roze

Bastet për “Oscars”

“La La Land” pritet të triumfojë natën e çmimeve “Oscars”, por gara për të kurorëzuar njeriun më të famshëm të “Hollywood”-it duket të jetë kokë më kokë, sipas kompanive të basteve që kanë parë një rritje rekord bastesh mbi ceremoninë e këtij viti të “Academy Awards”.

Casey Affleck, aktori kryesor i “Manchester by the Sea”, ka qenë pretendenti kryesor për të rrëmbyer statuetën e “aktorit më të mirë” prej disa muajsh. Por mundësitë e tij janë shtrënguar ndjeshëm pas një fluksi të jashtëzakonshëm parash të vendosura për Denzel Washington, pasi ky i fundit rrëmbeu çmimin “Screen Actors Guild” në janar për filmin “Fences”.

Kompania e basteve “Ladbrokes” favorizon Affleck, me koefiçent 1.53, krahasuar me 2.625 për një triumf të Washington, por gjithsesi gara pritet të jetë tejet e ashpër thekson kompania.

“Kjo është padyshim kategoria me rivalitetin më të madh për vitin 2017”, tha zëdhënësja e “Ladbrokes”, Nicola McGeady, e cila tha se një fluks bastesh për Washingtonin gjatë javëve të fundit i ka ndryshuar bindshëm koefiçentët.

Kompanitë e basteve, gjithsesi, kanë shumë besim se “La La Land” do të rrëmbejë statuetën e artë për “filmin më të mirë” të dielën e 26 shkurtit, një ceremoni që do të transmetohet drejtpërdrejt në Top Channel.

“Me një koefiçent 1.14, ne mendojmë se ka 87.5 për qind të mundësive që ai të fitojë çmimin e filmit më të mirë”, tha Feilim Mac An Iomaire, zëdhënës i “Paddy Power Betfair”.

Yjet e muzikalit, Emma Stone dhe Ryan Gosling po përballen me një konkurrencë të fortë nga “Hidden Figures”, përralla e matematicieneve me ngjyrë në garën hapësinore të viteve ’60. Por ky film aktualisht kuotohet me koefiçentin 13, duke qenë shumë larg pretendentit.

Bastet për ngjarje të tilla të shënuara, siç është “Academy Awards”, tregojnë se janë dyfishuar që prej vitit 2014, thotë Mac An Iomaire. “Këtë vit ne presim të përfundojmë me 30 për qind rritje krahasuar me vitin e kaluar, duke pasur rreth 250 mijë euro baste”, shtoi ai.

Bastvënësit, ndërkohë, po përpiqen të sigurojnë çdo mundësi për të hedhur parà për “La La Land”. “Ladbrokes” e kuoton filmin me koefiçentin 4, si favorit për të barazuar rekordin e më shumë fitoreve, aktualisht 11, të mbajtur nga “Titanic”, “Ben-Hur” dhe “Lord of the Rings: Return of the King”. Koefiçenti i “La La Land” për të thyer këtë rekord është 11.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button