Kosova

BE tregon për fazat e formimit të Gjykatës Speciale

Procesi i themelimit të Gjykatës Speciale dhe departamenteve të saj, është ende në proces e sipër. Deri më tani, Bashkimi Evropian (BE), si pala kryesore që merret me themelimin e kësaj gjykate, ende nuk ka vendosur qartë se si dhe ku do të jenë të vendosura dhomat speciale dhe prokuroria e kësaj gjykate.

Në një prononcim për lajmi.net zyrtarë të zyrës së BE-së në Kosovë, kanë thënë se aktualisht janë duke u finalizuar marrëveshjet me shtetin nikoqir, ku edhe do të jetë e vendosur kjo gjykatë.

Ndërkohë, përfaqësues të shteteve kryesore të BE-së, kanë zbuluar tashmë se Holanda është vendi nikoqir i kësaj gjykate, përkatësisht qyteti i Hagës.

Sipas zyrtarëve të BE-së në Prishtinë, pas zgjedhjes përfundimtare të lokacionit, do të vazhdohet edhe me rekrutimin e stafit (gjyqtarëve) në Dhomat e Specializuara si dhe të Prokurorisë së Specializuar.

“Në këtë fazë, hapat e ardhshëm përfshijnë finalizimin e Marrëveshjeve me shtetin mikpritës, dhe negociatat për lokacionin dhe objektet. Kjo fazë do të vazhdojë me zgjedhjen e gjyqtarëve dhe rekrutimin e stafit të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar. Në këtë pikë nuk është marrë asnjë vendim, pasi bisedimet janë në vazhdim e sipër, për këtë arsye nuk preferohet të hyhet në detaje. Procesi i planifikimi në lidhje me stafin dhe gjyqtarët e përfshirë, është në vazhdim e sipër. Sa më shpejt që krijohen kushtet e duhura, procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve do të fillojë”, thuhet në prononcimin e zyrës së BE-së në Prishtinë, raporton lajmi.net.

Edhe pse dihet tashmë se BE është donatori kryesor i kësaj gjykate, përfaqësues të këtij institucioni në Prishtinë, kanë bërë të ditur se detajet se si do të financohet ky projekt ende nuk janë saktësuar dhe, se për këtë presin bisedime të tjera.

“Detajet financiare të projektit gjithashtu varen nga finalizimi i bisedimeve të ndryshme që janë në vazhdim e sipër, në lidhje me praktikat rreth Dhomave së Specializuar siç janë objektet. Mbetet më tej prerogative që shtetet anëtare të BE-së, përfundimisht të vendosin për buxhetin e përgjithshëm. Prandaj nuk është e mundur të ndërmerret ndonjë vendim. Ligji përmban disa dispozita mbi shpenzimet, por kjo do të varet. Në përgjithësi, duhet respektuar standardet e së drejtës ndërkombëtare në këtë drejtim. Kjo çështje është në detaje e mbuluar me Ligjin e Dhomës së Specializuar dhe të Dhomës Speciale të Prokurorisë, neni 23. Qëllimi i kësaj është të sigurohemi se standardet më të larta të së drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen e dëshmitarëve do të mbështeten”, bëjnë të ditur zyrtarë të BE-së në Prishtinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button