Ekonomia

Bashkëpunim me fqinjët për Rezervën Biosferike Ndërkufitare Ohër-Prespë

liqeni-i-prespes-41-466x350Liqenet e Prespës dhe Ohrit sapo janë shpallur Rezervë Biosferike Ndërkufitare nga UNESCO, cka rrit vlerat natyrore dhe hap dritare të reja zhvillimi për banorët, ndërsa vitin që vjen, pritet një konferencë donatorësh për krijimin e fondit të posacëm për të mbështetur zonën.
Vetadministrimi do të jetë mënyra e menaxhimit të zonës, me një administratë të kualifikuar në shërbim të ruajtjes së ekosistemeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomiko-social të zonës, sipas modeleve që ndjek sot bota për zonat e tilla.
Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë u përurua zyrtarisht këto ditë në Korçë, me një ceremoni ku ishin Zv/Kryeministri Niko Peleshi, ministrat e Mjedisit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, përfaqësues të UNESCO-s, PNUD-it, bankës KfW, etj. Drejtore e UNESCO-s, Irina Bokova, dorëzoi dokumentin e çertifikimit të basenit Ohër -Prespë si “Rezervë Ndërkufitare Biosferë”.
Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë-Ohër tashmë ka hedhur edhe “dorashkën” e fqinjësisë, pasi mbrojtja e natyrës me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të zones, rrëzon barrierat mes 3 shteteve, që kanë rënë dakort të bashkëpunojnë me projekte të përbashkëta, me qëllim, që banorët të përfitojnë më shumë vlera ekonomike, shkencore e kulturore.
Pavarësisht se Prespa shqiptare zotëron pasuri të mëdha natyrore, dora e njeriut nuk ka bërë si duhet “detyrat e shtëpisë”. Ende sot komuna e Liqenasit nuk ka plan urbanistik e për rrjedhojë, ka të pazgjidhur problemet e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujrave të zeza.
Diana Sokoli, drejtore në ministrinë e Mjedisit, e angazhuar në projektet për Parkun Kombëtar të Prespës shqiptare, ndihet optimiste për zhvillimin.
“Është arritje pozitive për rajonin dhe hap i parë bashkimi i konceptit të rezervës së biosferës me aspektin kulturor nga UNESCO. Kështu po punojmë me një project, me qëllim, që edhe pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit të shpallet trashëgimi kulturore. Rezerva e Biosferës për liqenet Ohër dhe Prespë krijon mundësi zhvillimi dhe për bizneset artizanale, ndaj po punojmë me ministrinë e Kulturës për evidentimin e elementëve të trashëgimisë kulturore, si veshjet, banesat e vjetra, objektet e kultit, pjesë historike e trashëgimisë sonë kombëtare”, thotë ajo.
Në zonën e rezervës biosferike për Prespën me tre shtetet, Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi, deri tani secili ka punuar në pjesën e vet, por Sokoli shpjegon se “duhen përpjekte të përbashkëta, se me këtë status, rriten përpjekjet ndërkufitare mes vendeve për zhvillimin ekonomik të zonës. Sot kemi planin e miratuar të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Prespës shqiptare me asistencë të huaj, sipas shembujve më të mirë në Europë. Jemi në momentin kur duhet t’a zbatojmë planin me investimet dhe administratën, që do të menaxhojë parkun. Qëllimi është për t’a kthyer në sistem vetadministrimi këtë menaxhim, që të gjenerojë të ardhura, ku përvec mbrojtjes së natyrës, synojmë zhvillim të qëndrueshëm, rritjen e prodhimeve dhe përmirësimin e jetesës për banorët”.
Shqipëria është në hapat e reja për krijimin e administratës së aftë që të vetadministrojë Parkun Kombëtar të Prespës dhe Diana Sokoli shpjegon hapat: “Ministria e Mjedisit do organizojë një konferencë për sensibilizimin e banorëve dhe specialistëve, që do të marrin në dorë administrimin e rajoneve të Parkut. Administrata do të jetë shtetërore, por do të menaxhojë vlerat natyrore, kulturore, gërshetuar edhe me nismat private, me bizneset, banorët, qeverisjet lokale, përdoruesit e pyjeve. Nisur nga fakti që Parqet janë shtetërore, nevojiten bashkëpunimet mes tyre. Ne presim shumë shpejt një projekt të ri nga KfW, që do ndihmojë në zbatimin e planit të menaxhimit. Pritet dhe krijimi i një fondi për rezervën e Biosferës në nivel donatorësh mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e Prespës, ku adminstrata e Parkut duhet të bëjë projekte për të përfituar. Ndërkaq, po punojmë për krijimin e shoqatës së Marketingut për produktet e zonës, bimët mjekësore, peshku, etj, deri në krijimin e markës “Made in Prespa”. Synojmë zhvillim të qëndrushëm social dhe ekonomik, duke përfshirë gjithë banorët. Edhe me pyjet ka projekte dhe po shihen plane për energjinë alternative, si prodhimi i paleteve të drurit”.
Thimaq Lako, ekspert ndër të parët i angazhuar prej shumë vitesh në zonën e Prespës, drejton sot projektin “RNB (Rezerva Ndërkufitare e Biosferës), mbështetje për Parkun Kombëtar të Prespës në Shqipëri”. Ai shpjegon përfitimet e dyfishta: reduktimin e varfërisë, ruajtjen e biodiversitetit në Park, forcimin e administrimit për këtë qëllim, duke siguruar burime të qëndrueshme dhe shërbime për banorët e zonës.
“Nga ky projekt rezultatet janë të prekshme. Kemi përmirësuar menaxhimin dhe administratën e Parkut, kemi punuar për rehabilitimin e ruajtjen e pyjeve, kullotave, është rritur përdorimi i qëndrueshëm në zonat specifike të kufizuara përmes përfshirjes së komunitetit e bashkëpunimit ndërkufitar. Arritje është ky bashkëpunim deri në vendimin për krijimin e Rezervës Ndërkufitare të Biosferës”, shpjegon Lako.
Sipas tij, Rezerva Ndërkufitare e Biosferës (RNB) Prespë- Ohër promovon edhe bashkëpunimin rajonal mes tre vendeve, Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi, ku shtrihen parqet Kombëtare, përfshi dhe liqenet e dy Prespave.
Përfitues projektesh, financuar nga GTZ, KfW, me ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë nën drejtimin e Korporatës Austriake të Pyjeve (ÖBF), Shoqatës Zologjike Gjermane të Frankfurtit (FZS) në bashkëpunim me Institutin e Ekologjisë (E.C.O.), WWF Austri, etj, administrata e Parkut Kombëtar të Prespës sot është trajnuar dhe pajisur me logjistikë, ka tabela informuese, logo, imazhin, pyjet kanë inventarizimin dhe mbarështrimin e tyre. Për liqenin e Prespës së Vogël ka studim të thelluar për menaxhimin e kallamishteve dhe sipërfaqes ujore, i planifikuar të zbatohet për një periudhë 5-vjeçare.
Nga viti 2012 Parku Kombëtar i Prespës ka planin e menaxhimit të diskutuar me banorët dhe partnerët lokale, ndërsa ka nisur zbatimi i projekteve, me synim, ndërgjegjësimin dhe zhvillimin social-ekonomik. “Puna ka nisur me prodhuesit lokalë që po grupohen në një organizatë marketingu, por synojmë krijmin e markës së veçantë për prodhuesit e rajonit të Prespës”, thotë Lako, duke shtuar krijmin e të ardhurave nga popullsia lokale, mes mbështetjes për grupet e prodhuesve si bletëritësit, peshkatarët, blegtorët dhe grumbuluesit e produkteve jo-drusore.
Në Suedi, në 11 qershor 2014, Këshilli Koordinativ Ndërkombëtar i Programit “Njeriu dhe Biosfera” i UNESCO-s e miratoi nominimin e rajonit Ohër-Prespë si Rezerva e re Ndërkufitare e Biosferës, Brenda së cilës janë përfshirë rreth 14,000 ha ku ndalohet rreptësisht zhvillimi i çfarëdo aktiviteti njerëzor.
Për pjesën shqiptare, krijimi i Rezervës Ndërkufitare të Biosferës u mbështet nga një projekt zhvillimi me financim të Bankës gjermane, KfË: “Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespa: Mbështetje për Parkun Kombëtar të Prespës në Shqipëri”.
Faza e parë e projektit përfundon në muajin korrik 2015, ku rezultatet përveç krijimit të Rezervës Ndërkufitare Rezervë, përfshijnë përmirësimin e menaxhimit dhe administratës, të infrastrukturës së Parkut, përmirësimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe rehabilitimi i pyjeve dhe kullotave.
Ministria e Mjedisit po përgatit fazën e dytë të projektit, që synon investime të mëtejshme në Park.
Në Rezervën Ndërkufitare të Biosferës Ohër-Prespë, jetojnë 454.000 banorë në zonat Ohër-Prespë në basenin e liqenit të Ohrit dhe dy liqenet e Prespës, 29 njësi të qeverisjes vendore, prej të cilave 23 në pjesën shqiptare dhe 6 në Maqedoni. Zona ka biodiversitet të pasur me specie të rralla e të rrezikuara në nivel global, tre parqe kombëtare, dy prej të cilëve në Maqedoni. Që prej vitit 1993 zona shqiptare e Prespës nisur prej pasurive natyrore të saj u përfshi në studime dhe në vitin 1998 u shpall Park Kombëtar, duke u futur në vëmendje të ambjentalistëve, institucioneve vendase, të huaja, donatorëve.
Kjo zonë bashkë me liqenin e Ohrit kanë biodiversitet me ekosisteme unike, që nuk kushtëzohen nga kufijtë shtetërorë ndarës, pasi parqet kombëtare të malit të Thatë dhe Galicicës shërbejnë si koridore për lëvizjen e gjitarëve të mëdhenj.
Liqenet e Prespës dhe Ohrit kanë faunë të veçantë dhe unike. Nga 23 lloje peshqish në liqenet e Prespës, 13 janë indigjene dhe 9 specie endemike. Në Liqenet e Prespës janë 270 lloje shpendësh, mes tyre, pelikani, specie e rrezikuar në nivel global, 25 lloj lakuriqë nate, ku 9 kërcënohen nga zhdukja. Vetë Parku Kombëtar i Prespës ka 1.061 lloje bimësh, nga të cilat 6 endemike, 60 lloje gjitarësh, 132 shpendë folezues, 23 reptilë, 1 lloje amfibësh, etj. Studimet numurojnë 362 lloje kërpudhash, nga të cilat 82 të reja, një mundësi e mirë për ekonomitë e banorëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button