Bizneset në Shqipëri, të gjithë në shitje
Rënia e normave të fitimit, maturimi në disa sektorë, mungesa e financimeve bankare nga njëra anë, bashkë me rritjen e taksave, efektet e formalizimit dhe rritjen e tarifave dytësore nga ana tjetër, e kanë vështirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe për rrjedhojë, ka rritur numrin e kompanive në shitje si asnjëherë më parë në këto dy dekadat e fundit. Planet e shitjes kanë përshirë sektorët e mëdhenj të ekonomisë si bankat, telekomunikacionet, kompanitë e sigurimit, koncesionarët e naftës dhe disa linja të industrisë së përpunimit.
Sektori me më shumë lëvizje për momentin janë bankat. Në shtator, pritet që të përfundojë bashkimi i Intesa Sanpaolo Bank Albania (ISBA), me Banën Veneto, pas një procesi përthithjeje të ISBA në linjë me të njëjtën procedurë të bankave mëmë në Itali. Integrimi, sipas planit, do të zbatohet nëpërmjet bashkimit të Veneto Banka Sh.a me Intesa Sanpaolo Banka Albania, bazuar në qasjen e kontabilitetit të “bashkimit të interesave”, duke qenë se të dyja kompanitë janë nën kontrollin e përbashkët të të njëjtit aksioner të vetëm.
Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI) ka blerë Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG Albania), një proces që është finalizuar tashmë. Sipas rezolutës së përthithjes, ABI Bank do të jetë aksioneri i vetëm i bankës NBG Albania dhe të dyja bankat do të bashkohen me njëra-tjetrën, përmes përthithjes së Bankës NBG Albania nga ABI Bank. Pas miratimit paraprak të përthithjes nga Banka e Shqipërisë, të dyja entitetet do të shndërrohen në një të vetëm, të emërtuar Banka Amerikane e Shqipërisë, ndërsa NBG do të pushojë së ekzistuari.
Banka e Pireut në Greqi ka njoftuar zyrtarisht në fillim të gushtit se ka hyrë në një marrëveshje me Grupin Balfin dhe Komercijalna Banka, për shitjen e aksioneve të degës së saj në Shqipëri, Tirana Bank. Shuma totale në konsideratë arrin në 57.3 milionë euro për 98.83% të aksioneve të Bankës Piraeus në Tirana Bank.
Société Générale ka njoftuar se ka hyrë në marrëveshje për të shitur paketën e saj kontrolluese të aksioneve në Société Générale Albania (SGAL) tek OTP Bank. Mbyllja e këtij transaksioni pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm, subjekt i miratimeve nga autoritetet bankare dhe të konkurrencës, dhe miratimit të palëve të tjera të lidhura, tha banka në një njoftim zyrtar.
Nuk janë vetëm bankat që duan të dalin nga tregu shqiptar.
Spitali Hygeia është shitur në gusht tek Spitali Amerikan. Që prej fundit të vitit të kaluar, të dy spitalet ishin në negociata, pasi grupi grek Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia kishte vendosur të shiste aktivitetin në Shqipëri, për shkak të situatës së vështirë financiare. Që prej fillimit të aktivitetit në 2010-s, pas një investimi fillestar prej 60 milionë euro, Hygeia në Tiranë ka rezultuar me humbje të mëdha dhe nuk ka raportuar asnjëherë fitime. Humbjet e akumuluara në kapital për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm negativ, arrijnë në 2.7 miliardë lekë deri në fund të 2017-s, sipas bilancit zyrtar.
Lëvizje të rëndësishme u shënuan dhe vitin e kaluar.
Në dhjetor u largua Sheraton Albania, hoteli me pesë yje. Sipas bilancit të konsoliduar të Mak Albania, – që përfshin Mak Albania Construction, Chateu Linza, Mak Travel dhe Sheraton Tirana Hotels & Towers, ku aktivitetin kryesor të grupit e ka hoteli, – humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Kompania, e përqendruar në hoteleri e turizëm, rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.
Në fund të vitit të kaluar, frekuencat e kompanisë së shërbimeve celulare Plus Communication iu shitën dy operatorëve më të mëdhenj të fushës, Vodafone dhe Telecom Albania. Lëvizjet në sektorin e telekomunikacioneve nuk kanë mbaruar, pasi një tjetër operator mësohet se ka nisur aktualisht procesin e Due Diligencë dhe po negocion me blerës nga rajoni.
Dy vjet më parë, një nga kompanitë më të mëdha në vend, Bankers Petroleum, u shit te një grup kinez “Geo Gade”. Disa linja të industrisë përpunuese, si fabrikat e miellit dhe ato të birrës janë në shitje prej vështirësive që po sjell konkurrenca nga importet. Ndërsa më shumë se 106 mijë biznese të shitjes me pakicë kanë kaluar në regjistrin pasiv, ku në rastin më të mirë, presin të shiten, por shumica e tyre kanë falimentuar për shkak të rënies së konsumit dhe efekteve që dha formalizimi. Mbiinvestimet në disa sektorë dhe shfrytëzimi i ulët i tyre pas krizës së vitit 2008 kanë nxitur shitjet e bizneseve.
Në Shqipëri, në 6 vjet u realizuan transaksione me vlerë 860 milionë euro
Raporti “Blerjet dhe shkrirjet në Europën në Zhvillim 2017/2018” i publikuar nga kompanitë konsultuese CMS dhe EMIS ka dhënë një tendencë në 15 vende të Europës Qendrore dhe Juglindore, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina – bazuar në të dhënat e EMIS për shkrirjet dhe blerjet në periudhën 2012-2017.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të raportit për 6 vitet e fundit, janë realizuar gjithsej transaksione me vlerë 860 milionë euro, ku niveli më i lartë i tyre është raportuar në 2016-n, me 562 milionë euro dhe 9 transaksione gjithsej. Atë vit ndodhën dy shitje të mëdha, Bankers Petroleum dhe Aeroporti i Rinasit, përkatësisht me 395 milionë euro dhe 81 milionë euro dhe disa transaksione të tjera në fushën e naftës.
Më pas, në vlerë renditen 13 transaksionet e realizuara në 2013-n, me 164 milionë euro në total.
Sipas të dhënave të raportit, niveli i transaksioneve në vlerë në vitin 2017 ishte më i ulëti në 6 vitet e fundit, me vetëm 18.7 milionë euro (gjithsej 5 transaksione). Raporti i jep të detajuara transaksionet e 2017-s: Në vitin 2017, u morën nga Albpetrol fushat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj dhe Gorisht Cokul, pasi ishin debitorë. 14.9% të Bankës Credins u blenë nga Amyta Capital me seli në Mbretërinë e Bashkuar. Banka Veneto i Kaloi Intesa Sanpaolo dhe INSIG jetë u shit tek investitorët privatë Samir Mane dhe Shefqet Kastrati.