BDI: Janë rritur çmimet e transportit ndërurban, goditen drejtpërdrejt studentët dhe qytetarët
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të transportit ndërurban, duke vlerësuar se kjo masë rëndon veçanërisht mbi studentët dhe qytetarët që udhëtojnë çdo ditë.
Partia kërkon nga institucionet kompetente sqarim publik për arsyet e rritjes së çmimeve dhe masa për lehtësimin e barrës financiare për qytetarët, veçanërisht për studentët dhe të punësuarit që varen nga transporti ndërurban.
“Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ndaj rritjes së çmimeve të transportit ndërurban, e cila rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët, veçanërisht mbi studentët dhe punonjësit që çdo ditë udhëtojnë nga një qytet në tjetrin. Nga Tetova drejt Shkupit, bileta që deri më tani kushtonte 200 denarë është rritur në 250 denarë, që paraqet një rritje prej 25% për një udhëtim. Për një student apo punonjës që udhëton çdo ditë, kjo nënkupton një barrë të konsiderueshme shtesë mujore. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të paraqitura, shpenzimet mujore për transport janë rritur nga rreth 5.500 në 6.500 denarë, duke shtuar edhe më shumë presionin mbi buxhetet familjare. Kjo është politika e “kujdesit për qytetarin” që po e ofron pushteti? Në vend që të krijohen politika për transport publik më të përballueshëm dhe për mbështetjen e studentëve e të punësuarve që udhëtojnë çdo ditë, qytetarët përballen me çmime gjithnjë e më të larta. BDI kërkon nga institucionet kompetente të japin sqarim publik për arsyet e kësaj rritjeje dhe të ndërmarrin masa për mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të studentëve dhe kategorive që varen nga transporti ndërurban. Qytetarët nuk mund të jenë ata që paguajnë faturën e çdo dështimi të pushtetit”, thonë nga BDI.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.