Politika

Basha: Buxheti i shtetit do t’u mundësojë studimet të gjithë atyre që dëshirojnë

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Dibrës, Sherefedin Shehu së bashku me kryetarin e PD, Lulzim Basha u takuan me maturantë dhe studentë të Dibrës.

Lulzim Basha iu drejtua maturantëve duke i thënë se minimumi ministri i Arsimit duhet të ishte larguar, pas atij që ai e quajti skandal dhe pseudoreformë në arsim.

“Nuk duan t’ia dinë, nuk iu bëhet vonë se në çdo vend normal në qoftë se do të kishte ndodhur skandali që ka ndodhur këto 48 orë, minimumi ministri i Arsimit do të ishte larguar. Ne do të hedhim disa hapa konkretë në mbështetjen tuaj. Ne do të çojmë një grup deputetësh në Agjencinë Kombëtare të Provimeve për të parë konkretisht çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur”, tha Basha.

Kreu i PD theksoi se do të kërkojë një auditim të menjëhershëm nga KLSH-ja të rregullave të pranimit në universitete.

“Unë i kam bërë thirrje publikisht dhe nesër do t’ia bëjë zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit të nisë menjëherë auditimin. Thirrje rektorëve të universiteteve që qeveria dëshiron t’i shtijë në dorë me këtë sistemin e  bordit të administrimit të mos pranojnë, të mos certifikojnë këtë krim. Me ardhjen tonë në pushtet mbështetje të padiskutueshme, të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për çdo të ri dhe të re që dëshiron të studiojë duke i krijuar mundësi aty ku mundemi, afër shtëpisë së tyre, siç është filiali i Peshkopisë dhe kudo ku ka universitete publike. Çdo student apo studente do të mundë të studiojë me një tarifë të përballueshme, të subvencionuar në raste të caktuara nga shtetit. Askujt nuk do t’i mohohet e drejta për të studiuar”, tha Basha.

Kandidati për kryebashkiak, Sherefedin Shehu tha se bashkia nën drejtimin e tij do të ketë në fond të veçantë për të rinjtë të cilët do të jenë prioritarë për punët në bashki. Shehu tha se do të ngrihet dhe një fond ekselence si dhe do të mbështeten studentët në nevojë që s’paguajnë sot tarifën për universitete publike.

”Bashkia do të ketë edhe një fond që ekselencën që këtu në nivelin e ekselencës së mesme. Por nga ana tjetër do të mbështesim nxënësit në nevojë, sidomos kur të vijë radha për të shkuar në universitet siç jeni ju, që ata që kanë nevojë të mos pengohen për arsye ekonomike për të shkuar në shkollë. Zyrat e bashkisë do të jenë tuajat sot ose nesër, ju do të jeni ata që do të jepni energjinë bashkisë, zhvillimit të qytetit, zhvillimit të Dibrës dhe ju do të jeni sipërmarrësit e nesërm të qytetit të Dibrës që të mos presim që ta ushqejnë të tjerët por t’i dalim zot vetes”, tha kandidati për kryebashkiak të Dibrës, Sherefedin Shehu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button