Politika

Basha mbledh aleatët, pjesëmarrja në Kuvend dhe Berlini përçajnë opozitën

Mbledhja 

Lulzim Basha – “Ka një vendim të grupit parlamentar të PD-së, i cili është vendimi në fuqi dhe i padiskutueshëm derisa të ketë një vendim tjetër”

Fatmir Mediu – “PR beson që opozita duhet të jetë në Parlament, sepse nuk mund të lërë institucionin që i është deleguar autoriteti me votën e popullit”

Nard Ndoka – Nard Ndoka paralajmëroi pjesëmarrjen e tij në Kuvend, pavarësisht se kush do jetë vendimi i partive aleate të opozitës.

NGA HERION MESI

basha aleatetKur ka mbetur një kohë e shkurtër, vetëm tri ditë nga çelja e sesionit të ri parlamentar, kreu i PD-së, Lulzim Basha, thirri një mbledhje të përbashkët me deputetët aleatë për të diskutuar qëndrimin zyrtar të opozitës ndaj Kuvendit. Edhe pse për këtë takim u shfrytëzuan ambientet e Bashkisë së Tiranës, jo shumë frytdhënës, pasi askush në Selinë Blu nuk di të thotë nëse demokratët do të rikthehen në Kuvend të hënën e ardhshme. Ashtu siç njoftoi gazetën “Shqip” dy ditë më parë, lidhur me rishikimin e marrëdhënieve me Kuvendit, tashmë çdo gjë do të vendoset vetëm në minutat e fundit para nisjes së seancës plenare. Ndërkohë, sa u përket aleatëve të koalicionit opozitar, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, në një prononcim të dhënë për gazetën dy ditë më parë deklaroi se ai do të mbajë të njëjtin qëndrim, duke paralajmëruar se pasditen e së hënës do të jetë i pranishëm në seancën e parë plenare. Ndoka mësohet se për shkak se ndodhet jashtë Shqipërisë, nuk ka qenë në takimin e djeshëm të zhvilluar në Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu nuk kanë qenë në mbledhje as kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi. Ndërsa, aleati tjetër, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, pak orë para takimit me Bashën deklaroi se ishte kundër vijimit të bojkotit. Por, pas përfundimit të takimit, Mediu u duk sikur e kishte humbur “betejën” me aleatin e tij teksa njoftoi se gjithçka do të vendoset vetëm ditën e hënë, duke nënkuptuar një takim të dytë mes aleatëve. “Ne do diskutojmë me deputetët për qëndrimin e opozitës ditën e hënë. Edhe ndërkombëtarët janë në të njëjtën linjë me opozitën. Diskutimi i sotëm në Gjermani tregon shqetësimin e ndërkombëtarëve për funksionimin e demokracisë, që është detyrë si për Edi Ramën edhe për çdo qytetar. Opozita kërkon që çdo gjë të vendoset në rrjedhën normale, institucioni i Kuvendit t’i kthehet debatit dhe jo dhunës”, tha Mediu.

Dekretet e Presidentit

Mbledhja e opozitës vjen në një kohë kur Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se mazhoranca do të votojë të pandryshuara ligjet e kthyera mbrapsht nga Presidenti Bujar Nishani që në seancën e parë parlamentare. Dhe për të realizuar këtë objekt, dy komisionet kryesore parlamentare do të nisin punimet e tyre para çeljes zyrtare të punimeve të Kuvendit. Konkretisht, Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të shqyrtojnë sot dekretet e Presidentit Bujar Nishani që kthejnë për rishqyrtim në Kuvend disa ligje me shumicë të cilësuar prej 84 votash, të miratuara në seancën e 31 korrikut. Kështu Komisioni i Ligjeve në rend dite të mbledhjes së sotme ka shqyrtimin e katër dekreteve, konkretisht dekretit që kthen ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”; atij “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative”, të ligjit “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, dhe dekretin “Për ndarjen administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë”. Ndërsa, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në cilësinë e komisionit përgjegjës do të marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit që kthen ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Me gjithë argumentet e përdorura nga Presidenti në dekretet e kthimit të ligjeve, mazhoranca pritet t’i rrëzojë, që në seancën hapëse të sesionit të ri parlamentar, të hënën më 1 shtator.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button