Ekonomia

BB: Shqipërisë i duhet të ndryshojë modelin ekonomik

Varfëria dhe mundësia e daljes prej saj, kanë qenë sërish pjesë e fokusit të Bankës Botërore (BB). Për këtë specialistët e Bankës Botërore mendojnë që duhet një strategji ekonomike për rezultate të qëndrueshme në uljen e varfërisë dhe arritjen e një mirëqenie të përbashkët në Shqipëri, e cila të gjenerojë përfitime ekonomike dhe punësim.

“Shqipëria ka nevojë të rigjenerojë dhe ribalancojë rritjen ekonomike, për të kaluar nga modeli i vjetër i rritjes së udhëhequr nga konsumi, drejt atij të prirë nga investimet dhe eksportet. Reformat në këtë drejtim kanë filluar të japin përfitimet e para”, u shpreh Ellen Goldstein, Drejtoreshë Rajonale për Europën Juglindore. Pas goditjes nga kriza globale financiare e 2008, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.5 përqind për vitet 2016-17. Reformat kryesore në fushat e energjisë, pensioneve dhe shlyerja e detyrimeve publike të prapambetura kanë dhënë rezultatet e para.

Deficiti fiskal po ngushtohet dhe borxhi publik ka marrë rrugën e stabilizimit. Ulja e humbjeve dhe përmirësimet në mbledhjen e pagesave të energjisë, si dhe reforma e pensioneve po përmirësojnë stabilitetin fiskal dhe atë social të Shqipërisë. Këto janë disa nga vlerësim që jep Banka Botërore. “Krahas përpjekjeve për rritje të qëndrueshme, reformat duhet gjithashtu të marrin parasysh gjithëpërfshirjen dhe ndikimin që ato mund të kenë në uljen e varfërisë”, u shpreh Ana Revenga, Drejtoreshë e Përgjithshme për Varfërinë dhe Barazinë.

Kjo kërkon përmirësimin e cilësisë dhe përfshirjes në tregun e punës me qëllim eliminimin e barrierave për tregun formal të punës, si dhe shërbime publike më eficiente. Vijimi i zbatimit të politikave të shëndosha fiskale, që mbajnë parasysh ndikimin mbi varfërinë dhe pabarazinë, do të siguronte përfitime afatgjata në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë.

Në të ardhmen, Shqipëria duhet vijojë zbatimin e reformave që synojnë rimëkëmbjen e stabilitetit makro-fiskal, për të siguruar përfitime për të gjithë nga rritja ekonomike, për të nxitur përfshirjen dhe rritjen e sektorit privat.

Shfrytëzimi i potencialeve të sektorit privat dhe kontributi i tij në krijimin e vendeve të punës dhe rritjes ekonomike, ka nevojë për një mjedis institucional dhe biznesi sa më të mirë, transparencë dhe mirëqeverisje. Banka Botërorë mbështet 9 projekte në Shqipëri me një shumë totale prej 544 milionë dollarësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button