Bizneset e së ardhmes
Të mbërthyer prej vitesh në modelin e vjetër ekonomik, të orientuar nga tregtia dhe shërbimet tradicionale, sipërmarrjet shqiptare po tentojnë të diversifikohen dhe të investojnë në sektorë të rinj.
Nga teknologjia e informacionit, shërbimet e profesionalizuara, segmentet e veçanta me vlerë të shtuar të lartë, industria mbështetëse e makinave, bizneset që do shfrytëzojnë gazin e TAP, cilat janë alternativat e së ardhmes…
Nga Ornela Liperi
Blerina Hoxha
Pak kilometra larg qendrës së Tiranës, në afërsi të qendrës tregtare TEG, po ngrihet resorti luksoz “Tirana Cielo”, që do të shërbejë si azil për moshat e vjetra. Investimi i porositur nga Hong Kongu nëpërmjet kompanisë “Urban Garden”, po ndërtohet nga “Gjoka Contruksion”. Kompleksi është konceptuar me 8 objekte shumëkatëshe në një sipërfaqe ndërtimi mbi 52 mijë metër katrorë dhe me hapësira që do të shërbejnë dhe akomodojnë moshat e vjetra. 160 apartamentet e para do të jenë gati që këtë vit.
Shërbimet për të moshuarit duket se do të jetë një nga trendet e zhvillimit të ardhshëm të ekonomisë. Plakja e popullsisë botërore dhe asaj vendase me ritme të shpejta ka rritur nevojat për të ofruar shërbime për moshat e vjetra kundrejt kostove më të lira. Vendet skandinave, por edhe ato nga Europa Qendrore po i shohin vendet e Europës Lindore dhe ato mesdhetare si një mundësi e mirë për shkak të kostove ende konkurruese dhe klimës së mirë që ofrojnë. Shërbimet për moshat e vjetra shihet të jenë po aq me leverdi për ekonominë dhe bizneset sa edhe bizneset e turizmit, madje edhe më shumë.
“Tirana Cielo” duket se e ka kapur trendin shumë në kohë, duke synuar që të ofrojë resortin për të moshuarit. Azili modern është konceptuar me standardet e luksit dhe ky lloj investimi do të rriste vlerën që mbetet në ekonominë shqiptare duke punësuar stafe që do të vihen në dispozicion të azilit. Kompleksi do të ketë pishinë dhe restorante në katet e para të objekteve dhe gjithashtu është i vendosur në një zonë të gjelbëruar dhe shumë afër kryeqytetit. Burime afër kompanisë që ka porositur projektin bëjnë me dije se, Shqipëria është një vend i bukur, ofron çmime ende të lira për shtëpitë dhe kosto të ulëta jetese. Këto veçanti e bëjnë vendin mjaft atraktiv në drejtim të biznesit të azileve.
Investitorët aziatikë tashmë kanë nisur reklamimin e azilit. Ata ftojnë moshat e vjetra nga e gjithë bota që të zgjedhin Shqipërinë për pleqërim. “Në afërsi të qendrës tregtare TEG, 5 minuta nga qendra e qytetit përmes autostradës dhe 30 minuta nga aeroporti ndërkombëtar, me pishina të mëdha në natyrë dhe restorante. Si kandidat për anëtarësim në BE, potenciali për kthimin e investimeve është i pakufizuar dhe 160 apartamentet e para pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2016”, njoftohet në portalin e projektit “Tirana Cielo”. Investitorët presin që kthimi i investimit të jetë 14% që në vitin e parë.
Ndërsa kujdesi për të moshuarit është një biznes mjaft i zhvilluar në Europën Lindore, sapo ka nisur të formësohet ideja dhe në Shqipëri. Investitorë italianë, por dhe të tjerë, po e shohin me interes ndërtimin e shtëpive (azile) me fokus të moshuarit e “pasur” të Europës Perëndimore. Gjatë dy viteve të fundit është vënë re një kërkesë në rritje për apartamente me qira në Sarandë dhe Vlorë. Këto vijnë nga njerëz të moshuar në Europën Qendrore e Veriore, të cilët duan të kalojnë pushimet në vende të ngrohta dhe me kosto jetese të ulët dhe të paguajnë më pak taksa për pensionet.
Hotelet dhe resortet turistike gjithashtu mund të përshtatin oferta turistike për të moshuarit në muajt e dimrit, siç bën prej vitesh Turqia për pensionistët rusë dhe ata nga Gjermania.
Një rrogë mesatare në Shqipëri arrin në 250-300 euro në muaj, kështu që me një pension neto që fillon nga 500 euro e lart, mund të jetohet më mirë se në Itali, ku do të duhej dyfishi i të ardhurave për të njëjtin nivel jetese. Përveçse ndikojnë në hyrjen e një sasie të ardhurash në Shqipëri, importi i të moshuarve italianë ndikon në rritjen e punësimit të dadove, infermierëve dhe në ngritjen e biznesit të azileve. Ka disa shërbime që po i dedikohen pikërisht kësaj kategorie. Lura Baci nga UIM (Unione Italiani nel Mondo – Bashkimi i Italianëve në Botë) pohon se, vitet e fundit po vihet re shtimi i përmasave të fenomenit të transferimit të pensionistëve italianë jashtë vendit të tyre.
Teknologjia dhe novacioni, biznesi i së ardhmes
E gjithë Europa Lindore po orientohet drejt teknologjisë. Financial Times, në një speciale të pak kohëve më parë, thekson faktin që shtete si Polonia, Çekia, Sllovenia, Hungaria po kërkojnë të zëvendësojnë modelin e vjetër të rritjes ekonomike dhe po përpiqen të promovojnë rajonin si një qendër të risive teknologjike, jo thjesht si prodhues të industrive të dala nga moda. Rajoni ka pasur disa histori suksesi. Skype, aplikacioni për thirrjet me video dhe TransferWise, një start-up për transferimin online të parave, kanë pasur një pjesë të rëndësishme të punës zhvillimore në Estoni. Një sërë kompanish programimi antivirusesh, si ato çeke, Avast dhe AVG dhe Eset e Sllovakisë, janë të njohura në tregun global të sigurisë kibernetike. Prezi e Hungarisë, një aplikacion për prezantimet online, përdoret gjithashtu nga miliona njerëz në mbarë botën.
Ndryshe nga Europa Qendrore e Lindore, Shqipëria mbetet ende prapa. Start-up në Shqipëri janë ende të një niveli fillestar dhe novacionet nuk kanë arritur të çajnë në tregun global. Indeksi i fundit i Inovacionit Global për vitin 2017, i publikuar nga një bashkëpunim mes Cornell University, INSEAD, dhe World Intellectual Property Organization, e rendit Shqipërinë në vendin e 93-të, nga 127 shtete. Në këtë pozicion, Shqipëria është e fundit në gjithë Europën, duke treguar një nivel të ulët të zhvillimit të inovacionit në sektorin prodhues dhe teknologjisë së informacionit, që ka mbetur kryesisht vetëm në kuadrin e promovimit të start-up, ndërsa shumë vende të rajonit janë kthyer ndërkohë në një ofrues të rëndësishëm të shërbimeve të teknologjisë së informacionit (IT) për të tretët dhe po përparojnë në industrinë automotive. Shqipëria renditet më keq në indeksin e inovacionit të prodhimit, që jep informacion mbi prodhimin që është rezultat i aktiviteteve inovative në ekonomi. (që përfshin njohuritë dhe teknologjinë e prodhimit, si dhe prodhimin kreativ). Më mirë Shqipëria paraqitet në nënindeksin e burimeve, që mat elementet e ekonomisë kombëtare, që mundësojnë aktivitetet inovative (institucionet, burimet njerëzore dhe kërkimin, infrastrukturën, sofistikimin e tregjeve, sofistikimin e bizneseve), ku ndodhet në pozicionin e 70.
Ambasadori italian në Shqipëri Alberto Cutillo, rekomandon që Shqipëria duhet të rikuperojë vonesën dhe të kapë ritmin e dixhitalizimit të Europës. “Duke pasur parasysh popullsinë e re dhe shumë aktive, që ka ky vend, i zotëron të gjitha mundësitë që teknologjia e informacionit të bëhet një pikë e fortë e ekonomisë shqiptare”. Por, ai rekomandon vënien e theksit te arsimi profesional. (shiko intervistën në vijim)
Diana Leka, Drejtore e Sekretariatit të Këshillit Shqiptar të Investimeve, propozon që të lehtësohet aksesi i biznesit të ri si p.sh., startup, në pengesat që ato hasin kur hyjnë në treg.
“Si çdo model tjetër biznesi, startup-et përballen me barrë administrative si një biznes i zakonshëm. Politika të orientuara dhe të posaçme do të ndihmonin për t’i mbështetur ato, veçanërisht në aksesin në financim dhe hyrjen në tregje. Shqipëria dhe vendet lindore janë të përmendura në mediat kryesore ndërkombëtare për ‘shfaqjen e ambicieve teknologjike’. Konkurrenca rajonale është duke u bërë tepër agresive dhe politika proaktive dhe fleksibile duhet të jenë në krye të axhendës”, ka pohuar ajo.
Pavarësisht vonesës, a ardhmja edhe në Shqipëri do të flasë qartësisht për teknologjinë e informacionit, e orientuar dhe nga kërkesa e lartë për shërbime dixhitale. Këshilli i Investimeve, në një vëzhgim të pak kohëve më parë, ka evidentuar se Sektori i Shërbimeve të Nënkontraktuara (BPO) të tilla si Call Center, Teknologjia e Informacionit, kontabiliteti etj., është një mundësi biznesi që po lulëzon në vendet e Ballkanit dhe sidomos në Shqipëri. Megjithatë Këshilli thekson se politikat zhvillimore të pakoordinuara, mungesa e burimeve njerëzore të specializuara po frenojnë zhvillimet e sektorit drejt vlerës më të lartë.
Sipas Këshillit të Investimeve, Gjermania ka vërejtur interes për të investuar në sektorin e IT (Developing and programming), por mungesa e cilësisë së stafit dhe njohuria e kufizuar e gjuhës gjermane ka frenuar investimet. Gjithashtu mësohet se kanë pasur interes nga SHBA-ja dhe Singapori, por nuk është konkretizuar asnjë rast. Klientë të Apple, Google, Vodafone, BBC, Amazon, Linkedin, Facebook, etj., kanë qenë të interesuar gjithashtu.
Armand Frangu, drejtor ekzekutiv i kompanisë B360 dhe anëtar i Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit (AITA), që është zëri i sektorit të teknologjisë dhe komunikimit, ka pohuar se është koha që vendi të shkojë drejt ofrimit të shërbimeve profesionale.
Ndonëse ka një zhvillim më të vonuar të teknologjisë së informacionit në raport me rajonin, madje edhe me Kosovën, ka potenciale në këtë drejtim.
Vendi mund të eksportojë shërbime IT në tregun e Bashkimit Europian dhe atij amerikan, ku sipas rëndësisë, sektorët që mund të përparojnë janë:
-zhvillimi i programeve
-zhvillim web/design
-aplikacione mobile/zgjidhje mobile
-testim programesh
-modelim 3D dhe animacion
-programim dhe mbështetje e sistemit të IT
-platformat EPR dhe CRM
-Cloud ÇTV
-Data Centers dhe Cloud hosting.
Ka disa raste pozitive të kompanive shqiptare që po shkojnë drejt shërbimeve të integruara. Deloitte Albania, kompani audituese dhe konsulence, ka 100 të punësuar për platformat e biznesit ERP dhe CRM, që punojnë kryesisht për tregun italian. Gener 2, grup i diversifikuar në ndërtim, por dhe shërbime IT, ka disa vjet që po investon në Data Centers dhe Cloud Hosting.
Avantazh i Shqipërisë është niveli i lartë i kualifikimit të personelit nga njëra anë, por nga ana tjetër këtu kemi një dobësi, pasi numri i programuesve në Shqipëri llogaritet me qindra, që nuk do të mjaftojë as për të përmbushur kërkesën e një kompanie gjermane p.sh., “Zakonisht për të bërë kontrata me zhvillues të mëdhenj të programeve, kërkohet minimalisht një skuadër prej 50-100 personash, por më e preferueshme është mbi 100”.
Vetë firmat e IT po investojnë vazhdimisht në trajnime për të përgatitur zhvillues të mirë, por sërish kjo kërkon kohë dhe investimi është i konsiderueshëm.
Avantazhe të tjera që mund të nxisin kompanitë e huaja të punojnë me kontraktorë shqiptarë janë çmimet konkurruese për të optimizuar strukturën e kostos në zinxhirin e vlerës, specializimi në tregjet europiane për sa u përket aftësive teknike, aftësive të gjuhëve dhe metodologjisë, fokusi te klientët e vegjël dhe të mesëm dhe nevojat e tyre specifike.
Teknologjia e informacionit, sektorët potencialë
-zhvillimi i programeve
-zhvillim web/design
-aplikacione mobile/zgjidhje mobile
-testim programesh
-modelim 3D dhe animacion
-programim dhe mbështetje e sistemit të IT
-platformat EPR dhe CRM
-Cloud CCTV
-Data Centers dhe Cloud hosting
-kontabiliteti
PAS TAP, GAZI MUND TË SHFRYTËZOHET PËR PRODHIMIN E PLEHRAVE KIMIKE
Në vitin 2019, parashikohet të përfundojë ndërtimi i një prej projekteve më të mëdha të gazsjellësve rajonalë, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria, Trans Adriatic Pipeline (TAP).
Çfarë do të ndodhë pasi TAP të jetë ndërtuar?
Shkëlqim Bozdo, menaxher i TAP për Shqipërinë, pohon se në afatin e shkurtër, ka leverdi përdorimi i gazit për konsumatorët e mëdhenj.
TEC-i i Vlorës, i cili që kur është ndërtuar në vitin 2009, nuk është vënë ende në punë, për shkak të një defekti teknik dhe kostos së lartë të energjisë së prodhuar, do të kishte leverdi të vihej në punë nëse do të punonte me gaz. Bozdo pranon se situata me TEC-in e Vlorës është pak komplekse, megjithatë kushtet e veçanta të Shqipërisë favorizojnë përdorimin e gazit. Nëse do të punonte me regjim normal, shumë TEC-e me gaz do të rezultonin problematikë, por Shqipëria favorizohet nga fakti që ne vazhdojmë të importojmë energji dhe në këtë mënyrë, TEC-i i Vlorës mund të bëjë balancimin në periudhën kur çmimi i energjisë në bursa shkon në pikun e vet. Për më tepër që në Shqipëri, tregu i energjisë nuk është tërësisht i liberalizuar.
Dy industri të tjera të mëdha që mund të punojnë me gaz janë nxjerrja e naftës nga Bankers Petroleum, që është fusha më e madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë dhe rafineria e Ballshit. Që të zhvillohet infrastruktura e gazit, duhet që ai fillimisht të shfrytëzohet nga konsumatorët e mëdhenj, thotë Bozdo, sepse ata mund ta bëjnë projektin të leverdishëm nga ana ekonomike dhe të japin bazat për kthimin e investimit. Ligji lejon që investimi për infrastrukturën e brendshme të bëhet edhe nga vetë kompanitë private (p.sh., Bankers Petroleum), por më e logjikshme është të bëhet nga Kompania shtetërore e transmetimit të gazit, Albgaz, që më pas e merr kthimin e investimit përmes tarifave të transmetimit.
Nëse krijohet infrastruktura e gazit te kompanitë e mëdha, kjo do të tërhiqte zhvillimin e tregut në afatin e mesëm.
Bozdo thotë se me leverdi do të ishte ndërtimi i një fabrike për prodhimin e plehrave kimike, e cila përdor gaz në sasi të lartë. Të gjithë Ballkanit i mungon një fabrikë e tillë.
Pas zhvillimit të tregut tek konsumatorët e mëdhenj, pritet të krijohen hapësira për bizneset e mesme dhe përdorimin e gazit në sektorin rezidencial.
Projekti i TAP është i lidhur ngushtësisht edhe me atë të IAP Gazsjellësit Jonian Adriatik (që lidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, dhe Shqipërinë), me Master Planin e Gazit për Malin e Zi, me Studimin për Unazën e Gazit të financuar nga Bashkimi Europian, si dhe me përgatitjen e projekt-idesë të Gazsjellësit Jonian Adriatik në Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe Studimi i Para-fizibilitetit për Gazsjellësin Shqipëri-Kosovë.
Masterplani
Master Plani i Gazit për Shqipërinë (MPG) dhe Plani i identifikimit të Projekteve (PIP) kanë identifikuar disa projekte të investimeve prioritare.
Ato përfshijnë:
i) tubacionin nga TAP, afër Fierit, deri në Termocentralin e Vlorës. Dega TAP CP1 – Fier – Vlorë mbulon një zonë me kërkesa prej rreth 250 milionë m³/vit. Nga kjo sasi, rreth 190 milionë m³/vit do të jenë nevojat e TEC-it ekzistues të Vlorës (100 MW) dhe atij të mundshëm (200 MW). Zëvendësimi i naftës me gaz natyror në TEC-in ekzistues do të shmangë ndotjen. Linja e transmetimit PIP1 do të jetë rreth 40 km e gjatë, do të kushtojë rreth 15 milionë euro dhe është parashikuar të ndërtohet brenda tre vjetësh. Rrjeti i shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës është parashikuar të jetë rreth 230 km i gjatë dhe do të kushtojë rreth 32 milionë euro. Kjo degë transmetimi do t’i nënshtrohet studimit të fizibilitetit dhe VNM-së së plotë, me mbështetjen e projektit të asistencës teknike të ofruar nga SECO.
ii) tubacionin nga TAP në Fier dhe Ballsh. Dega TAP CP1-Fier-Ballsh mbyll furnizimin me gaz të trekëndëshit industrial Fier-Vlorë-Ballsh, me një kërkesë të mundshme prej rreth 600 milionë m³/vit. Linja e transmetimit PIP2 do të jetë rreth 39 km e gjatë, do të kushtojë rreth 11 milionë euro dhe është parashikuar të ndërtohet brenda tre vjetësh. Kjo degë do të furnizojë disa konsumatorë të mëdhenj, si rafineritë e naftës në Fier e në Ballsh dhe industrinë e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinëz, si dhe industri të tjera, për një total prej rreth 330 milion m³/vit. Rrjeti i shpërndarjes në zonat urbane të kësaj dege është vlerësuar rreth 69 milionë euro.
iii) tubacioni nga Tirana në Durrës. Ky rrjet do të furnizojë me gaz sektorin industrial, të shërbimeve dhe rezidencial dhe sipas parashikimeve të Masterplanit, në vitin 2040, kërkesa e tyre do të jetë rreth 740 milionë m³/vit. Kostoja e këtij rrjeti transmetimi do të jetë rreth 11 milionë euro, për një gjatësi prej rreth 35 km.
Këto projekte janë zhvilluar në nivelin e Studimit të Para-Fizibilitetit dhe Qëndrimit ndaj Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe mund të zbatohen në periudhën 2018-2020.
Masterplani i Gazit gjithashtu ka shqyrtuar kërkesën dhe ofertën për gazifikimin e mundshëm të të gjithë qyteteve të mëdha dhe konsumatorëve të mëdhenj industrialë, duke përfshirë impiantet e prodhimit të energjisë elektrike nga djegia e gazit natyror dhe perspektivën e magazinimit të gazit pranë Dumresë në periudhën 2020 deri 2040.
Një nga gjetjet kryesore dhe rekomandimet e këtij studimi është se infrastruktura e gazit duhet të zhvillohet duke filluar nga TAP dhe trekëndëshi Fier-Vlorë-Ballsh, ku janë vendosur disa prej përdoruesve më të mëdhenj industrialë.
HEC-ET DHE HOTELET, PARAJSA E RE E NDËRTUESVE
Bizneset e ndërtimit po shohin si hapësira të reja me leverdi për investime hotelet në bregdet dhe prodhimin e energjisë nga HEC-et e vogla. Investimi në këto dy linja siguron kthim të sigurt të investimeve. Pothuajse të gjitha kompanitë e ndërtimit, sidomos ato që u profilizuan në ndërtimin e rrugëve, po zgjerojnë investimet në ndërtimin e HEC-eve të vogla. Energjia e ujit ka kosto vetëm vlerën e investimit të HEC-it dhe më pas, prodhimi i produktit ka shumë pak kosto dhe fitime të larta, për shkak të çmimit gjithnjë e në rritje.
Edhe hotelet në bregdet po shndërrohen në trendin e fundit, për shkak se Shqipëria po njeh rritje me ritme dyshifrore të turistëve për qëllime turizmi. Numri i vizitorëve për qëllime pushimi shënoi një rritje vjetore me 176% në krahasim me 2016-n, aq sa kapacitetet aktuale të vendit nuk janë gati për të përballuar fluksin. Duke parë këtë tendencë, Hysenbelliu Group, me aktivitet në sektorin prodhues dhe atë të ndërtimit, së fundmi po diversifikohet edhe në sektorin e turizmit, me shndërrimin e ish-Mak Albania në një resort luksoz dedikuar turizmit elitar.
Në një intervistë për ‘Monitor’, të dhënë pak kohë më parë, Irfan Hysenbelliu, ka shpjeguar se pjesë e planeve janë edhe disa investime të tjera në këtë sektor. “Studimet dhe parashikimet tona flasin për një rritje të qëndrueshme të kërkesës për të zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik. Nuk bëhet fjalë vetëm për shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë, të cilët janë atdhetarë e të dashuruar pas bregut shqiptar. Prej disa vitesh, Shqipëria është kthyer në potencial turistik edhe për qytetarë të Europës Perëndimore, apo asaj Qendrore. Janë me mijëra turistë nga Polonia, Çekia, Sllovakia, por edhe Rusia e pjesa lindore që po zgjedhin Shqipërinë. Perspektiva është e qartë”, shprehet Hysenbelliu.
Luan Bregasi, kryetar i Biznes Albania, me përvojë në fushën e prodhimit dhe atë të ndërtimit, ka nisur së fundmi ofrimin e shërbimeve në fushën e turizmit. Pas ndërtimit të hotel Palace & Spa Durrës, Bregasi synon të zgjerohet më tej në këtë sektor në qytete të tjera turistike. Ai pohoi se norma e rikthimit të investimit në fushën e turizmit llogaritet pas 7 vitesh aktivitet. Me diferencimin e TVSH-së nga 20 në 6%, investimet në sektor do të bëhen edhe më atraktive – pohon Bregasi.
Mark Gjini, me një biznes shumëvjeçar në ndërtimin dhe tregtimin e materialeve që kanë të bëjnë me sektorin, duket se e ka nuhatur shpejt rrënimin në të cilin u përpi ndërtimi pas krizës së vitit 2008. Me kompaninë e tij, Sibora, ai përgjatë viteve, me ngadalë e zhvendosi aktivitetin në turizëm, duke ndërtuar resortin turistik Rafaelo, që ofron ciklin e mbyllur në mënyrë të organizuar pak a shumë të njëjtë në atë çfarë resortet të këtij niveli ofrojnë gjithkund në rajon. Duke zbuluar ecurinë e biznesit të ri për “Monitor”, Gjini thotë se, tani turizmi është biznesi i së ardhmes që po sheh një rritje dyshifrore nga 15-20% në vit.
Energjia vijon të jetë po aq tërheqëse. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) në një analizë të posaçme për sektorin e hidroenergjetikës, ka bërë me dije se në vitin 2016 janë trajtuar 82 kërkesa për ndërtimin e objekteve të reja të prodhimit të energjisë nëpërmjet HEC-eve 2 MW, por gjithashtu impiantet e vogla të erës dhe diellit po bëhen atraktive. Bizneset e HEC-eve private, vitin e kaluar, dyfishuan xhiron vjetore duke arritur një qarkullim prej 15,2 miliardë lekësh ose 111 milionë euro, duke u zgjeruar me 94% në krahasim me vitin 2015, sipas përllogaritjeve të bëra nga “Monitor”, bazuar në të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për prodhimin nga këto HEC-e. Tregut iu shtuan edhe 38 operatorë të rinj vetëm në sektorin e prodhimit.
Klima e rëndë e biznesit që dominon sektorin nga ndryshimi i kontratave të njëanshme nga qeveria, e cila ka ulur çmimin fiks të shitjes së energjisë nga 9 lekë për kilovatorë në 7.4 lekë në vitin 2015, nuk e ka penguar sektorin të zgjerohet.
Vega Group, një nga dhjetë kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend, pas një marrëveshjeje me Ministrinë e Ekonomisë, ka zhvilluar prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet koncesionit për ndërtimin e Cerrunje, Plesha, Bejni, Bejni 2 dhe Klos. Kompania tjetër e ndërtimit të rrugëve Gjoka Konstruksion Energji prej tre vitesh ka aktivizuar investimet edhe në prodhimin e energjisë elektrike nga uji nëpërmjet HEC-eve në Strelcë (Korçë) dhe Shalë (Shkodër). Presidenti i kompanisë Gjoka, Rrok Gjoka, tha se investimet në HEC-e shihen si perspektivë e mirë investimi në të ardhmen. Prodhimi i energjisë ka tërhequr edhe shumë biznese nga sektori i tregtisë.
Interesi po zhvendoset edhe në impiantet e prodhimit të energjisë nga era dhe nga dielli.
Pak kohë më parë, kompanitë ALBANIAN GENERAL ELECTRICITY SH.A. (AGE) dhe A.E. Distribution sh.p.k., aplikoi për të ndërtuar në një park fotovoltaik në zonën e Topojës në Bashkinë e Fierit me vlerë investimi 2 milionë euro. Në gusht të vitit 2016, shoqëria “Novoselë Photovoltaic Power Plant” i ka kërkuar një autorizim paraprak Ministrisë së Energjisë për të ndërtuar një park fotovoltaik që synon prodhimin e energjisë elektrike nga rrezet diellore. Sipas projektit që kompania ka dorëzuar, synohet të prodhohen 50 MW energji për të cilat është planifikuar një vlerë investimi prej 72 milionë eurosh.
AGROTURIZMI, MODELI FITIMPRURËS I BUJQËSISË
Ekspertët që njohin sektorin e bujqësisë e kanë të vështirë të orientojnë investimet e reja në sektor. Fitimi në këtë sektor lidhet me shumë faktorë, – thotë Ismail Beka, koordinatori i projekteve në zyrën e GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar) në Shqipëri. Personai që ka para dhe do të investojë në bujqësi duhet të jetë shumë i kujdesshëm, pasi ky sektor bart rreziqe dhe të papritura të mëdha, të lidhura me motin, ndryshimet klimaterike, kujdesin për bimët apo kafshët e gjalla, zinxhirin e furnizimit me lëndë të para, tregjet e shitjes etj. Njohuritë mbi bujqësinë dhe pronësia mbi tokën kanë rëndësi. Por mungesa e zinxhirit që lidh prodhimin me tregun, shpesh i bën të brishta projektet e reja në sektor, thotë Beka.
Mrizi i Zanave është model suksesi në agroturizëm, pasi investitorët gërshetuan përvojën dhe vendin e investimit. Xhiroja e kompanisë, sipas të dhënave të bilancit, u rrit me 57% më 2015 në krahasim me një vit më parë.
Por kjo përvojë nuk vlen për të gjithë ata që kanë para cash dhe duan të investojnë në turizëm, – thotë Beka.
Fermat bio që kultivojnë prodhime të ndryshme bujqësore tashmë kanë zhvilluar restorante dhe krah tyre, edhe linjat e shitjes së produkteve të tyre, duke shënuar një trend të ri të zhvillimit të bujqësisë ku harmonizohen turizmi, tradita dhe prodhimi bio. Një shembull tipik është Uka Farm në zonën e Laknasit në Tiranë. Ish-ministri i Bujqësisë në vitet ’96, Rexhep Uka, prej vitesh zotëron një fermë në zonën e Kamzës, konkretisht në Laknas. Përveç perimeve dhe frutave bio, ferma ka markën e saj të verës Chimaera dhe një restorant ku gatuan prodhimet veta. Me këtë shërbim, ferma është bërë trendi i fundjavave për banorët e kryeqytetit që pas një dreke të këndshme në fundjavë, kanë mundësi të psonisin edhe prodhimet bio të fermës. Si kjo fermë, sot po zhvillohen shumë të tilla.
Ferma e tjera si Sotira Farm, Toskana etj., kanë kombinuar prodhimet bio me restorantet, duke krijuar modele të suksesshme biznesi.
Zusi: Frutikultura është fizibël
Sektori bujqësisë dhe frutikultura duket se së fundi po tërheqin paratë e lira në ekonomi. Alban Zusi themeluesi i AZ Consulting një biznesmen me përvojë në sektorin e agropërpunimit thotë se bujqësia ofron hapësira me fizibilitet të lakmueshëm. Ai tha se investimet në frutikulturë veçanërisht janë të vlefshme, sidomos vreshtat. Kompania italiane Flui TEC ka oferta interesante për ata që duan të investojnë.
Duhet të kesh ose tokën ose paratë dhe kompania ofron të gjitha shërbimet në sektorin e vreshtarisë duke siguruar edhe tregun për shitjen e tij. Kompania është specializuar për kultivimin dhe menaxhimin e produktit dhe ka të siguruar tregun në eksport. Në dy vitet e fundit Flui Tec ka aktivizuar në vreshtari rreth 40 hektarë në zonën e Fierit, ku investitorë të ndryshëm kanë marrë pjesë me para ose me tokë. Zusi thotë se investimi në këtë linjë ka ecur mirë. Ai shton më tej se, vreshtaria dhe shegët janë interesante në Bujqësi por edhe linja në sektorin e blegtorisë.