Politika

BE: Shqipëria, përparim të qëndrueshëm

Bashkimi Europian vlerëson “përparimin e qëndrueshëm të bërë nga Shqipëria në trajtimin e pesë përparësive kyçe për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”, ndërsa e vë theksin tek reforma në drejtësi çmon “angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe përputhshmërinë e saj me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.

Zëri i Amerikës publikon dokumentin lidhur me përfundimet që pritet të miratohen sot nga Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare. Edhe një herë, BE “nënvizon se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat që lidhen me Bashkimin Europian do të jetë jetik për përparimin e mëtejshëm drejt BE-së”.

Lidhur me pesë përparësitë kyçe, Këshilli vlerëson “në veçanti, reformën në administratën publike dhe përgatitjen e një reforme të plotë të sistemit gjyqësor”, duke inkurajuar Shqipërinë “të vazhdojë përpjekjet e saj”.
Në raportin e Progresit të paraqitur muajin e kaluar nga Komisioni Europian, përcaktoheshin qartë detyrat e mbetura për plotësimin e të gjitha prioriteteve të identifikuara si kusht për hapjen e bisedimeve. Megjithatë, ky hap do të kërkojë kohën e vet, pasi më parë, Komisioni do të duhet që fillimisht t’i rekomandojë vendeve anëtare hapjen e bisedimeve. Këshilli duket se e lë hapur mundësinë, siç ka ndodhur dhe në të kaluarën, që nëse këto përparësi përmbushen, t’i drejtohet menjëherë vendeve anëtare.

“Komisioni ftohet të raportojë, përveç Raportit të Progresit për vitin 2016, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të detajuar, mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e 5 përparësive kyçe”, theksohet në përfundimet e Këshillit, ku nënvizohet gjithashtu se “duhet të garantohet dhe zbatimi i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës i 5 përparësive”.

“Këshilli vëren se do të nevojiten përpjekje të mëtejshme për këto 5 përparësi, shkruhet mes përfundimeve, në veçanti, miratimi i paketës së reformës gjyqësore, si dhe përparimi i mëtejshëm në krijimin e një bazë solide provash për hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në të gjitha nivelet, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë trafikun e armëve dhe të drogës”.

Duke u ndalur veçanërisht tek reforma në drejtësi, Këshilli nënvizon se ajo “është kyçe për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit dhe se kjo reformë, mund të jetë transformuese edhe për reformat e tjera”.

Lidhur me procesin e dekriminalizimit, për të cilin palët në Shqipëri kanë ranë dakort, “Këshilli pret miratimin dhe zbatimin e legjislacionit për përjashtimin e personave me aktivitet kriminal nga funksionet publike, gjë e cila do të forcojë besimin e qytetarëve ndaj përfaqësuesve të tyre politik dhe institucioneve publike”.

Në përfundimet mbi Shqipërinë përmendet dhe nevoja për “një legjislacion efikas dhe masa për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat antidiskriminuese”, ndërsa lidhur me ekonominë theksohet se “Shqipëria duhet të vazhdojë reformat e saj ekonomike që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë dhe inkurajon Shqipërinë të vazhdojë të trajtojë informalitetin e lartë në ekonomi e të përmirësojë klimën e biznesit dhe të investimeve, ku nevojiten përpjekje të mëtejshme”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button