BE, 6.3 milionë euro në mbështetje të reformës së sektorit të ujit në Shqipëri
Bashkimi Europian do të investojë 6.3 milionë euro në mbështetje të reformës së sektorit të ujit në Shqipëri.
Prioritetet kryesore të reformës së sektorit të ujit në Shqipëri janë ruajtja e cilësisë së ujit, përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe trajtimi i ujërave të zeza.
Në mbështetje të kësaj reforme si dhe progresit të Shqipërisë drejt përafrimit dhe implementimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian, nisi sot zbatimin programi i rëndësishëm për ndërtimin e kapaciteteve “Mbështetja e Bashkimit Evropian në Reformën e Sektorit të Ujit në Shqipëri”.
Programi është pjesë e strategjisë kombëtare IPA 2016 për Shqipërinë dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, me një total prej rreth 6.3 milion euro.
Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) do të zbatojë komponentin e parë të programit, i cili fokusohet në menaxhimin e integruar të ujrave. Partneri kryesor kombëtar është Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU).
Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH do të zbatojë komponentin e dytë mbi trajtimin e ujrave të zeza.
Partneri kryesor kombëtar është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe agjencisë së saj zbatuese AKUM.
“Të bashkojmë forcat për të ndihmuar vendin që të çojë përpara reformën në sektorin e ujit. Përforcimi i manaxhimit të ujit dhe përdorimit të tij është afatgjatë. Ne kemi punuar për forcimin institucional dhe zbatimin e legjislacionit. Si në shumë reformat ë tjera, nëse punojmë vetëm në nivelin e Tiranës, do të dështojmë, duhet të zgjerohemi në çdo bashki. Ne jemi këtu të angazhuar për të bërë ndryshime në sektorin e ujit, por përgjegjësia kryesore u takon institucioneve shtetërore, sidomos atyre të sapo krijuara. Shikojeni me përparësi, ndryshe përpjekja do shkojë dëm. Duke iu afruar standardeve dhe rregullave të BE do t’ju ndihmojmë që sektori të jetë më efikas dhe i qëndrueshëm. Është shumë e rëndësishme, ne nuk kemi të drejtë të dështojmë dhe nuk do të dështojmë”, deklaroi Mario Mariani, Përfaqësues i BE në Shqipëri.
“Me fondet e Gjermanisë, infrastruktura e ujit është përmirësuar në 40 qytetet dhe 70 fshatra, duke përmirësuar jetën e 1 milionë banorëve. BE ka vendosur të bashkojë forcat me palën gjermane që ta ndihmojë këtë ndërhyrje në këtë sektor. Qeveria shqiptare e drejton këtë përpjekje, ne japim thjeshtë ndihmesën tone”, u shpreh ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schutz.
“Duhet bashkëpunim midis qeverisë qendrore dhe asaj vendore që ky projekt të ketë sukses. Menaxhimi i burimeve ujore është shumë i rëndësishëm për vendin dhe duhet të ketë vëmendje maksimale”, Martin Ledolter, Drejtor i Agjencisë Austriake të Zhvillimit.