Banka e Shqipërisë parashikon rritje ekonomike me 4.9% për këtë vit
Skenari bazë i parashikimit të Bankës së Shqipërisë ngelet për një rimëkëmbje graduale të ekonomisë, falë përmirësimit të situatës epidemiologjike dhe e lehtësimit të kufizimeve të lidhura më të. Megjithatë, Guvernatori theksoi sërish se pasiguritë e lidhura me Covid-19 janë të larta. Nëse parashikimet për një përmirësim të situatës së epidemisë nuk do të përmbushen, kjo do të reflektohet në një përmirësim më të ngadaltë të ekonomisë.
“Rritja ekonomike pritet të mbështetet nga një stimul i konsiderueshëm monetar dhe fiskal, nga reduktimi i pasigurisë, si dhe nga rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik botëror. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, si dhe të rritin gradualisht të ardhurat në të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja e kërkesës do të ndihmojë rritjen e punësimit, duke u përkthyer më tej në rritje të pagave dhe në një kthim gradual të inflacionit drejt objektivit brenda vitit 2022. Në çdo rast, këto projeksione mbështeten në supozimin e reduktimit progresiv të pandemisë gjatë vitit 2021, dhe janë të kushtëzuara dukshëm prej saj. Ecuria e pandemisë dhe ndikimi i saj në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten burim pasigurie në parashikimet ekonomike,” tha Sejko.
Në rast të materializimit të një skenari negativ, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore u shpreh sërish i gatshëm të ndërmarrë masa në drejtim të rritjes së mëtejshme të stimulit monetar.
Sipas Guvernatorit, ecuria e mirë e kreditimit ngelet një nga nxitësit kryesorë të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit. Guvernatori tha se tregu ka likuiditet të bollshëm dhe stimuli që po jep politika monetare është përcjellë mirë në tregje.
“Kushtet monetare stimuluese kanë mbështetur rritjen e kredisë bankare, e cila ka vijuar të jetë një burim i qëndrueshëm financimi për familjet dhe kompanitë shqiptare. Vëllimi i kredisë bankare për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 7.1% në muajin shkurt. Zgjerimi i kredisë ka qenë relativisht i balancuar, në drejtim të strukturës së monedhave, në drejtim të përfituesve biznese apo individë, si dhe në drejtim të destinacionit për financimin e investimeve apo mbulimin e kapitalit qarkullues. Po ashtu, sinjale inkurajuese në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare vijnë nga zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky tregues shënoi vlerën 50% në fillim të vitit 2021,” u shpreh Guvernatori.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%, si edhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0.1% dhe atë të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0.9%. Në orientimin e tij për tregjet, Guvernatori Sejko tha se politika monetare do të ngelet nxitëse në afatin e mesëm, për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike.