IntervistaPolitika

Basha: Ky është modeli im, ai i Berishës i vështirë për t’u marrë përsipër

“Për Dodën dhe çdo deputet do të veprohet si në çdo parti” 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në intervistën e tij dhënë për emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, shprehet se me zgjedhjet e strukturave të PD-së nuk ka pasur gjueti shtrigash, por ka vendosur vota e anëtarëve të Këshillit. Kryedemokrati paralajmëroi dhe deputeten demokrate, Mesila Doda, për ndonjë përjashtim nëse mund të shkojë në Kuvend për të mbrojtur ligjin për hapjen e dosjeve.

Lulzim-Basha-ne-Top-StoryZoti Basha, të flasim pak për zgjedhjet e fundit në PD. Vërtet mendoni se kjo është një PD e re? A janë prurjet e reja në përputhje me vizionin tuaj?

Në themel, procesi zgjedhor ka pasur rinovimin dhe ripërtëritjen e PD, që është i rëndësishëm në demokraci. Është edhe më i nevojshëm pasi një parti humb zgjedhjet pas 8 vjetësh në pushtet dhe është forca më e madhe e opozitës, njëkohësisht alternativë për qeverisje të nesërme. Procesi është karakterizuar nga evidentimi dhe promovimi i vlerave dhe fryma e organizimit dhe kolegjialitetit.

Duket pak e vështirë që PD t’i njohë gjithë këto figura…

Dalin figura të reja, por edhe figura që kanë kontribuar e themeluar. Secili prej tyre përfaqëson një vlerë të konsoliduar ndër vite, në opozitë, apo të sprovuara në administrime të ndryshme gjatë qeverisjes 8-vjeçare.

Po si mund ta quajmë atëherë? Me kë mund ta krahasojmë?

Mund të them se PD është një parti që është rinovuar, është ripërtërirë, por nuk është tjetërsuar. Nëse ju doni ta quani të vjetër apo të re PD-në, ju mund të merrni një krahasim që bëra njëherë me të rinjtë e PD-së gjatë një takimi. PD-në mund ta krahasosh me një pemë të re siç është pema e ullirit, që ka një gjelbërim të pamot: ripërtërihet vazhdimisht por ngjyra mbetet e njëjta. Kjo është dhe Partia Demokratike.

Të mos harrojmë se ju jeni një krijesë politike që ka ardhur nga një rihapje e PD-së në 2004…

Një gjë është e sigurt, me PD sot ekzistojnë të gjithë mekanizmat dhe hapësirat për këdo që dëshiron të japë kontributin e vet. Për nga përmasat e demokratizimit të hapjes dhe bashkimit ky është një proces unik, i pandodhur më parë.

Duket se ka pasur një spastrim emrash, si për shembull emri i Astrit Patozit apo Jozefina Topallit…

Nuk ka asnjë spastrim. Zoti Patozi, sikurse figura të tjera si zonja Topalli, zoti Imami, etj., janë personalitete që kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në PD, në opozitë e qeverisje. Zonja Topalli dhe zoti Patozi kanë qenë nënkryetarë të PD. Ai më pas dha dorëheqjen e parevokueshme nga posti i nënkryetarit, por është pjesë e elitës së PD-së.

Por qoftë zonja Topalli, qoftë edhe zoti Patozi, janë zëra kundër jush… Mos vallë ka pasur një gjueti shtrigash?

Nuk ka gjueti shtrigash në një parti që ka vendosur votën e lirë në themel të vendimmarrjes. Nuk ka. Mundësia për të gabuar ekziston, por është më e pakët duke parë mënyrën që u votua.

Në kongres nuk u përmend asnjëherë emri i Sokol Olldashit. Ka pasur një reagim emocional të disa delegatëve, por dhe më gjerë. Keni një koment për këtë?

Unë nuk kam koment për asnjë spekulim. Sokol Olldashi mbetet një figurë me një kontribut të shquar politik në PD dhe në qeverisje. Respekti dhe nderimi im për të është i palëkundur, ndërsa tentativat për të keqpërdorur figurën e tij janë për t’u ardhur keq.

Por, pavarësisht analizave dhe rrugëtimit që ju keni marrë, në PD ka ende të pakënaqur. Pse nuk e keni artikuluar atë që keni bërë? Në opinionin tim, ka një mungesë sinqeriteti. Sot, pasi kjo kastë e vjetër është larguar, a ka kryetari i ri guxim të flasë?

Unë e kam dëgjuar këtë si ftesë për të gjykuar faktet dhe pseudofaktet ku bazohet. Është prezumimi se ka spastrime, nuk është i vërtetë. Është prezumimi se kjo që ka ndodhur ka lënë të pakënaqur, nuk është e vërtetë. Këtu nuk vijmë sepse është vullneti politik i një njeriu të vetëm, por sepse është bërë një analizë e shëndetshme, që ka evidentuar faktorët objektivë të daljes së PD në opozitë. Ka të bëjë me faktorë brenda nesh, jashtë nesh, me faktorë të kundërshtarëve politikë që lidhen me vjedhjen dhe blerjen e votës, si dhe me dështimet tona në raport me PD dhe qytetarin. Dhe unë ju siguroj se është bërë një analizë e plotë. Procesi nuk ka degjeneruar në një harakiri. Në Kongresin Kombëtar nuk kemi thënë se faji i humbjes ka qenë i zyrtarëve të këtij apo atij niveli. Kryetari i PD dha dorëheqjen. Analiza ka pasur në themel çfarë bëmë gabim dhe çfarë mund të ndreqim dhe jo kujt t’i nxjerrim sytë.

Sekretar i përgjithshëm është zgjedhur Arben Ristani. Për këtë post garuan tre emra, një figurë historike, një i ri dhe i treti zoti Ristani. Duket e habitshme që Eduart Selami del i treti, Enkelejd Alibeaj i dyti dhe zoti Ristani i pari. Ristani ishte njeriu që ju shpalli fitues në zgjedhje, mos ishte ky një shpërblim?

Zoti Ristani është futur në politikë në vitin 2012, kur unë isha kryetar bashkie dhe kryetar i PD, zoti Sali Berisha. Ai ka kandiduar dhe ka fituar mandatin e deputetit, ka qenë figurë e spikatur në këtë një vit e gjysmë opozitë. Zoti Selami është figurë historike, një figurë që gëzon mbështetje të gjerë popullore. Zoti Alibeaj është një nga figurat me integritetin më të lartë, një nga figurat kryesore të avokatisë institucionale të PD. Të tre garuan në një garë të fortë e të bukur dhe u ndanë me shumë pak vota nga njëri-tjetri. Nëse unë do kisha përcaktuar kandidaturën fituese, të jeni të sigurt që këtë nuk do ta kisha pasur të lehtë. Ky është një standard i vendosur në këto 24 vjet të PD.

Mua më shkon mendja se duhet të votohej zoti Ristani për shkak se…

Mund të jetë mendimi juaj, por jo mentaliteti i PD, që në vitin 2014 ka hyrë në një nivel të ri. Votimi ka qenë sovran, i fshehtë dhe ka sjellë këtë rezultat. Ka qenë një garë e fortë dhe e bukur.

Mendoni se zoti Ristani mund ta bëjë këtë detyrë më mirë se zoti Selami?

Hamendësimet nuk më takojnë mua, ky ishte një vendim i Këshillit Kombëtar.

Qoftë për emrin e Ristanit, qoftë për atë të Endira Bushatit, PS ka hedhur akuza…

Këto janë komplekse të PS, sepse nuk ka asnjë fakt që këta dy individë, që kanë pasur poste drejtuese, të mos kenë bërë si duhet detyrën. Ata janë njerëz që përfaqësojnë vlera, që kanë kontribuar për interesin publik dhe vijojnë ta bëjnë këtë. Si ata edhe gara kanë pasur një lajtmotiv: promovimin e vlerave të kontributeve, të ekspertizës, etj. Këtë e konsideroj një kundërsulm ndaj planit të dyshes Rama-Meta, që po promovon antivlera, po promovon njerëz të krimit, njerëz me diploma false, etj.

Sa realisht i keni pasur duart e lira në krijimin e kësaj klime demokratike në PD dhe për t’i zhvilluar zgjedhjet larg ndikimit të Sali Berishës?

Të lirë kemi qenë 100 për qind. Sa e lehtë ka qenë?! Nuk mund të them që ka qenë një proces i lehtë. Sepse ndonëse shumica dërrmuese e normave kanë qenë norma statuore të PD-së, praktika ka qenë e ndryshme. Praktika ka qenë e ndryshme sepse ne, për fat të keq, e kemi adresuar në procesin e zgjedhjeve në PD dhe kemi vënë një gur themeli të shëndoshë në Parlamentin e demokracisë shqiptare: për herë të parë po e japim përgjegjësinë e vendimmarrjes tek anëtari i PD-së, anëtari i saj në komunë, në fshat, në qytet. Është përgjegjësi e madhe. Nuk kam askënd tjetër nga mbrapa. Shpeshherë shtrohet pyetja po kë preferon kryetari?! Se duhet të preferoj dikë…

Unë dyshoj që ju keni votuar për zotin Ristani…

Mos dyshoni tek unë, sepse jam njeri që respekton votën e lirë dhe të fshehtë. Modeli i vlerave që kam promovuar unë është modeli i qytetarëve shqiptarë. Jemi një parti e hapur, kushdo që gjen veten në vlerat tona është i mirëpritur. Por do të marrë përgjegjësinë.

Po thoni që modeli Berisha po zëvendësohet me modelin Basha?

Nuk ka dyshim që modeli “Basha”, nëse ju doni që ta quajmë kështu, është model krejt i ndryshëm. Modeli i lidershipit historik i Berishës nuk është një model kaq i lehtë për t’u marrë përsipër, edhe po të ketë dëshirë dikush. Modeli im është modeli i nismës së re, alternatives dhe fitores. Risia kanë filluar me regjistrimin, e dimë sesa anëtarë kemi dhe ku i kemi. Këta anëtarë marrin vendimet në PD dhe ky ka qenë themeli ynë. Programi ynë i ri është oferta për shqiptarët, që do të na vlerësojnë.

Thatë që keni një parti të rinovuar, por jo të tjetërsuar. Këto ditë ka pasur një deklaratë të kryetarit të grupit parlamentar Edi Paloka ndaj deputetes Mesila Doda për ligjin e lustracionit. Ajo u quajt “marionetë e Edi Ramës”. Besoj se këtë deklaratë e keni miratuar edhe ju?

Nëse unë nuk bie dakord me një linjë editoriale të një deputeti, reagoj sepse jam kryetari. Zoti Paloka nuk i është drejtuar asnjë personi në veçanti. Ai ka bërë një deklaratë politike ndaj dyshes Rama-Meta, që thotë se do të hapë dosjet, por që ka sjellë në pushtet elementë të diktaturës. Deklarata e tij ka qenë politike. Unë i qëndroj faktit se çdo deputet i PD-së duhet të respektojë vendimin politik të PD-së.

Po nëse nuk e bën?

Bëhet ajo që bëhet në çdo parti.

Do të thotë që zonja Doda do të përjashtohet?

Unë jua thashë. Çdo deputet duhet të ketë raport me vendimet e PD-së.

Ndërsa vendimi për bojkot është një vendim politik i PD-së. Dhe çdo deputet duhet të ketë një zbatim të çdo vendimi të forcës politike që ai përfaqëson. Ne asnjë rast kur ftohemi në aktivitete ndërkombëtare nuk kemi thënë jo. Kjo për shkak të rrezikut të madh që i kanoset parlamentarizmit dhe demokracisë. Dhe kjo në raport me atë çfarë është e rëndësishme për të mirën e vendit.

Ka një debat ligjor lidhur me mandatet e deputetëve të opozitës. Këtë e pohoi edhe një nga anëtarët më të vjetër të Gjykatës Kushtetuese. Çfarë do të bëni me mandatet dhe bojkotin, pasi do e fuste sistemin në krizë?

Sistemi është në krizë, jo për faj të PD. PD i janë pamundësuar kushtet për të funksionuar në Parlament, që nisi me kapjen e një pjese të opozitës dhe e bëri këtë për të çuar një mesazh të qartë opozitës që në vend të konsensusit ka zgjedhur të bëjë pazare. Kemi qenë sipas minutazhit opozita më aktive, kemi debatuar, bërë transparencë në rastin e vjedhjes së votave në Korçë, vjedhjes së të dhënave të tatimeve, në rastin e komisionit hetimor për personat e inkriminuar në administratë. Por komisionet hetimore u hodhën poshtë, që është instrument i opozitës. Shkelën Kushtetutën dhe ne kur na dha Gjykata Kushtetuese të drejtë, këta refuzuan ta zbatojnë. Shumica eliminoi çdo hapësirë për opozitën shqiptare duke lënë vetëm fjalën dhe çfarë ndodhi me fjalën? Më 11 korrik, me urdhër të Edi Ramës, një repart azapësh sulmuan deputetët e PD-së. Është detyrë e prokurorisë të shkojë të marrë tabulatet dhe të gjejë organizatorët. Edhe ata vetë e kanë thënë që ‘nuk duhet të merremi me ne, duhet të merreni me organizatorët’.

E kanë ngritur komisionin hetimor?

Pasi iu drejtuam në Gjykatën Kushtetuese, zoti Rama dhe zoti Meta me sjelljen e tyre e kanë bërë të qartë që opozitën nuk e shohin si pjesë të vendimmarrjes, por si pengesë. Ne kemi paraqitur një rrugëdalje nga situata ku e kanë futur Edi Rama dhe Ilir Meta. I kam thënë javën e shtatorit që kjo situatë është e papranueshme në një Parlament dhe që nuk do të ketë më lojëra me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. E dyta është që të angazhohemi bashkërisht që t’i japim një qeverisje dhe Parlament të painkriminuar shqiptarëve. Nuk mundet që në Parlamentin shqiptar të jenë ish-trafikantë, ish-trafikantë droge. Po flas për standardin që duhet të synojë një qeverisje demokratike.

Gjykata Kushtetuese, kur ju rrëzoi ligjin e lustracionit, tha se nuk mund të ndërpritet mandati i deputetëve të zgjedhur…

Është çështje konsensusi politik. Ka qenë strategji politike e Ramës që të zmadhonte influencën e tij politike duke u dhënë këta dy persona në ato dy zona. Madje eliminoi dy zonja që iu bë presion. PD ka të gjitha fuqitë dhe mjetet për t’u përballur me këtë situatë.

Dakord jam që Parlamenti duhet të ketë standarde, por s’mund ta vendosësh kusht tani…

Është një proces politik. Por Rama i shkeli marrëveshjet. Nuk kërkojmë një zgjidhje për t’u hedhur hi syve. Kemi kërkuar që të përkushtohet për të gjitha ndryshimet ligjore dhe administrative për të pamundësuar moszbatimin e Kushtetutës dhe kemi kërkuar edhe pastrimin e politikës nga krimi. Ka një apo dy duar të padukshme që i bëjnë drejtorë këta elementë. Pse Rama ka tre muaj që refuzon këto? Rama-Meta janë arkitektët e këtij sistemi.

Do ta mbroni deri në fund vendimin për bojkot duke i djegur mandatet?

Këto janë vendime politike dhe që shqyrtohen. Për fat, PD sot ka të gjithë ansamblin vendimmarrës. Vendimi i ndërprerjes së marrëdhënieve është i qartë. Parlamenti të jetë pasqyra e transparencës së qeverisjes, jo perdja që mbulon aktet e qeverisjes me kosto për shqiptarët. Sot jemi në këtë situatë sepse këta nuk japin llogari për politikat e tyre fiskale. Dorëzuam 31 amendamente se si të ecte me paketën fiskale dhe me buxhetin. Qëllimi në vetvete janë qytetarët shqiptarë. Vendi është katandisur pa shpresë, pa punë, ka vetëm demagogji.

Pra PD do ta vazhdojë bojkotin për të rrezikuar mandatet. Do digjni mandatet pasi në Kushtetutë ka afate…

Nuk jam këtu për të interpretuar…

Jeni 55 deputetë që jeni përfaqësues të popullit shqiptar dhe afatet ligjore…

Afatet ligjore janë shumë të vakët në krahasim me qytetarët shqiptarë. Jemi detyruar të vinim në këtë vendim për të mbrojtur parlamentarizmin. Shqiptarët e meritojnë kontrollin, vendimmarrjen transparente. Sot PD ka të gjitha instrumentet për të marrë vendimet e duhura politike, çdo vendim do të jetë në interes të qytetarëve.

Nuk e përjashtoni as rikthimin?

Vendimi është ky që është, ne duam rikthimin por…

Ju thoni që bojkoti do të vazhdojë pa afat deri në plotësimin e kushteve tuaja, nga ana tjetër keni thënë që me këtë hartë nuk do të merrni pjesë në zgjedhjet lokale…

Asnjëherë nuk kemi artikuluar fjalën bojkot të zgjedhjeve, edhe pse harta është antikushtetuese.

Megjithatë, të gjitha gjasat janë që Gjykata Kushtetuese do ta lërë në fuqi këtë hartë

Ne kemi besim që Gjykata Kushtetuese do të zbatojë Kushtetutën dhe funksionin e vet elementar që është zgjidhja e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve politike. Dyshja Rama-Meta nuk do t’ia dalë kurrë të kryejë dhe të legjitimojë marrjen me dhunë të pushtetit vendor në Shqipëri.

Ju vetë do të kandidoni?

Është një vendim që do të merret. Është një vendim sa personal, aq edhe politik.

A vazhdon marrëdhënia me PDIU-në?

PD ka marrëdhënie me të gjitha partitë opozitare, parlamentare dhe joparlamentare. U takon partive të tjera ta provojnë këtë me vepra dhe jo me fjalë. Kriteri është se çfarë qëndrimi ke me pushtetin. Nuk mund të jesh edhe me qeverinë, edhe me opozitën. Këtë e zgjedhin ata, nëse janë në opozitë apo jo. Zgjedhja është e qartë.

Jeni kundër aksionit për ndërprerjen e dritave?

Jam pro aksioneve që vendosin ligje, por është një abuzim, taktikë e satrapëve. Ligji duhet zbatuar, por shteti duhet të jetë i drejtë, vjedhja është e paligjshme, por ka përgjegjësi shteti, sepse drita nuk është luks.

Protestat do të vazhdojnë?

Protestat po vazhdojnë. Është gjendja në vend, indiferenca dhe braktisja që qeveria u ka bërë qytetarëve i detyron të shkojnë në protestë. Qeveria ka braktisur qytetarët në kuptimin e plotë të fjalës. Qeveria reagon ndaj protestave dhe protestat do të vazhdojnë.

Më mirë të reagosh ndaj protestave se sa të vrasësh protestues…

Ajo është një ngjarje tragjike e provokuar nga Edi Rama. Ajo është një tjetër histori, ndaj protestat do të vazhdojnë. Këta mund të mos dëgjojnë, por ne do të jemi me qytetarët, do t’i dëgjojmë dhe do të jemi krah tyre. Të mos rrisë taksat, të lërë retorikën, të lërë shpenzimet qeveritare të luksit, këto janë kërkesat tona, kjo është rruga e drejtë për të dalë nga situata.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button