Politika

Barroso: Projekte 12 miliardë euro ndihmë për Ballkanin

a1-320x187Presidenti i KE-së: Vendet e rajonit, shumë pranë BE-së

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët për mediat që zhvilloi me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kreu i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë pranë BE-së, por nevojitet një forcim i sundimit të ligjit dhe demokracisë. “Objektivi është i qartë, duam t’i shohim vendet e Ballkanit si vende anëtare të BE-së. Anëtarësimi i mëtejshëm do të varet nga shpejtësia e këtyre vendeve. Isha në Shqipëri, dhe e kam parë drejtpërdrejtë sesa të rëndësishme janë aspiratat për anëtarësimin europian”, tha Barroso. Në këtë pikëpamje, ai vuri në dukje se, pavarësisht se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbështetje për t’u integruar, forcimi i sundimit të ligji, shteti i së drejtës dhe përmirësimi i situatës ekonomike janë thelbësore. “Natyrisht, përgjegjësia për reformat kyçe është në duart e tyre, në duart e vetë vendeve”, deklaroi dje kreu i KE-së. Gjithashtu, kreu i KE-së vlerësoi progresin e bërë nga vendet e rajonit, ndërsa shtoi se është i nevojshëm një bashkëpunim rajonal mes vendeve të Ballkanit. Në këtë kuadër, kreu i Komisionit Europian, nënvizoi se projektet në fushën e bashkëpunimit energjetik dhe ndërlidhjes rrugore, janë tejet jetësore për Ballkanin. “Progresi drejt BE-së është i prekshëm dhe në këtë rrugë duhet të ecet edhe më tej. Përgjegjësia për reformat kyçe është në duart e tyre, të vetë këtyre vendeve. Bashkëpunimi rajonal në këtë rajon nuk është luks, por është zhvillim. Sot kemi diskutuar se si t’i tejkalojmë ato pengesa”, u shpreh Barroso. Duke u ndalur konkretisht në këto projekte të përbashkëta, Barroso theksoi se për realizimin e tyre janë angazhuar një sërë institucionesh të rëndësishme financiare, të cilat pritet të investojnë në infrastrukturën e vendeve të Rajonit rreth 12 miliardë euro. “BE-ja do të luajë rolin e vet udhëheqës, përmes ndihmës dhe instrumenteve të paraanëtarësimit me një shumë prej 12 miliardë eurosh, parashikuar për periudhën 2014-2020. Nuk janë pra vetëm qëllime të mira, por diçka më tepër. Të paktën 20 për qind e këtij financimi do të shënjestrojë projektet rajonale”, tha ai. Duke dashur t’u çonte një mesazh të qartë qytetarëve të rajonit, Barroso tha se ne i kemi mbajtur angazhimet tona në nivele të larta edhe në një kohë të një krize financiare në Europë. Sipas tij, kjo është dëshmi e mirë e përkushtimit të BE-së për këtë rajon. “Ky është mesazhi që do të doja t’u përçoja popujve në rajon. Ashtu siç edhe Kryeministri Rama e tha gjatë takimit, se qytetarët në rajon i kanë sytë nga ne dhe duan të dinë nëse ka një perspektivë të qartë për anëtarësimin e tyre; përgjigjja ime në emër të Komisionit Europian është, Po. Ka një të tillë dhe jam i sigurt se ky takim ka ndihmuar që ky moment të krijohet më tej e të forcohet”, deklaroi Barroso.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button