Kronika

BE: Shqipëria progres me reformën në drejtësi, rënie e kërkesave për azil

Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në fushën e shtetit ligjor, veçanërisht në fushën e reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut, i cili ka hedhur themelet për të konsoliduar një gjyqësor vërtet të pavarur, të paanshëm, profesional dhe të përgjegjshëm.

Kjo u theksua në takimin e Nënkomitetit të 11-të mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë mes BE-së dhe Shqipërisë në Bruksel.

Përfaqësuesit nga Komisioni Europian dhe autoritetet shqiptare diskutuan zhvillimet më të fundit në fushën e shtetit ligjor dhe të drejtave themelore.

Takimi u bashkë kryesua nga Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian dhe Sokol Dedja, Zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme.

Takimi ofroi një mundësi për të vlerësuar progresin e arritur nga Shqipëria vitin e kaluar, veçanërisht në lidhje me zbatimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, pastrimin e parave, krimin e organizuar, duke përfshirë trafikimin e drogës, bashkëpunimin policor, azilin dhe migrimin, menaxhimin e kufijve dhe politikën e vizave, kundër-terrorizmin dhe të drejtat themelore.

Komisioni përgëzoi autoritetet shqiptare për angazhimin e tyre dhe për progresin e qëndrueshëm të arritur në fushën e shtetit ligjor, veçanërisht në fushën e reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut, i cili ka hedhur themelet për të konsoliduar një gjyqësor vërtet të pavarur, të paanshëm, profesional dhe të përgjegjshëm.

Komisioni theksoi rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të tij, duke nënvizuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Komisioni njohu rezultatet e prekshme të arritura në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe theksoi rëndësinë e finalizimit të themelimit të Prokurorisë së Specializuar kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Garantimi se operacionet e suksesshme të kohëve të fundit të policisë do të pasohen si duhet me hetime, aktakuza dhe dënime përfundimtare është kyç. Të drejtat themelore kërkojnë përpjekje të mëtejshme për zbatimin efektiv të legjislacionit përkatës, duke përfshirë miratimin e legjislacionit të nevojshëm dytësor, gjithashtu në fushën e mbrojtjes së pakicave. Theks i veçantë u vu te nevoja për një reformë gjithëpërfshirëse të të drejtave pronësore.

Komisioni dhe Shqipëria vunë në dukje rënien e kërkesave për azil të parashtruara nga shtetasit shqiptarë në shtetet anëtare të BE-së dhe vendet që zbatojnë Schengenin në vitin 2018 krahasuar me 2017. Në takim u ra dakord mbi rëndësinë që të vazhdojnë përpjekjet konkrete për të adresuar fenomenin e aplikimeve të pabazuara për azil, si dhe për të adresuar me shpejtësi rekomandimet e raportit Monyeval mbi luftën kundër pastrimit të parave/financimit të kundër-terrorizmit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button