Basha: PD nuk do bëjë kurrë koalicion me LSI-në e Metës
Nga Blendi Fevziu
Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi mbrëmë në emisionin “Opinion” në TV Klan se zgjedhjet e parakohshme janë sipas tij zgjidhja e situatës së rëndë në vend. Basha propozoi zgjidhjet, duke filluar me dorëheqjen e Ilir Metës nga kreu i Kuvendit, ndërsa paralajmëroi të tjera protesta në shesh. Ai tha se sa kohë të jetë kryetar i PD-së nuk do bëjë kurrë aleancë me Ilir Metën.
Z.Basha ka disa ditë që PD është përgatitur për një protestë 45 minuta… Të sjellësh një numër të madh qytetarësh në Tiranë për një xhiro kaq të shkurtër, a mjafton vetëm kaq?
Bashkimi i shqiptarëve është forca jonë. Kurrë një forcë politike nuk ka mundur të nxjerrë kaq shumë në shesh njerëz brenda 5 muajve. Pjesëmarrja e sotme (djeshme) e tejkaloi 22 nëntorin. Kjo ishte protestë madhështore dhe demokratike. Njerëzit erdhën me vullnetin e tyre. Në protestë kishte edhe elektorat të majtë të zhgënjyer, ndaj forca është pjesëmarrja. Që nga ky moment qeveria ‘Rama-Meta’ është rrëzuar moralisht. Ky është bashkim përtej ngjyrave politike dhe në kushtet kur parlamenti është jofunksional, ky është institucioni funksional.
Kur do të jetë protesta tjetër?
Do të jetë së shpejti dhe do ta njoftojmë.
Kishte në protestë punonjës të Bashkisë?
Këta janë qytetarë të ardhur nga mbarë Shqipëria, nga të gjitha qytetet. Mund të ketë edhe punonjës të bashkisë, por të thuash se të gjithë këta që ishin në protestë janë të bashkisë është qesharake.
A ishte kjo protestë në mbështetje të Tom Doshit?
Kjo është diçka cinike, sepse padyshim ka një kauzë, është denoncues dhe njihet. Ai nuk është i PD-së, por i PS-së dhe ka bërë një akuzë të rëndë që Meta ka tentuar vrasjen e dy deputetëve. Është politikë e vjetër që tradhtarin ta hedhin në oborrin e kundërshtarit. Por fajtorët janë Rama-Meta dhe Tahiri. PD mban qëndrimet e saj për një akuzë të rëndë në 25 vite.
I përmbaheni qëndrimit të mëparshëm për Doshin?
Pa asnjë presje.
A do të pranohet Tom Doshi në grupin e PD-së?
Nuk mund ta hedhin mikun e tyre këtej nga PD-ja.
Kur e morët vesh për çështjen “Doshi”?
Në momentin që u bë publike. Unë kam pasur një informacion nga kreu i grupit parlamentar se një i afërm i z.Fufi është thirrur nga Meta dhe i ka thënë për një tentativë vrasjeje nga ana e z.Berisha. Paloka më ka informuar se kjo i është rrëfyer atij.
Nuk i kërkuat z.Meta një informacion zyrtar, pasi kjo ishte një akuzë shumë e rëndë se ka dashur ta vrasë ish-kreu i PD-së?
Z.Meta ka një problem me z.Fufi që lidhet me 23 qershorin. Kështu që çdo tentativë e Metës për të kurdisur komplot me qëllim përfshirjen e opozitës binte në kundërshtim me profilin e kësaj mazhorance për të bërë gjithçka. Thirrja e të vëllait të Fufit se do të vrasë vëllanë tënd z.Berisha nuk është thënë as nga policia dhe as nga prokuroria.
Çfarë kërkon opozita në këtë rast?
Kërkojmë që Meta të largohet një orë më parë nga kreu i Kuvendit dhe t’i nënshtrohet hetimit të drejtësisë. Së dyti, dorëheqja e Saimir Tahiri për fshehje krimi dhe së treti, kërkojmë një hetim ndërkombëtar sa më të drejtë dhe të pavarur.
Nëse Meta shpallet i pafajshëm?
Ne kërkojmë hetim të pavarur dhe të drejtë dhe me Metën e padorëhequr nuk mund të ketë jo vetëm në Shqipëri, por në asnjë vend tjetër. Dorëheqja është standard demokratik. Është akuzuar për vrasje me pagesë të dy deputetëve. Është përpjekur ta mbajë të fshehtë dhe po trysnon prokurorinë, ndaj duhet të japë dorëheqjen.
Pse nuk ishte standard për ju, për akuzat e rrugës së Kombit, ngjarjes së 21 janarit, apo marrëveshjes së detit?
Për të dyja rastet e fundit nuk ka pasur akuzë për mua. Për rastin e “Durrës-Kukës”, në atë kohë unë nuk kam qenë ministër i Transporteve, por ministër i Jashtëm dhe nuk kisha mundësi të ushtroja presion. Unë jam deputeti që kam kërkuar vullnetarisht heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugën hetimit.
Do ta njihni vendimin e drejtësisë pa dhënë dorëheqjen e Meta?
Nuk ka mundësi të ketë hetim sa kohë shënjestra është numri dy i shtetit, ndaj duhet të dorëhiqet. Akuzohet për një akuzë të përbindshme. Pse Rama nuk i kërkon dorëheqjen Metës? Kjo vërteton se është bashkëfajtor.
Meqenëse nuk keni besim te drejtësia, pse shkojnë për të dëshmuar njerëzit tuaj në prokurori?
Shkojnë se kanë ndërgjegjen e ligjit për të bërë transparencë. I kërkojmë prokurorisë të respektojë ligjin, të bëjë detyrën e vet, por nuk ka vend në botë që prokuroria të hetojë në bllok ekzekutivin dhe legjislativin. Kemi akuzë për vrasje, kemi fshehje të krimit dhe kemi tentativë të Metës për t’ia faturuar opozitës.
Atëherë a do e njihni vendimin e prokurorisë?
Prokuroria do të ketë mbështetjen tonë për zbatimin e ligjit, por nuk mund të hetohet duke pasur përballë krerët e shtetit dhe kundër hetimit. Nëse ne nuk zbardhim çfarë fshihet pas kësaj dhe nëse fajtorët nuk shkojnë para ligjit, shqiptarët do të kenë ditë më të zeza, gjërat do të shkojnë edhe më keq.
Keni kërkuar mocion për shkarkimin e Metës në Kuvend..
Do të kalojë në Këshillin e Legjislacionit. Meta duhet të largohet.
Dhe nëse nuk ikën?
Qindra mijëra shqiptarë sot (dje) të bashkuar kanë kërkuar dorëheqjen e Metës dhe të tjerë duan që ai të vihet para drejtësisë, edhe shumica e së majtës. Ne do t’u drejtohemi sërish qytetarëve shqiptarë.
Pse nuk e denoncuat përderisa e paskeni ditur që Meta e paska thirrur vëllain e Fufit…
Jo, është ndryshe të dëgjosh një gjë dhe të shprehësh qëndrim politik dhe ndryshe të akuzohesh si porositës për vrasjen dy deputetëve. Por PD-ja është gati të paguajë çdo çmim deri në pastrimin e politikës nga krimi. Me këta qytetarë jemi të vendosur ta arrijmë këtë.
Kjo do të thotë që nuk do të ketë më parlament, por vetëm protesta?
Kjo do të thotë që ne do të bëjmë gjithçka që ka të bëjë me rrugët demokratike.
Çfarë marrëdhënie keni aktualisht me z.Meta? Keni marrë dhe tortë prej tij në festën e Kuvajtit…
Kjo ishte një gënjeshtër. Unë nuk ha tortë në një ambient me z.Meta. Aty i ndan tjetërkush tortat. Por është koha që të japë dorëheqjen, sepse është akuzë shumë e rëndë. Pa pikë turpi del e flet për torta.
A jeni penduar për koalicionin me Ilir Metën?
Ka qenë vendim politik, i cili u dha mundësinë qeverisë që shqiptarëve t’u hiqet regjimin e vizave. Tashmë Meta është aleat i PS-së, por nuk është kjo arsyeja e shënjestrës sonë, por akuza për tentativën e vrasjes së dy deputetëve.
Nëse ju do keni nevojë për votat e LSI, do të ribënit koalicion me LSI-në?
Kjo është një pyetje jo aktuale. PD e ka koalicionin me qytetarët shqiptarë dhe koalicionin nuk e ka për llogari të PD-së, por për llogari të shqiptarëve.
Po flas për koalicion politik…
Jemi në ajër me këtë pyetje. Meta është në koalicion me Ramën. PD e ka koalicionin, e ka aleancën, e ka me qytetarët dhe jo me karrigen e shqiptarëve. Shqiptarët nuk e meritojnë dhe nuk e duan këtë qeverisje. Kjo gjë duhet të merret seriozisht.
Po nëse nuk e marrin seriozisht?
Do të jemi trefish më shumë se çfarë ishim sot (dje) në shesh.
Kërkoni zgjedhje të parakohshme?
Kam folur për domosdoshmëri.
A do kërkoni zgjedhje të parakohshme?
Vendi është në një situatë të jashtëzakonshme të rënduar ekonomike. Kësaj situate i shtohet kriminaliteti. Për t’i vënë kapakun, krimi na del në kupolën e shtetit. Shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë situatë. Jemi gati të ofrojmë një ofertë të re qeverisëse. Kështu nuk ecet më dhe duhen rrugët e zgjidhjes. Ne jemi të angazhuar si opozitë për të gjetur rrugët e zgjidhjes. Një nga opsionet kryesore janë zgjedhjet e parakohshme.
Ambasada e SHBA-ve i tha gjërat më drejtpërdrejtë në rastin “Doshi”, duke e mirëpritur përjashtimin e tij. Si ju duk kjo deklaratë?
Unë e mbështes deklaratën e ambasadës së SHBA-ve, por ia kam thënë z.ambasador arsyen pse Rama e përjashtoi Doshin nga grupi parlamentar. Dua të saktësoj se ne do të jemi flamurtar të kauzës së dekriminalizimit dhe Rama nuk ka akoma një vullnet politik për dekriminalizimin. Nëse ka vullnet nuk është kurrë vonë dhe do ta përshëndes e do të bashkëpunojmë. Unë jam i vendosur dhe PD është e vendosur me çdo çmim që të çojmë përpara kauzën e dekriminalizimit.
Ka individë të inkriminuar në grupin e PD-së?
Në dijeni time nuk ka, por nëse procesi i dekriminalizimit verën se ka të tillë, unë jam gati të marr hapa për dekriminalizim. Kam propozuar të ngremë në PD Komisionin e Integritetit.
Ju jeni i bindur që në listën e ardhshme nuk do të ketë individë të përfshirë me krimin?
Nuk do të ketë. Kjo nuk do të ndodhë në asnjë rast.
Parlamentin e ardhshëm do ta kemi më të pastër?
Po, kështu do të jetë.
Lidhur me akuzat për persona të inkriminuar në shtet…
Kanë kthyer në Policinë e Shtetit persona sot të larguar pikërisht për lidhjet e tyre kriminale, kanë emëruar në Policinë e Shtetit njerëz që nuk kanë kualifikimin bazik. Tri janë problemet në Policinë e Shtetit. Së pari janë emërimet politike duke filluar me Drejtorin e Përgjithshëm, i dyti është rikthimi i elementëve kriminalë në pozita drejtuese dhe e treta është se kjo polici sot e trajton qytetarin si kriminel… Ndërkohë që nuk ka bërë publikë dhe nuk ka ndaluar një bandë kriminale me përjashtim të Xibrakut, ku kryetarin e bandës e lanë të arratisej bashkë me kolumbianin që u arratis në gjashtë e gjysmë nga Kapshtica sepse një telefonatë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Kapshticë demobilizoi policinë për të arrestuar kolumbianin, …pra ka lejuar arratisjen e kolumbianit, që qeni i drogës kishte sinjalizuar që kishte qënë person në kontakt me drogën.
E keni të sigurt?
Nesër (sot) i bëjmë publike këto fakte.
Do të rikandidoni për Bashkinë e Tiranës?
Qëndrimin tim për këtë çështje do ta bëj publik shumë shpejt.
Nëse ju nuk do jeni kandidat, çfarë formati do të ketë kandidati tjetër?
Ju thashë që qëndrimin tim do ta bëj publik shumë shpejt. Unë kam lëshuar një udhëzim timin për kandidatët, që t’i zgjedhim më të mirët. Ata që gëzojnë reputacion në vendet e tyre.
I keni identifikuar kandidaturat në 61 zonat?
Procesi ka nisur dhe është gjithëpërfshirës. Presim emrat nga baza. Ecim me idenë që kandidatët të jenë më të mirët dhe lokalë.
Do të bëni koalicion me LSI-në?
Nën drejtimin tim, PD-ja nuk do të bëjë kurrë koalicion me LSI-në e Ilir Metës.
Ka pasur një deklaratë të z.Duka për kandidim në Durrës…
Kjo është qartësuar. Ka qenë qëndrim i PR-së. Ne do të nisim negociatat me aleatët dhe në këto momente nuk komentojmë qëndrimet e individëve.
Ka dy projektligje që kanë shkuar në Kuvend për hapjen e dosjeve. Cilin variant do të mbështesni?
Ne mbështesim versionin e znj.Doda.