Politika

Bashkia Tiranë, ndërhyrjet emergjente në ditët e para të punës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, menëherë pas marrjes së mandatit të tij, nisi punën për të përmirësuar jetën në kryeqytet duke u ndalur në disa ‘detyra” emergjente për t’u zgjidhur që në ditët e para të punës.

Menjëherë pas prezantimit të 24 administratorëve të rinj, Veliaj vuri theksin tek rëndësia e mosndërprerjes së shërbimeve, duke e cilësuar si detyrën e parë për Tiranën.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban, bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen e parë të bashkëpunimit, me synim hartimin e një plani të ri zhvillimor për t’ju përgjigjur territorit aktual të kryeqytetit, me 24 njësitë administrative.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga vetë kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj dhe Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, të cilët vunë në dukje rëndësinë që ka për kryeqytetin, pasja e një plani të mirëfilltë zhvillimor, duke qenë se Bashkia e Tiranës është zgjeruar në territorin e saj.

Sipas kësaj marrëveshje, brenda një viti, Tirana duhet të ketë një plan zhvillimi të mirëfilltë, program ky me të cilin pretendohet se do të zhvillohen të gjitha pjesët e Tiranës, si ato qendrore, ashtu edhe ato të periferisë. Kjo nënkpupton edhe pezullimin e të gjithë lejeve të ndërtimit, përsa kohë që mungon një plan afatgjatë për zhvillimin e qytetit, plan ky që do të vijë falë këtij bashkëpunimi.

Plani i zhvillimit nuk ka të bëjë me ndërtimin e pallateve por me parqet e reja, si dhe në krijimin e zonave me ekskluzivitet bujqësor, turistik etj. Një element që u vendos në vëmendjen e medias ishte zgjedhja e kryebashkiakut për të shkuar me autobuz në punë, në ditën e parë të punës.

Në fakt, udhëtimin ai e cilësoi, si një mënyrë të re për të kontrolluar standardet e ofruara në transportin publik për qytetarët. Me shprehjen “ beso, por kontrollo”, sipas Veliaj, kjo është mënyra më e mirë për të ndryshuar “botën eTtiranës” nga administratorët e rinj.

Por, e një rëndësie të veçantë për të përmirësuar jetën në kryeqytet, për Veliaj është edhe respekti ndaj veprave të artit. “Kush guxon të dëmtojë veprat e artit apo monumentet historike dhe të kulturës në qytet, do ndiqet penalisht”. Ka qënë kjo deklarata e tij, menjëherë pas nisjes së punës për restaurimin e Monumentit të Pavarësisë në Parkun Rinia.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lajmëroi ndalimin e degradimit dhe vandalizmin e veprave të artit dhe monumenteve historike e të kulturës në qytet. Pas inspektimit të punimeve për restaurimin e Monumentit të Pavarësisë, Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se duke filluar nga 2 gushti, do të niste aksioni kundër vandalizimit të qytetit.

Nëe betejë e hapur, është ajo, që kreu i bashkisë e quajti “lufta kundër zhulit”. Ai u kërkoi operatorëve të pastrimit që të bëjnë maksimumin, për të mbajtur pastër Tiranën, për ta shndërruar në kryeqytetin më të pastër në Ballkan. Për këtë arsye, ai ftoi të gjithë qytetarët që në datën 4 shtator, t’i bashkangjiten aksionit për të pastruar vullnetarisht Tiranën, duke dhënë kontribut secili për pastrimin e lagjes së tij.

Në përforcim të këtij prioriteti, Bashkia duke filluar nga dita e sotme, do të botojë një listë me sanksione për të gjithë ndotësit e qytetit. Për të gjithë qytetarët apo bizneset që ndotin ambientin apo që ndërtojnë pa leje, do të ketë një sistem gjobash. Ndoshta është hera e parë, që në bashkinë më të madhe të vendit, qytetarët do të mëndohen dy herë para se të hedhin një cigare, plehra apo diçka tjetër, në ambjentin përreth.

Edhe në kohën kur ishte Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, për Erion Veliaj, çelësi për një shoqëri të zhvilluar ishte arsimi. Ndaj, edhe në detyrën si kryebashkiak, një rëndësi të veçantë që në ditët e para ai u kushtoi inspektimit të punimeve në shkollën “Dhora Leka”, për t’u siguruar që tranzicioni të mos ndihej në shërbimet ndaj qytetarëve.

Kreu i Tiranës, ditët e para të punës së tij, ia kushtoi edhe “frymëmarrjes” së kryeqytetit, ku gjelbërimi dhe parqet për qytetarët do të jenë pjesa kryesore e punës së tij. Ashtu siç edhe kishte premtuar gjatë fushatës elektorale, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpalli më 10 gusht vendimin për t’iu kthyer idesë fillestare të zhvillimit të Bulevardit të ri, me gjelbërim dhe jo pallate.

Është pikërisht, Bulevardi i ri i Tiranës që do të ketë një park qendror, rreth gjashtë herë më të madh se Parku Rinia, dhe me gjelbërim anash tij, duke u rikthyer në projektin origjinal, sipas Veliaj.
Një hapësirë e re e gjelbër do t’i shtohet Tiranës me projektin për zhvillimin e parkut të dytë të Tiranës, në Vaqarr. Me një hapësirë të gjelbër ku ekzistojnë 97 ha me pisha dhe një rezervuar, ky park, sipas kreut të Bashkisë, do të jetë i dyti pas atij të Liqenit Artificial të Tiranës, për t’i dhënë qytetit një hapësirë tjetër të gjelbër. Një tjetër park që ai premtoi është parku përreth zonës së Kasharit, pas parkut të Liqenit Artificial dhe në Vaqarr që ai premtoi.

Ndër vite, një problem i madh që ka shqetësuar qytetarët në Tiranë, ka qenë zënia e trotuareve nga ana e biznesve të ndryshme, pra zënia e hapësirave publike. Edhe për kreun e Tiranës, ky problem kërkon zgjidhje të menjëhershme. Për këtë arsye, ai nxorri një urdhër për të çliruar çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të padrejtë.

Por një nga ‘detyrat” më të rëndësishme, që kreu i bashkisë së Tiranës zhvilloi që në ditët e para, që hera-herës ka qënë pjesë e debateve politike mes partive të ndryshme, është shpërndarja e banesave sociale për 242 familje. Në shpërndarjen e banesave u shtuan edhe 40 familje të tjera që sipas tij, plotësonin kriteret mes të cilave ishin edhe 6 familje rome.

Një tjetër aksion që Veliaj ka ndërmarrë, në emër të “Tirana Solidare’ është aksioni “Adopto një çerdhe”. Thirrja më e madhe, ndoshta për nga rëndësia e vullnetarizmit për vetë kryeqytetin. Veliaj u kërkoi qytetarëve që të ndihmonin në riparimin e 31 çerdheve të kryeqytetit, thirrje kjo, që mori përgjigje pozitive nga ana e qytetarëve.

Për Veliaj, një rëndësi të veçantë për zhvillimin e kryeqyetit ka edhe turizmi. Sipas tij, Shëngjergji do shndërrohet në një destinacion tërheqës turistik për të gjithë turistët e apasionuar pas natyrës, sporteve ekstreme apo produkteve vendase bujqësore. Në ndihmesë të shndërrimit të Shëngjergjit në një destinacion turistik, Veliaj ka premtuar se bashkia do të investojë në ndërtimin e një kalendari aktivitetesh, me synim promovimin e tij, si një aset i jashtëzakonshëm turistik për Tiranën. Sepse sipas Veliaj, Shëngjergji është ‘bahçja’ malore e Tiranës”.

Sakaq, Bashkia e Tiranës, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe ndërtimit të terminalit lindor të autobuzave që do të jetë në zonën e Farkës. Kjo, për Kreun e Tiranës, do të jetë një mënyrë e re për të disiplinuar trafikun në Tiranë. Terminali lindor i autobusëve që vijnë nga zona e juglindjes së Shqipërisë, Pogradeci, Korça apo veriu i Greqisë, sipas përfaqësuesve të bashkisë, do të jetë edhe një mënyrë për të shmangur skenat e shëmtuara që shkaktojnë ndotje në qytet.

Ndërkohë që një tjetër prioritet i Bashkisë është promovimi i produkteve të zonës dhe organizimi i festave lokale për ta shndërruar Zall-Herrin në një destinacion tërheqës, jo vetëm për qytetarët, por edhe për sipërmarrësit që duan të investojnë në bujqësi e blegtori.

Sakaq, ditën e sotme pritet të bëhet publike lista me penalitete për individët apo bizneset që hedhin plehra në rrugë, vandalizojnë objektet publike apo zaptojnë hapësira e ndërtojnë pa leje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button