Politika

Begaj: Pritje tradicionale me përfaqësuesit e trupit diplomatik:   Shqipëria, faktor paqeje në rajon

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj organizoi mbreme ceremoninë e pritjes tradicionale me përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Begaj shprehu shqetësim për situatën në Evropë dhe rrezikun që shfaqet në Ballkan për shkak të luftës në Ukrainë nga agresioni rus. Ai theksoi se, Shqipëria mbështet Ukrainën si pjesë e e aleancës euroatlantike.

“Pikësëpari dua të ndaj me ju shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet Evropa dhe rrezikun që shfaq kokën herë këtu e herë atje në Ballkan. E kam fjalën për agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, i cili vijon përpos bashkërendimit dhe vendosmërisë euroatlantike në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, qeverisë së saj dhe popullit ukrainas. Shqipëria mbetet vendosmërisht në krah të ukrainasve, e aktivisht pjesë e bashkëpunëtore e aleancës euroatlantike. Shpresa jonë është që konflikti të marrë fund dhe agresori të zërë mend, duke kuptuar se kemi mjaft sfida për të përballuar globalisht, dhe luftërat e hapura të integritetit të vendeve e popujve nuk duhet të jenë pjesë e këtyre sfidave. E them këtë me plotgojë si Presidenti i një vendi që nuk është gjendur asnjëherë në rolin e agresorit, por i është dashur të vetëmbrohet vendosmërisht.

Begaj theksoi se, “rasti më  i freskët është sulmi kibernetik ndaj shtetit shqiptar, sulm i strukturuar në skuta totalitare dhe i lëshuar dëshpërimisht ndaj një vendi të lirë e demokratik. Ndoshta agresorët e fshehur pas pushteteve anti-demokratike mendojnë se vendi ynë i vogël gjeografikisht mundet shpejt e thjeshtë. Por mesa duket, nuk njohin as historinë, dhe as Shqipërinë”.

Ai falënderoi “aleatët e partnerët tanë në NATO, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e bashkëpunimin që Shqipëria t’i bëjë ballë sulmeve të natyrave të ndryshme e tentativave për të destabilizuar apo dëmtuar vendin tonë”.

Ne, theksoi Begaj, “mbetemi të gatshëm të bashkëpunojmë në nivel rajonal, po aq sa në atë euroatlantik për t’u bërë ballë sulmeve, provokimeve, e për të forcuar paqen e mirëqenien e popujve. Shqiptarët kanë ditur të jenë në krahun e popujve të tjerë në emër të lirisë, barazisë e mirëqenies. Duke forcuar drejtësinë, demokracinë dhe aleancat tona, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj, vlerësoi bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani ka bërë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal, të shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian. Dua të rishpreh gëzimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe pse me vonesë. Besoj se organizimi i samitit të Ballkanit Perëndimor është shembull mirënjohjeje e vlerësimi, e unë uroj që mirënjohja e vlerësimi të kthehen në vlera themelore të një Bashkimi Evropian që zgjerohet në Ballkan. Padyshim, këto janë vlera që do të duhet të arrijmë t’i përçojmë edhe përtej Evropës, drejt një bote ku përveç vendeve të mëdha e të vogla, ka tashmë edhe gjeste të mëdha e të vogla. Interneti dhe rrjetet sociale na kanë lidhur si asnjëherë me njerëzit dhe gjestet e tyre arrijnë të tejkalojnë përmasën e fuqinë e gjesteve shtetërore e zyrtare”. Si President i Shqipërisë, dua të flas në emër të qytetarëve të vendit tim, e shpreh bindjen kombëtare në paqe, dialog, demokraci, shtetin e së drejtës e vlerat ballkanike e evropiane. Në këtë kuptim, shqiptarët do të mbeten faktor paqeje në Ballkan dhe promovues të imazhit të një Ballkani pasional, por jo konfliktual”, tha ai.

Gjithashtu Presidenti duke folur për tensionet në Veri të Kosovës e konsideroi vendosjen e barrikadave me një logjikë të ngjashme me skenarin e Ukrainës.

“E ndërsa flasim për konflikt, nuk kam ndërmend të kaloj heshturazi mbi rrezikun që i kanosej Ballkanit deri para pak ditësh, prej provokimeve me barrikada në veri të Kosovës. Nuk mund të them nëse provokimi me barrikada të vendosura nga elementë me të shkuar kriminale dhe tentativa për ndërhyrje aktive në territorin e  Kosovës nga ana e Serbisë, ka të bëjë me një logjikë agresioni të ngjashëm me skenarin në Ukrainë. Por një gjë është e qartë, çdo acarim në Ballkan i shërben shpërndarjes së vëmendjes dhe të forcës euroatlantike. Pra, i shërben agresorit. Në këto kushte, Shqipëria do të jetë e ndjeshme, por e matur, në mbështetje të dialogut, por shumë e kujdesshme ndaj integritetit të shtetit kosovar. Ne mbështesim fort dialogun Serbi-Kosovë, por nuk kemi harruar kush është agresori dhe kë ka agresuar. Nuk harrojmë as vuajtjet e sakrificat e popullit kosovar. Është më e vështirë për qeverinë e popullit të sulmuar, që as ka dëgjuar ndonjëherë ndjesë nga pala tjetër, të ulet në tryezë dialogu.  Është e udhës për qeverinë që ka përgjegjësinë historike të kërkojë ndjesën e agresionit dhe të jetë e para në tryezën e dialogut. Gjithsesi, ky është veçse një sugjerim, ndoshta më shumë një urim dashamirës prej vullnetit për të zgjidhur një nga tensionet me potencial  konflikti në rajonin tonë dhe dëshirës për kontribut të përbashkët për  paqen, demokracinë, e mirëqenien e  rajonit. Gjej rastin të kujtoj këtu se shqiptarët, kosovarët, kanë qenë objekt spastrimi etnik në histori. Me shumë maturi, ne jo vetëm mbrojmë të drejtat tona, por edhe dinjitetin rajonal e evropian”, tha ai.

Në fund, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e ambasadorëve për kontributin që kanë dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes vendeve.

“Dua t’ju shpreh mirënjohjen time për kontributin tuaj në forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore e të turizmit në vendin tonë. Një falënderim të përzemërt për përkushtimin ndaj thellimit të marrëdhënieve midis popujve tanë. Nga ana tjetër, ju lutem ruani bindjen se Shqipëria do të bashkëpunojë në të gjithë aspektet që i shërbejnë sigurisë, po aq sa edhe  mirëqenies demokratike, sociale e ekologjike të popujve tanë. Dua t’i kushtoj një moment të veçantë urimi ambasadorit të Republikës së Bosnje-Hercegovinës dhe ambasadorit të Republikës së Kosovës. Bosnje-Hercegovinës për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian dhe Kosovës për votën në favor të liberalizimit të vizave. Shpresoj që rruga e hapur për lëvizjen pa viza të qytetarëve kosovarë, të bëhet realitet në datën e përcaktuar nga vendimi dhe pa vonesa, kushte a objeksione”, përfundoi Begaj.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button