Bankat fshijnë kreditë e këqija, “pastrohen” 11 miliardë lekë
Në gjashtë muajt e parë të vitit bankat fshinë gati 11 miliardë lekë kredi të këqija nga bilancet e tyre.
Kjo është hera e parë që bankat private pastrojnë bilancet nga kreditë e këqija dhe ky operacion diktohet nga një rregullore e re e miratuar nga Banka e Shqipërisë.
Rregullorja, e cila është pjesë e planit kombëtar për uljen e kredive me probleme, detyron bankat që të çregjistrojnë nga bilancet çdo kredi të keqe që ka lindur më shumë se tre vjet më parë. Deri tani, një veprim i tillë ka qenë i pamundur.
Por ekspertët e Bankës së Shqipërisë tërheqin vëmendjen se nxjerrja jashtë bilancit të bankave nuk do të thotë se kreditë falen. Sipas tyre, këto kredi do të vazhdojnë të ndiqen deri në rekuperimin e tyre, të plotë apo të pjeshëm.
Nxjerrja nga bilanci i një shume kaq të madhe të huave të humbura është arsyeja kryesore se pse treguesi i kredive të këqija u përmirësua.
Të dhënat zyrtare nga BSH tregojnë se në fund të qershorit kreditë me probleme ranë në nivelin 20.3 për qind, nga 22.7 për qind që ishin në tremujorin e parë të vitit.
Rënia me 2.4 pikë përqindje brenda një tremujori është më e forta e regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i krizës dhe 80 për qind e saj vjen pikërisht për shkak të fshirjeve.
Paralelisht, veç kësaj mase, ulja e kredive me probleme është ndihmuar edhe nga ristrukturimi i tyre, si dhe rritja e kredisë totale për ekonominë.
Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është që brenda vitit kreditë e pakthyera të zbresin nën nivelin 20 për qind, një target i cili me shifrat e tremujorit të dytë tashmë duket gati i arritur.
Autoritet shpresojnë se ulja e kredive të këqija do të injektojë më shumë besim tek sektori bankar, për ta nxitur atë të kreditojë ekonominë me ritme më të shpejta, çka do të ndihmonte konsumin dhe investimet e saj.