Ekonomia

Bashkia e Tiranës hap dy tregje të reja, në lagjen “Ali Demi” dhe te “Xhamlliku”‏

Festat e fundvitit e kanë gjetur Tiranën edhe me dy tregje të reja fermerësh, për tregtimin e produkteve vendase dhe bio. Nga sot, qytetarët e Tiranës mund të zgjedhin tregun te “Ali Demi” ose te “Xhamlliku”, dy tregje me higjienë dhe standarde, ku shiten produkte të shëndetshme për konsumatorët kryeqytetas. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, inspektoi sot të dyja tregjet si dhe ftoi qytetarët që të blejnë produkte të kontrolluara e të certifikuara nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Përveçse me standarde bashkëkohore të tregtimit, në këto dy tregje ka produkte bio të prodhuara nga fermerët e njësive administrative të zonave përreth Tiranës. Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të konsumojnë këto produkte bio, sepse nga njëra anë kontrolli i këtyre tregjeve nëpërmjet Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit garanton produktet, por nga ana tjetër, duke blerë produkte vendase zhvillohet ekonomia bujqësore e fermerëve të njësive administrative të Tiranës”, u shpreh nënkryetari Seferi.

Nisma e Bashkisë së Tiranës “Duaje produktin vendas” ka për qëllim të sjellë sa më pranë konsumatorit produktet vendase të shendetëshme, si dhe nxitjen dhe promovimin e ekonomisë lokale për fermerët tiranas. Sipas nënkryetarit Seferi, tashmë fermerët e zonave të Bërzhitës, Krrabës, Petrelës dhe malësisë së Tiranës (Dajtit dhe Shëngjergjit) kanë mundësi të tregtojnë këto produkte, por njëkohësisht konsumatori ka mundësi që gjatë festave të fund-vitit të konsumojë produkte bio vendase.

Tregjet e fermerëve do të jenë të hapura për konsumatorin gjatë sezonit festiv. Kjo nismë është vetëm fillimi, pasi Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan veprimi për tregjet e fermerëve, të cilat do të funksionojnë gjatë gjithë vitit si tregje të lëvizshme në zona të caktuara të Tiranës, sipas një grafiku dhe orari të caktuar për të qenë sa më pranë komunitetit.

“Duke dashur t’u uroj qytetarëve të Tiranës, Gëzuar Festat, do t’i ftoja t’i kalojnë gëzuar ato, duke konsumuar dhe u solidarizuar me produktet bio, pa harruar edhe gjelin e detit, i cili ndodhet në tregun e shpendëve që kemi hapur këto ditë në njësinë administrative Baldushk”, u shpreh Seferi. Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi hapjen e tregut të shpendëve në Vishnje, Baldushk, ku fermerët e zonës tregtojnë gjelin e detit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button