Bizneset, ja si mund të kërkojnë energji në treg
Këtë javë që lamë pas, kanë hyrë në fuqi modeli transitor i tregut të energjisë, i cili përcakton rolet që do të kenë pjesëmarrësit në këtë treg.
Sipas modelit që tashmë është në fuqi, personi që dëshiron të marrë pjesë në tregun shqiptar të energjisë elektrike, mund t’ia kërkojë këtë gjë me shkrim OST-së.
Procedurat e regjistrimit përgatiten nga OST sh.a. dhe miratohen nga ERE. Pjesëmarrësit e tregut do t’i dërgojnë Operatorit të Tregut të OST-së me e-mail ose fax, pasuar nga një shkresë zyrtare, të përcaktuar nga operatori i tregut, një formular regjistrimi për pjesëmarrjen në treg. Formulari i regjistrimit duhet plotësuar sipas një modeli të botuar (në Buletinin e OST-së, në faqen e saj në internet) nga OST-ja dhe duhet të përmbajë: emrin e aplikuesit, adresën, kontaktin, pozicionin në tregun e energjisë elektrike, regjistrimin në organet tatimore, numrin dhe serinë e licencës të lëshuar nga ERE, të dhëna bankare, deklarimin e sasive të energjisë elektrike në MWh, listën e personave, të autorizuar për dërgimin dhe konfirmimin e dokumenteve, listën e personave të autorizuar për nënshkrimin e kontratave dhe faturave.
Aplikuesi për pjesëmarrje në tregun shqiptar të energjisë elektrike do t’i bashkëngjisë formularit të regjistrimit informacionin teknik, të miratuar nga OST-ja për palët dhe për vetëprodhuesit të pajisur me matës të energjisë elektrike komerciale (bazuar në Kodin e Matjes), që janë subjekt transaksionesh me çmime të negociuara lirisht. Një kopje të licencës për gjenerimin e energjisë elektrike ose një kopje të licencës për tregtimin ose furnizimin me energjinë elektrike, nëse është e zbatueshme. Dokumentin e lëshuar nga OST-ja dhe OSSH-ja, që jep akses në rrjetin e transmetimit ose shpërndarjes në ato raste që është e nevojshme. Një kopje të bilancit të fundit vjetor të certifikuar nga organet e tatim-taksave dhe përshkrimin e mjeteve të komunikimit.
Çdo palë e licencuar, që dëshiron të bëhet pjesëmarrëse në tregun shqiptar të energjisë elektrike, duhet të depozitojë në OST garancinë financiare për të gjitha shërbimet që sigurohen nga OST-ja, përfshirë tarifën për alokimin e kapaciteteve.
OST-ja do të krijojë dhe mbajë Regjistrin Tregtar. Pjesëmarrësit e tregut shqiptar të energjisë elektrike të pranuar nga OST-ja do të regjistrohen në Regjistrin Tregtar.
Informacioni i Regjistrit Tregtar duhet bërë i disponueshëm për Operatorin e Tregut të OST-së.
Regjistrimi në tregun e energjisë bëhet brenda 10 ditëve punë nga marrja e dokumenteve të regjistrimit, OST-ja do të verifikojë të dhënat e aplikimit dhe dokumentet. OST-ja do të dërgojë njoftim për pranimin e aplikimit për regjistrim në tregun e energjisë elektrike ose jo.
Pas zbatimit të kërkesave të regjistrimit, OST-ja do të regjistrojë pjesëmarrësin në regjistrin e palëve dhe do të nënshkruajë marrëveshjen e pjesëmarrjes në treg.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për pjesëmarrjen në treg nga përfaqësuesi i autorizuar i palës kërkuese, regjistrimi si pjesëmarrës i ri i tregut bëhet efektiv në datën e zbatimit të saj. OST-ja do të publikojë në faqen e vet të internetit një listë të palëve të regjistruara me informacion mbi emrin, numrin e identifikimit, datën e regjistrimit dhe statusin (tregtues, furnizues që furnizojnë me energji elektrike vetëm vendet e konsumit të tyre, datën e tërheqjes, datën e pezullimit, etj.)
Çdo palë është e detyruar t’i dërgojë informacion operatorit mbi ndryshimin e informacionit të dhënë në regjistrim, brenda 6 ditëve punë nga ndodhja e ndryshimit. OST-ja do t’i regjistrojë zyrtarisht të gjithë pjesëmarrësit e tregut në tregun e energjisë elektrike.
Për t’u bërë pjesëmarrës i tregut shqiptar të energjisë elektrike, një aplikues, duhet të jetë regjistruar nga OST-ja dhe duhet të ketë licencë nga ERE.
ERE vendos tarifat e reja të përdorimit të rrjetit
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tarifat e reja të aksesit të bizneseve në rrjetin e shpërndarjes në mbledhjen e fundit të muajit dhjetor. Përveç çmimit të energjisë elektrike, bizneset që furnizohen në 35 kilovolt do t’i paguajnë edhe 1.5 lekë për kilovat tarifë OSHEE-së për përdorimin e rrjetit dhe bizneset 20 kilovolt do të paguajnë mbi çmimin 11 lekë të energjisë për kilovat edhe 3.9 lekë të tjera si tarifë përdorimi për rrjetin e OSHEE-së.
Me këtë vendim, të 6200 bizneset që furnizohen nga rrjeti 20 kilovolt do të paguajnë për shkak të tarifës së re deri në 35% më shtrenjtë energjinë dhe 82 bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt do të paguajnë 15% më shumë.
Këto tarifa do të aktivizohen gjatë këtij viti dhe të parët që do të penalizohen nga rritja e çmimit të energjisë janë bizneset në rrjetin 35 kilovolot. Burimet nga OSHEE bëjnë me dije se në muajin shkurt është gati e gjithë infrastruktura teknike e sistemit të matjes për të nxjerrë në treg të lirë këto biznese. Kështu, muajin tjetër, bizneset e këtij grupi do të nisin të paguajnë një tarifë 11 lekë për kilovatorë, nga 9.5 lekë që paguajnë aktualisht, nga e cila 9,5 lekë është tarifë për çmimin e energjisë dhe 1.5 lekë tarifë për përdorimin e rrjetit të OSHEE-së.
Por ekspertët e OSHEE-së shpresojnë se bizneset do të mund të gjejnë furnizues me çmim më të lirë, e cila mund të amortizojë tarifën e re të përdorimit të rrjetit. Por bizneset e kësaj kategorie, më herët gjatë muajit nëntor 2016, pohuan për ‘Monitor’ se kishin dështuar të gjenin një furnizues privat energjie me çmime të logjikshme.
Ndërsa tarifat më të larta pritet t’i paguajnë bizneset e rrjetit 20 kilovolt. Numërohen rreth 6200 subjekte të tilla, të cilat pritet të dalin në tregun e pavarur në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Këto biznese do të paguajnë 14.9 lekë për kilovat, nga e cila 11 lekë është çmimi i energjisë për kilovatorë dhe 3.9 lekë për kilovat është tarifa e re që ERE miratoi pak ditë më parë për përdorimin e rrjetit të energjisë. Aktualisht ato paguajnë 11 lekë për kilovat. Me ligjin e ri të energjisë, 6200 biznese që furnizohen në linjën 20 kv duhet të dilnin nga tregu në janar të këtij viti dhe 82 kompani të tjera që marrin energji në tensionin 35 kv duhet të kishin dalë që në korrik 2016.
Por, për shkak se infrastruktura teknike e sistemit të matjes nuk ishte gati, dalja në treg të lirë e konsumatorëve nga 35 kv është shtyrë për muajin që vjen dhe konsumatorët në 20 kv për gjashtëmujorin e dytë të vitit. Tarifat e reja të energjisë në vitin 2017 për 6300 biznese nga OSHEE, nëse nuk arrijnë ta blejnë në treg të lirë.