BE, presion Serbisë e Kosovës të zbatojnë marrëveshjen për Asociacionin
Bashkimi Evropian është njoftuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës rreth formimit të Asociacionit të komunave serbe, që duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës. Në BE kanë bërë të ditur se “presin që të gjitha palët të respektojnë atë vendim”.
Këtë qëndrim të BE-së e ka konfirmuar zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, Maja Kocijançiq, gjatë një interviste dhënë agjencisë Beta, në të cilën ka deklaruar se “sa më shpejt të jetë e mundur duhet të miratohet një akt legjislativ i Qeverisë së Kosovës, me të cilin do të zbatohet marrëveshja dhe statuti i Asociacionit të komunave serbe, transmeton lajmi.net.
Kocijançiq, gjithashtu ka deklaruar se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të dialogut, pritet të “fillojë në fillim të vitit 2016”.
Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, ka theksuar se “dy palët do të diskutojnë për çështjet e zbatimit në kuadër të dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve, ku dhe janë dakorduar të ecin përpara në zgjidhjen e gjitha çështjeve”.
Kocijançiq ka specifikuar se BE-ja dhe shërbimi i jashtëm evropian, i kryesuar nga Federica Mogherini, “janë njoftuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me parimet dhe vlerësimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe të formohet, siç parashikohet në marrëveshje në përputhje me Kushtetutën (e Kosovës)”.
“Presim nga të gjitha palët të respektojnë vendimin, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të miratohet një akt ligjor për zbatimin e kësaj marrëveshje”, ka komentuar Kocijançiq qëndrimin e BE-së.