Basha me të rinjtë e Kukësit: Qeveria s’ka prioritet punësimin tuaj
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bashkëbisedoi me të rinjtë e qytetit të Kukësit, të cilët e kanë njohur me shqetësimet e tyre që nga punësimi, taksat e larta që po falimentojnë bizneset dhe mungesa e shpresës se gjërat do të bëhen më mirë.
Shumë familje, theksuan të rinjtë, kanë marrë rrugët e emigrimit dhe të tjera janë gati për tu nisur, duke marrë madje para dhe borxh për biletat e avionit. E vetmja gjë që të ofrohet nga qeveria në Kukës, sipas të rinjve, është dhuna policore dhe burgu.
Nga ana e tij, kreu i demokratëve theksoi se kjo situatë nuk ka asnjë zgjidhje nga dyshja Rama-Meta, pasi për ata punësimi nuk është prioritet.
“Ata merren ditë për ditë me opozitën sepse nuk kanë çfarë të thonë. Sepse premtuan 300 mijë vende pune dhe nuk hapën asnjë vend pune, sepse premtuan shëndetësi falas dhe e kanë katandisur ne ditën e saj më të zezë. Ne u ofruam mundësinë në Parlament, duke ofruar amendamentet tona për heqjen e taksave, për uljen e taksave për bizneset që të krijonin më shumë vende pune, por ata nuk i pranuan, i shkelën, i hodhën poshtë. Ai nuk ka ofertë, ai nuk ka zgjidhje sepse për të punësimi juaj nuk është prioritet. Ka dy vjet që e ka provuar. Për mua, punësimi i shqiptarëve, punësimi i të rinjve është prioriteti numër një”, deklaroi Basha.
Basha, duke iu referuar rastit të dhunës policore në Kukës, kur qytetarët po protestonin për energjinë elektrike, tha se kjo mazhorancë nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe sot u ofron qytetarëve vetëm dhunë dhe mjerim. Ai nënvizoi se platforma e Partisë Demokratike parashikon ulje të çmimit të energjisë dhe falje të kamatë-vonesave.
“Me votën për Partinë Demokratike, në 21 qershor ju do të votoni për alternativën tonë, për uljen me 25% të çmimit të energjisë dhe faljen e gjithë kamatë-vonesave anembanë Shqipërisë, për të mbajtur hapur të gjitha universitetet publike dhe filialet e tyre nga Kukësi, Peshkopia e kudo në Shqipëri dhe për të ulur tarifat studentore në nivelin e mëparshëm”, tha Basha.