Bimët mjekësore, Panariti: Promovohet investimi i parë amerikan
Bashkëpunimi qeveri – biznes -donatorë ka bërë të mundur sot për herë të parë, konkretizmin e një sipërmarrje të re amerikane në industrinë e bimëve mjekësore në Shqipëri.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, mori pjesë të mërkurën në përurimin e një fabrike të re të përpunimit të bimëve mjekësore në Maminas (25 km larg Tiranës).
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Drejtori i Agjencisë së Shteteve të Bashkura për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Macus Johnson.
Ministri Panariti duke marrë fjalën në këtë aktivitet tha se, ky investim sjell një linjë moderne, një model të shkëlqyeshëm të partneritetit fermerë- agropërpunues, për prodhimin dhe ruajtjen e produkteve natyrore mbi baza shkencore.
Kam kënaqësi, u shpreh ministri Panariti, të shikoj një investitor amerikan në industrinë e bimëve mjekësore. Ai vuri në dukje se, “partneri ynë kryesor për eksportin e bimëve mjekësore mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Bimët mjekësore janë endemike, autoktone dhe unikale në tregun ndërkombëtarë, ndaj sot, tha ministri Panariti, do të firmoset kontrata 5-vjeçare midis prodhuesve dhe këtij biznesi agropërpunues për zhvillimin e këtij sektori.
Bimët Mjekësore- Biznesi lider i eksporteve bujqësore
Shqipëria është lider në prodhimin dhe eksportimin e bimëve mjekësore dhe aromatike, që zënë rreth 500 hektarë sipërfaqe në të gjithë vendin. Vendi ynë është i pasur me këto resurse natyrore dhe është aktor kryesor në tregjet ndërkombëtare në këtë lloj sektori që përbën një biznes të veçantë. Më shumë mbi thesaret natyrore të Shqipërisë, bimë të egra mjekësore dhe aromatike që gjenden në sasi të mëdha në fusha dhe male, krijojnë mundësi punësimi për rreth 100, 000 familje që jetojnë në zonat rurale të vendit. E nëse natyra i ka falur Shqipërisë bimët e egra, kultivimi i bimëve mjekësore në vendin tonë ka nisur rreth 4 vjet më parë.
Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 18 milionë euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor. Gjatë vitit 2013, Shqipëria eksportoi përafërsisht 11,221 tonë bimë mjekësore me vlerë 23,761,115 euro. Eksporti i bimëve mjekësore për 2013 përbënte 19% të eksporteve totale të vendit. Tregues ky që ka shënuar rritje progresive nga viti në vit e deri më sot.
Malësia e Madhe është rrethi kryesor në Shqipëri për prodhimin dhe eksportin e bimëve aromatike dhe mjekësore, të cilat tregtohen kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.