamikën e komplikuar politike të vendit të tij. Në Sistemin Ndërkombëtar të Njësive, një tesla është një njësi matëse për dendësinë e fluksit të një fushe magnetike. Dhe, siç tha Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme dhe Sigurinë, disa muaj më parë, “Ballkani mund të bëhet lehtësisht një nga skakierat, ku mund të luhet loja e madhe e energjisë”. Në të vërtetë, rajoni ka qenë gjithmonë në mesin e poleve konkurrues, ku secili projektonte fuqinë e vet, nëpërmjet lidhjeve ekonomike, politike, historike dhe kulturore.
Për BE-në, luftërat që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990, ishin një dështim absolut. Pas shuarjes së dhunës, BE u përpoq të përdorte tërheqjen e vet magnetike për të sjellë sëbashku ish-territoret Jugosllave, përmes një procesi rindërtimi dhe pajtimi. Por kjo strategji ka prodhuar rezultate të pabarabarta.
Megjithëse disa vende me shumicë ortodokse lindore – Greqia, Bullgaria dhe Rumania – kanë hyrë në BE, të vetmet vende post-jugosllave që i janë bashkuar Unionit – Kroacia dhe Sllovenia – janë kryesisht katolikë, një realitet që ushqen një narrativë kundërproduktive. Kur Gjermania dhe Vatikani njohën shpejt e shpejt Kroacinë dhe Slloveninë në 1991 dhe 1992, ata përforcuan ndjenjën e asaj që politologu Samuel P. Huntington më vonë e quajti “përplasje qytetërimesh”. Për Huntingtonin, luftërat jugosllave i përshtaten paradigmës së thjeshtë të tij, me krishtërimin perëndimor – katolicizmin dhe protestantizmin – nga njëra anë, dhe pjesën tjetër të feve të Evropës, nga ana tjetër.
Kroacia dhe Sllovenia kanë kërkuar që “Ballkani Perëndimor 6” – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – të përfshihen edhe në BE. Por përparimi është penguar nga një seri mosmarrëveshjesh politike dypalëshe, midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE, të ngjashme me situatën kur Sllovenia, duke përfituar nga anëtarësimi në BE, bllokoi përkohësisht pranimin e Kroacisë.
Për më tepër, rrethanat brenda vetë BE-së – krizat ekonomike dhe rritja e partive politike ksenofobe në vitet e fundit – e kanë vënë politikën e saj të zgjerimit në “sediljen e pasme”, teksa presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker shpalli në vitin 2014, se asnjë anëtar i ri nuk do të pranohet para 2019-ës.
Në të njëjtën kohë, normat dhe institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor janë gërryer. Vende të tjera me ndikim të fortë në rajon – Rusia, Turqia dhe Hungaria, ku BE nuk ka arritur të parandalojë një devijim drejt autoritarizmit nga ana e kryeministrit Viktor Orban – po ofrojnë modele politike alternative për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mendoni marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë. Gjatë një vizite në Beograd në vitin 2014, Presidenti rus Vladimir Putin shkoi aq larg sa të thoshte se “Rusia, ashtu si në të kaluarën, gjithmonë do ta shohë Serbinë si aleatin e vet më të ngushtë”. Përveç lidhjeve të saj të fundit kulturore me Rusinë, Serbia varet nga furnizimet me energji prej saj, si dhe fuqia e vetos e Rusisë, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Për sa kohë që Serbia mbetet në marrëdhënie miqësore me Rusinë, ajo mund ta bllokojë Kosovën që të anëtarësohet në OKB.
Këta faktorë shpjegojnë pse Serbia nuk u bashkua me BE-në në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, pas aneksimit të Krimesë në mars 2014. Bosnja dhe Maqedonia gjithashtu zgjodhën të mos marrin pjesë në sanksionet e BE, ndërsa anëtarët e NATO-s, Shqipëria dhe Mali i Zi, e bënë këtë.
Megjithatë, vendet e Ballkanit nuk janë thjesht grimca që tërhiqen pasivisht drejt shtyllave magnetike përreth tyre. Serbia, për shembull, gjen frymëzim në trashëgiminë e Marshallit Tito, i cili ishte president i Jugosllavisë për pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë. Duke iu larguar aleancës së ngushtë me Bashkimin Sovjetik, Tito ishte një themelues i Lëvizjes së të Pa-Reshtuarve, dhe shkëlqeu në lojën e vënies së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik kundër njëri-tjetrit.
Në mënyrë të ngjashme, Serbia sot është shpallur zyrtarisht si një shtet neutral. Por ajo bashkëpunon ngushtë me NATO-n përmes Partneritetit për Paqen, ndërsa në të njëjtën kohë organizon stërvitje ushtarake me ushtrinë ruse. Po ashtu, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç pretendon të jetë në favor të integrimit evropian, ai nuk ka treguar gatishmëri për t’u distancuar nga Rusia.
Natyrisht, përveç Rusisë, edhe Kina ka kundërshtuar njohjen e Kosovës. Përmes nismës së saj, ”Belt and Road Initiative”, Kina ka shpërfaqur forcën e vet ekonomike, duke investuar miliona dollarë në projekte infrastrukturore në Serbi dhe në pjesë të tjera të rajonit. Një iniciativë e tillë, është një linjë hekurudhore me shpejtësi të madhe midis Beogradit dhe Budapestit, që synon të lidhë portin grek të Pireut me Evropën Qendrore.
Komisioni Evropian po heton aktualisht linjën Beograd-Budapest për shkeljet e mundshme të rregullave të tenderimit të BE. Hetimi lë të kuptohet për një prirje ekzistuese: edhe pse Kina nuk i ka ambiciet shkatërruese të Rusisë, veprimet e saj mund të bëjnë që Ballkani Perëndimor të vërë në pikëpyetje stimujt kinezë, nëse këta konvergojnë me modelin institucional të BE dhe me rregullat përkatëse të tij.
Përkundër këtyre sfidave, BE-ja ruan një pozicion të favorshëm në Ballkanin Perëndimor. Duke përjashtuar Kroacinë, 74% e tregtisë totale të vendeve të Ballkanit Perëndimor është me BE, krahasuar me vetëm 6% me Kinën, 5% me Rusinë dhe 4% me Turqinë. Në këtë kontekst, BE-ja nuk duhet të lejojë sfidat aktuale të dobësojnë strategjinë e saj të përgjithshme të zgjerimit. Samiti i Ballkanit Perëndimor muajin e kaluar ishte një hap pozitiv, me kusht që vendet ende të etur për t’u bashkuar me BE-në, të mos harrojnë nevojën për të zbatuar reforma të thella.
BE-ja nuk duhet të mos përmbushë pritshmëritë që Tesla pa dyshim do të kishte për të. Të gjithë evropianëve duhet t’u ofrohet mundësia të marrin pjesë në projektin evropian dhe të përfitojnë nga potenciali transformues i tij. Kjo është pikërisht ajo që ende dëshiron një segment i madh i popullsisë ballkanike. Udhëheqësit e BE-së nuk mund të garantojnë se procesi i anëtarësimit në bllok do të jetë i shpejtë dhe i lehtë. Por vetëm ata mund të sigurojnë që udhëtimi do t’ia vlejë.