“Bankers”: Ndërpresim prodhimin nëse nuk zhbllokohen llogaritë
“Bankers Petroleum” kërcënon se do të ndërpresë prodhimin e naftës në Patos Marinzë për shkak se qeveria nuk po zbaton urdhërin e Gjykatës së Arbitrazhit për zhbllokimin e llogarive nga Drejtoria e Tatimeve.
Përmes një njoftim zyrtar, kompania kanadeze ka deklaruar se,bllokimi i llogarive nga Tatimet e ka vënë në vështirësi për të financuar operacionet e saj.
“Bankers” thotë se javën e kaluar ajo eksportoi vetëm 85 për qind të sasisë së prodhuar, pasi nuk mund të financonte më tepër transportin për shkak të bllokikmit të llogarive nga Tatimet.
Kompania bën të ditur se ka vijuar prodhimin me sasi të reduktuara dhe paralajmëron se, nëse autoritetet shqiptare nuk do të zhbllokojnë llogaritë ajo do të vazhdojë reduktimin e naftës së prodhuar deri në ndalimin e plotë të operacioneve të saj.
Rreth një javë më parë, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, Tatimet bllokuan llogaritë e “Bankers Petroleum” për të mbledhur me forcë 75 milionë dollarë taksa, që kompania pretendohet si i ka shmangur.
Por menjehërë “Bankers” kërkoi një pezullim të këtij akti nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë. “Bankers” thotë se edhe pse Gjykata e Arbitrazhit nxori urdhër që autoritetet të zhbllokojnë llogaritë e saj, shteti shqiptar nuk po e zbaton këtë urdhër.
Grupi kanadez i nxjerrjes së naftës thotë se, do të presë deri të mërkurrën dhe pastaj do të ndërpresë plotësisht aktivitetin e prodhimit deri në zgjidhjuen e kësaj çështjeje.