Ekonomia

Balluku: Programi “Rrugë të bardha” transformon rrënjësisht infrastrukturën rrugore rurale

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i FSHZH, Dritan Agolli, prezantuan sot programin “Rrugë të bardha”, një program që do të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme aksesin në rrugët rurale, në ato zona ku aksesi është shumë i keq, ose edhe gati i pamundur.

Balluku bëri të ditur se, në një vlerësim paraprak janë 10-15 mijë kilometra rrugë rurale.

Sipas saj, brenda 7 viteve me këtë ndërhyrje bëhen minimalisht 5 mijë kilometra “rrugë të bardha”.

“Do t’i japë frymëmarrje zhvillimit rural dhe sidomos bashkive që nuk kanë shumë mundësi ekonomike dhe kanë buxhete të reduktuara. Bëhet fjalë për rrugë, të cilat janë konsideruar si jo fizibël, për sa i përket numrit të banorëve që kanë apo zhvillimit ekonomik të zonës”, tha Balluku.

Balluku vuri në dukje se, programi u shërben bashkive të vogla, të cilat kanë një zhvillim ekonomik të rëndësishëm vitet e fundit, siç mund të jenë rastet e bashkive që kanë zhvillim bujqësor apo turistik.

“Ka bashkim operatorësh bujqësor, ka një produkt, i cili mund të eksportohet, pra ka marrë një rëndësi rruga, jo vetëm për të aksesuar shtëpinë, apo për të aksesuar qendrën e fshatit, por edhe për zhvillimin ekonomik. Dhe nga ana tjetër, ka bashki, sërish të vogla, që kanë filluar të kenë një rëndësi të veçantë turistike. Duke i dhënë mundësi këtyre bashkive të vogla ose bashkive pa të ardhura të konsiderueshme që t’i ndërtojmë këtë rrjet fundor, sepse praktikisht ky është rrjeti fundor rural, i cili ka mbetur për shkak të prioriteteve që qeveria dhe pushteti vendor kanë pasur, këtu do të krijohen mundësitë e vetë bashkive për të gjeneruar të ardhura. Sepse duke i mbyllur, le të themi, këtë rrjet fundor, përmes programit të rrugëve të bardha, pra me atë lloj instrumenti, sigurisht këto bashki do të marrin një hov ekonomik, qoftë ky bujqësor, qoftë ky i turizmit, agroturizmit, i turizmit historik etj., duke e bërë kështu që bashkia të gjenerojë të ardhura, duke i rritur kapacitetet financiare dhe duke i bërë ata që të ndërhyjnë dhe vetë në të ardhmen”, tha Balluku.

“Na duhet vetëm bashkëpunim dhe kjo është diçka që do të kërkojë edhe një dialog, edhe një shpjegim të mëtejshëm me bashkitë, sepse duhet të jenë edhe bashkitë të qarta se si do të funksionojë. Duhet të jenë edhe ato të disponueshme për të ngritur nga burimet njerëzore deri tek kapacitetet e dijes, le të themi, se si duhet të funksionojë projekti. Sa më të qartë janë ata, aq më i suksesshëm do të jetë projekti, sepse ju nuk do të mundeni që ta mbani këtë 100 % mbi supe, ky është një proces bashkëpunimi”, deklaroi ajo.

Administratori i FSHZH-së, Dritan Agolli, bëri të ditur se, programi ka katër komponentë që janë duke u implementuar në mënyrë të pavarur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button