Ekonomia

Bashkimi Europian fushatë për sfidat mjedisore të Shqipërisë

Bashkimi Europian ka nisur në Shqipëri një fushatë ndërgjegjësuese për trajtimin e sfidave mjedisore të vendit. Zyrtarët europianë thonë se Shqipëria pritet të përfitojë së shpejti projekte në vlerën e mbi 70 milionë dollarëve që synojnë mbrojtjen e natyrës.

Bashkimi Europian po ndjek me vëmendje edhe një nismë të një grupi parlamentarësh shqiptarë që kërkojnë rishikimin e Zonave të Mbrojtura i cili ka ngjallur kundërshtime të forta të organizatave mjedisore.

Në Parkun Kombëtar Divjakë -Karavasta një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë Fotion Premce që drejton këtë park u flet zyrtarëve europianë lidhur me aktivitetet në shërbim të zonës së mbrojtur.

Bashkimi Europian ka nisur në Shqipëri një fushatë të re ndërgjegjësuese për trajtimin e sfidave mjedisore të Shqipërisë. Qendra e informimit në Divjakë është ngritur me mbështetjen e financimeve europiane.

“Gjatë dhjetë viteve të fundit në fushën e mjedisit Bashkimi Europian ka investuar në Shqipëri rreth 210 milionë euro”, thotë Andrea Ferrero, përgjegjësi i seksionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social ne Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.

“Janë në pritje 70 milionë euro të tjera, thotë më tej zoti Ferrero dhe do të jenë pjesë e programeve të mjedisit që vijnë në kuadër të agjendës së gjelbër të Ballkanit Perëndimor”. Pikat kryesore të projekteve lidhen me shkarbonizimin, ekonominë qarkulluese, biodiversitetin të cilat janë vlera bazë të Bashkimit Europian. Shqipëria duhet t`i përqafojë këto vlera duke u harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Europian”, tha zoti Ferrero.

I pyetur nga Zëri i Amerikës mbi procesin e fundit të rishikimit të Zonave të Mbrojtura nga qeveria shqiptare zoti Ferrero tha se zyrtarët europianë ishin në dialog të vazhdueshëm me qeverinë për këtë cështje.

“Është shumë e rëndësishme, tha ai, që të kemi qartësi se kush i adiministron këto Zona të Mbrojura për të ruajtur biodiversitetin, sidomos të zonave të tilla që janë shtëpi e madhe zogjsh që nuk gjenden askund tjetër. Biodiversiteti është në zemër të vlerave të Bashkimit Europian”, tha zoti Ferrero.

Nisma e qeverisë shqiptare për rishikimin e Zonave të Mbrojtura synon t`u japë më shumë kompetenca bashkive në funksion të projekteve të zhvillimit dhe kjo ka ngjallur reagimin e fortë të organizatave mjedisore të cilat e shohin rishikimin si një përshkallëzim të cënimit dhe rrudhjes së këtyre zonave.

Ndërkohë, drejtori i Parkut Divjakë- Karavasta Fotion Premce e ka vlerësuar ndihmën e Bashkimit Europian për projektet në park, i cili këtë vit ka njohur rreth 600 mijë vizitorë.

“Bashkëpunimi me Bashkimin Europian ka qenë shumë i mirë në Parkun Kombëtar Divjakë- Karavasta ku është bërë e mundur Qendra e Informimit, ndërtimi i katër kullave për vëzhgimin e shpendëve dhe ndërtimi i observatorit të shpendëve në lagunë. Numri i vizitorëve për vitin 2023 në Parkun Kombëtar Divjakë -Karavasta është në rritje. Që nga Janari i këtij viti ky numër ka arritur diku në rrreth 600 mijë vizitorë që kanë frekuentuar hapësirat natyrore të parkut”.

Muajin e ardhshëm fushata e gjelbër e Bashkimit Europian pritet të paraqesë një projekt për mbrojtjen e biodiveristetit në Zonat e Mbrojtura në Shqipëri me një financim prej rreth 6milionë dollar, ndërkohë që këto zona përballen me një presion të madh zhvillimi, sidomos në hapësirën bregdetare shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button