Basha: Largimi i Omnix, lajm i keq për vendin, i mirë për krimin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se “largimi i Omnix Albania është tjetër lajm i keq për vendin tonë”, duke shtuar se “krimi, trafikantët dhe banditët ia dolën ta mbajnë të tyre zhvillimin dhe Shqipërinë”.
Omnix Albania, kompania që do të investonte 450 milionë euro në Lalëz, deklaroi tërheqjen e menjëhershme nga të gjitha investimet në Shqipëri. Vendimi erdhi dhjetë ditë pasi presidenti i kësaj kompanie, Fadi Mitri u dhunua fizikisht nga persona, të cilët i kërkuan të largohej nga Shqipëria.
“Edi Rama hesht sepse Shqipëria i duhet e varfër dhe e papunë, pasi e ka më të lehtë ta sundojë me banda e trafikantë. Largimi i Omnix është tjetër lajm i keq për vendin tonë. Lajm i keq për shqiptarët dhe kompanitë e huaja që largohen nga viti në vit. Krimi, trafikantët dhe banditët ia dolën ta mbajnë të tyre zhvillimin dhe Shqipërinë. Shqipëria e varfër, me drogë janë e vetmja mundësi që Rama të qëndrojë në pushtet. Edi Rama ka dëshmuar se jep siguri dhe garanci vetëm për krimin dhe bandat, por jo për investitorët vendas apo të huaj”, deklaroi Basha në një deklaratë për shtyp.
“Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të jetë peng i Edi Ramës dhe kartelit të tij kriminal”, e mbylli Basha deklaratën e tij.