Ndërtimi i autostradës që lidh Prishtinën dhe Shkupin në anën e Kosovës ka përfunduar deri në afërsi të fshatit Doganaj dhe kanë mbetur rreth 25 kilometra, ku dhe janë vendosur themelet, për të përfunduar ndërtimi i plotë i saj deri në kufirin me Maqedoninë. Ndërsa në anën maqedonase ende nuk kanë filluar punimet për ndërtimin e kësaj autostrade që do të lidh kryeqytetet e dy vendeve fqinje.
Në konferencën e përbashkët për media, Rukiçi tha se Maqedonia është ndër fqinjët me të cilët vendi i tij nuk ka pothuajse asnjë problem të natyrës ekonomike, por se duhet shumë më shumë të punohet në fuqizimin e infrastrukturës dhe investimeve të dyanshme.
Ai theksoi se arsyeja pse takimi është zhvilluar në pjesën e përfunduar të autostradës është për të dërguar mesazh deri tek qeveritë përkatëse, por edhe tek vendet e rajonit, se duhet sa më shumë të investohet në infrastrukturë.
“Qeveria e Kosovës ka kryer një punë të mirë sa i përket infrastrukturës. Po e shohim se shumë shpejtë po progreson autostrada drejt Shkupit dhe besoj se deri në fund të vitit do të përfundojë pjesa jonë. Kjo hap mundësi dhe horizonte të bashkëpunimit midis dy vendeve. Por, për të qenë pjesë e korridoreve të rëndësishme duhet që në të dy anët të kryhet. Prandaj, është një kërkesë ndaj Qeverisë së Maqedonisë sa më shpejtë ta kryejë pjesën e vet”, deklaroi Rukiçi.
Ai më tej theksoi se politikat aktuale kanë penguar bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe referendumi për çështjen e emrit në Maqedoni, duke porositur se kërkesa e biznesmenëve për qeveritë përkatëse është se “nëse nuk mundin të ndihmojnë biznesin, të mos i bëhen pengesë asaj”.
Azeski: Nuk është logjike bashkëpunimi shumë më i dobët në rajon se sa me vendet larg nesh
Ndërkaq, Azeski uroi Kosovën për punimet e autostradës dhe shprehu bindje se pesë vitet e ardhshme në këto dy vende do të vërehen ndryshime pozitive drastike.
“Për momentin shkëmbimi tregtar është afër 300 milion euro dhe me të gjitha ato çka kemi ndërmarrë presim që në afat prej pesë vitesh ky shkëmbim të dyfishohet. Gjatë vitit të kaluar kishim 2.7 milion kalime të kufirit dhe kjo shifër për pesë vite duhet të dyfishohet. Por, unë shpresoj në një realitet që në pesë vitet e ardhshme ne të bëhemi anëtare të Bashkimin Evropian dhe të mos kemi kufij”, deklaroi Azeski.
Ai më tej theksoi më në fund pas 30 viteve kanë kuptuar se bashkëpunimi rajonal është bazamenti i përparimit tonë.
“Për 30 vjet kemi shkuar në drejtim të gabuar, duke u munduar të ringjallim krijesa të vjetësuar, ndërsa ne biznesmenët nuk kemi kohë të meremi me gjëra të tilla. Bashkimi Evropian është krijuar në bazë të rajoneve, zhvillohet në bazë të rajoneve dhe do të përparojë në bazë të rajoneve. Nuk është logjike që të kemi bashkëpunim shumë më të dobët në rajon se sa që kemi me vendet me mijëra kilometra që janë larg nesh”, u shpreh Azeski.
Krerët e odave ekonomike të të dy vendeve, së bashku me përfaqësues të komunitetit të biznesit të të dy vendeve, u takuan në këtë pjesë të përfunduar të autostradës për të diskutuar mundësitë e thellimin të bashkëpunimit në pjesën e infrastrukturës dhe nxitjen e investimeve midis dy vendeve, si dhe në veçanti për të porositur qeveritë për të zhvilluar fushën e infrastrukturës, që do të lehtësonte lëvizjen e qytetarëve dhe zhvillimin e biznesit.