Ekonomia

Barnat me rimbursim, hyn në fuqi lista e re

Shtohen 29 medikamente, 7 prej tyre për shërbimin e onkologjisë. Nga sot, receta dymujore

Nga Ilda Hoxha

farmaci-barnatDuke filluar nga dita e sotme, pacientët do të kenë në listën e barnave të rimbursueshme 29 medikamente të reja. Veç kësaj, po sot, do të nisë dhënia e recetave me rimbursim dymujore për të gjithë pacientët kronikë. Ndërkohë, zyrtarisht, sqarohet se listës së re të barnave të rimbursueshme i shtohen medikamente për trajtimin e sëmundjeve tumorale, të zemrës apo edhe për sëmundjet infektive. Shtatë prej barnave janë për shërbimin e onkologjisë, përkatësisht për kancerin e gjirit, prostatës, melanomën, ndërsa 4 të tjera për trajtimin e sëmundjeve malinje. Kjo listë u është shpërndarë farmacive, por edhe spitaleve sipas shërbimit përkatës. Këtë vit bëhet me dije se fondi për barnat e rimbursueshme është 8.9 miliardë lekë. “Lista e re e barnave të rimbursueshme e vitit 2015 është pasuruar me 29 barna të reja, 12 prej të cilave janë principe të reja aktive. Këto barna përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbime si: Onkologjik, Gastro-hepatologji, Pneumologji, Reumatologji, Infektiv, në terapinë kardiake, Parkinson”, thuhet në njoftimin zyrtar të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Tashmë, me shtimin e 29 medikamenteve të reja, lista e barnave të rimburueshme arrin në 506, ku vetëm një vit më parë u shtuan 56 ilaçe të reja. Veç kësaj, me hyrjen në fuqi të recetave dymujore, pacientët nuk janë të detyruar që të paraqiten për çdo një muaj pranë mjekut të familjes për të marrë barnat e tyre. “Në këtë kuadër, duke filluar nga data 1 prill, nis gjithashtu dhënia e recetave për periudha deri në dymujore për pacientët kronikë të stabilizuar. Kjo do të thotë se pacientët, sidomos pensionistët, që janë dhe përfituesit kryesorë, do të kenë një lehtësim të ndjeshëm, pasi nuk do ta kenë të nevojshme paraqitjen pranë mjekut të familjes çdo muaj për barnat që marrin rregullisht me rimbursim, por një herë në dy muaj. Përveç rasteve kur ka ndryshim terapie, gjë e cila përcaktohet nga mjeku”, bëjnë me dije burime zyrtare nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor. Peshën kryesore të barnave për rimbursim e zë kategoria e pensionistëve me 62.2%, ku medikamentet kryesore që rimbursohen janë ato për diabetin dhe tensionin, në 40% të rasteve. Mirëpo, brenda këtij viti pritet edhe rimbursimi i materialeve mjekësore, kryesisht për diabetikët. Kostoja e lartë e tyre ka bërë që pranë Fondit të ketë vazhdimisht kërkesa për rimbursimin e tyre dhe duket se kjo gjë tashmë do të realizohet. “Falë ligjit të ri të FSDKSH-së, tanimë kemi hapësirat ligjore për të rimbursuar edhe materialet mjekësore, për të cilat ka pasur kërkesa të vazhdueshme në Fond nga popullata në nevojë. Ne do të bëjmë të mundur këtë vit edhe rimbursimin e materialeve mjekësore”, ka deklaruar më herët drejtori i fondit, Astrit Beci. Për shkak të kostos së lartë, pacientët diabetikë detyrohen që një age ta përdorin deri në dhjetë herë. “Një problem shumë i madh dhe jetësor janë fishat e matjes së glicemisë. Nevojiten katër të tilla në 24 orë për matjen e sheqerit në gjak para vakteve e para fjetjes. Edhe këto shteti nuk i rimburson, ndërkohë që shtetet e Europës, madje edhe fqinjët i rimbursojnë. Dhe jo vetëm që të sëmurët detyrohen t’i blejnë vetë, por edhe çmimet janë të papërballueshme, 5000 lekë të reja për 100 fisha. E njëjta gjë mund të thuhet për aget me të cilat injektohet insulina. Duhen katër age në ditë, pra rreth 120 në muaj. Shumë diabetikë në vend, duke mos pasur mundësi financiare, detyrohen të përdorin të njëjtën age dy, tri, pesë, dhjetë herë, madje dhe më tepër. E kjo është për të ardhur keq!”, janë disa prej shqetësimeve të bëra vazhdimisht publike nga Shoqata e Diabetikëve, por që më në fund kanë gjetur zgjidhje, me përfshirjen e ageve, fishave në listën e mjeteve që do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button