Ekonomia

BB: Shqipëria duhet të mendojë nga do të vijë rritja pas përfundimit të TAP dhe HEC-eve mbi Devoll

Më 2016, investimet private në projektet e mëdha të infrastrukturës kanë nxitur rritjen ekonomike në Shqipëri (kryesisht në sektorin e energjisë) dhe Bosnjë-Hercegovinë (energji dhe turizëm). Për Serbinë, rol parësor kanë luajtur investimet private, të nxitura kryesisht nga Investimet e Huaja Direkte (IHD) në industrinë përpunuese dhe ndërtim. Kosova pritet të përfitojë si nga investimet publike (kryesisht në rrugë) dhe nga investimet private vendase. Rritja ekonomike e Malit të Zi është mbështetur nga një projekt i madh autostrade me financim publik. Ndërsa në Maqedoni, pasiguria e tejzgjatur politike ka dobësuar investimet. Edhe pse IHD-të kanë qenë disi fleksibël në këtë vend, investimet e brendshme kanë rënë ndjeshëm vitin e kaluar.

Banka Botërore, në një analizë të fundit mbi zhvillimet në rajon, vë në dukje se financimet e huaja në formën e investimeve direkte janë burim i madh i rritjes ekonomike në rajon, për pasojë edhe në Shqipëri. Rritja ekonomike në vendin tonë vitin e kaluar pati një varësi të lartë prej këtyre investimeve të përqendruara kryesisht në projektit e gazsjellësit TAP dhe ndërtimit të HEC–eve mbi lumin Devoll.

Gjatë dy viteve në vijim, Banka sqaron se, në Serbi, BeH dhe Maqedoni, ritmet e rritjes ekonomike pritet të përshpejtohen në periudhë afatmesme, për shkak të investimeve të diversifikuara në aktivitete prodhuese dhe në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi-vendet ku projektet e mëdha publike janë pjesë e zgjerimit ekonomik, rritja ekonomike parashikohet të ngadalësohet për shkak të efektit të stabilizimit të aktiviteteve të projekteve. Banka gjithashtu sjell në vëmendje të autoriteteve që të mendojnë për burimet e reja të rritjes së ekonomisë, pas përfundimit të projekteve të mëdha infrastrukturore.

Sipas BB, tani, më shumë se kurrë, rreziqet më të larta theksojnë urgjencën e reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e saponisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet.

Përfitimet e rritjes ekonomike me krijimin e vendeve të reja të punës duhet të konsolidohen dhe zgjerohen, në mënyrë që të thyhet zinxhiri i emigracionit, reformave të cekëta, si dhe rritjes së ngadaltë ekonomike. Për të arritur këtë, siç është diskutuar edhe më sipër në këtë publikim, pesë fusha të reformave janë veçanërisht urgjente:

-Eliminimi i faktorëve dekurajues dhe barrierave për punësimin formal, për të mundësuar ritme më të shpejta të rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin e varfërisë;

-Përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes për të mundësuar kompanitë që të krijojnë më shumë vende pune, të zgjerohen dhe të rrisin produktivitetin;

-Rritja e barazisë, cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike dhe sistemeve të mbrojtjes sociale, duke reduktuar në të njëjtën kohë rolin e qeverisë;

-Thellimi i integrimit global në mënyrë që ekonomitë të përfitojnë më shumë nga rritja e eksporteve;

-Garantimi i përdorimit të qëndrueshëm të energjisë dhe burimeve natyrore dhe administrimi dhe mbrojtja e mjedisit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button