Basha në Lezhë: Votoni ofertën e PD-së për punë dhe dinjitet
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi të dielën, kandidatin për kryetar të Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.
Lideri i opozitës theksoi se ashtu si në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë, ka një padurim të madh për t’i dhënë maxhorancës aktuale mësimin e merituar në 21 qershor për keqqeverisjen. Në 20 muaj qeverisje, vijoi ai, janë rritur taksat, çmimi i energjisë, çmimi i karburantit, kanë hequr me mijëra njerëz nga puna pa të drejtë, ndërsa dhjetëra, mijëra të tjerë i kanë hedhur në mes të rrugëve duke u mbyllur bizneset, duke ua bërë të pamundur ekzistencën, duke i shtyrë drejt dëshpërimit.
“21 qershori do të jetë dita juaj, për t’i thënë jo kthimit prapa, për t’i thënë jo politikës së taksave të larta, çmimeve të larta, papunësisë, arbitraritetit, arrogancës. Do të jetë dita juaj për të vendosur Bashkinë e Lezhës në duart e lezhianëve”, vijoi ai.
Basha ftoi lezhianët dhe shqiptarët t’i bashkohen ofertës së re të PD-së për punë dhe dinjitet. “Paratë që sot janë përqendruar në duart e oligarkëve të kthehen në projekte zhvillimi për qytetarët, për bujqësinë, blegtorinë, turizmin, për peshkimin, për të gjithë asetet që nuk u takojnë e nuk mund t’u takojnë kurrë oligarkëve por janë e do të jenë prona, pasuria, mirëqenia e qytetarëve”, tha më tej ai.
Basha bëri thirrje që “pavarësisht prej bindjeve politike, çdokush që refuzon regjimin, nënshtrimin dhe qeverisjen nga Gjiri i Lalzit, të bashkohet me votën e 21 qershorit, me Fran Frrokaj, me PD, me opozitën”