Bota

BE, Kanada nënshkruajnë marrëveshjen e tregtisë së lirë

Bashkimi Evropian dhe Kanadaja nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme të tregësisë së lirë sot në Bruksel që synon të nxisë rritjen ekonomike dhe vendet e punës.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau nënshkroi marrëveshjen CETA së bashku me krerët e institucioneve të BE-së, (presidentin e BE-së Donald Tusk, kreun e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dhe kryeministrin sllovak Robert Fico, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së).

Ceremonia e nënshkrimit ishte shtyrë nga e enjtja pasi rajoni frëngjisht-folës Wallonia në Belgjikë, me gati 3.6 milionë banorë, i vuri fillimisht veton marrëveshjes që do të ndikojë më shumë se 500 milionë evropianë dhe 35 milionë kanadezë.

Fillimi i takimit të nivelit të lartë të së djelës u shty gjithashtu kur avioni i zotit Trudeau u detyrua të kthehej në Kanada përkohësisht për shkak të problemeve mekanike.

Marrëveshja CETA do të heqë 99 përqind të taksave doganore mes Kanadasë dhe 28 vendeve të bllokut, duke lidhur tregun e BE-së me ekonominë e 10-të më të madhe në botë.

CETA pritet të nxisë tregëtinë mes BE-së dhe Kanadasë me 13.2 miliardë dollarë në vit, duke krijuar rritje ekonomike dhe shtimin e vendeve të punës në të dyja anët e Atlantikut.

BE-ja këmbëngul se marrëveshja nuk do të ndalë qeveritë të marrin masa për të mbrojtur standartet ambjentaliste dhe sociale nëse besojnë se veprimet janë të nevojshme, megjithë shqetësimet në Wallonia dhe gjetkë se kompanitë e mëdha do të kenë dorë të lirë.

Marrëveshja mes BE-së dhe Kanadasë ka nxitur protesta të gjera nga aktivistët kundër globalizmit që thonë se ajo do të minojë industritë vendase dhe standartet për kujdesin shëndetësor dhe çështje të tjera.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button