Biznesi – Përfitimet në 61 Bashkitë e reja
Zgjedhjet e reja vendore shoqërojnë reformëm me ndarjen e re administrative, me 61 njësi bashkiake, një ndryshim i konsiderueshëm nga struktura e mëparshme me 308 komuna dhe 65 bashki në nivelin e parë dhe 12 qarqe në nivelit e dytë.
Ndarja e re teritoriale ku kufijtë e rinj zgjerojnë territoret e qeverisjes vendore më shumë se, 6 herë, krijon për herë të parë ndryshime thelbësore në qeverisjen lokale me kompetenca të reja për shërbimet, financat dhe ekonominë lokale.
Me ndarjen e re administrative parashikohet që bizneset të kenë përfitime të mëdha, pasi kanë mundësi të zgjerojnë sipërmarrjet e tyre në funksion të rajonit të madh, por dhe nga partneriteti me pushtetin lokal për projekte dhe investime. Nga ana tjetër, bizneseve u hapen fusha të reja investimi me zhvillimin e resurseve turistike të rajonit, të cilat shihen si mundësi e konsiderushme për rritjen e të ardhurave.
Zhvillimi ekonomik në cdo njësi të re përfshin decentralizimin e administrimit të pyjeve dhe kullotave, transferimin 100% në pronësi të qeverisjes vendore të fondit pyjor, drejtorive rajonale të shërbimit pyjor me financimin përkatës, kompetencë në administrimin e infrastrukturës, rrjetit dytësor dhe tretësor të ujitjes dhe kullimit bashkë me funksionin e administrimit të rrugëve rurale.
Struktura e re e qeverisjes vendore me ndarjen e re administrativo-territoriale ka 12 qarqe dhe 61 bashki, që organizohen me njësi administrative, të cilat zëvendësojnë ish-komunat. Kryebashkiakët e rinj do të kenë kompetenca të reja për shërbimet, financat dhe ekonominë, në sektorin e shërbimeve me fondin e ndihmës ekonomike në buxhetin lokal, kompetenca në emërimin e personelit në arsimin parashkollor, reformim tërësor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, menaxhimit të mbetjeve urbane dhe shërbimit të zjarrfikëseve.
Në sektorin e financave, për herë të parë përfshihet një ligj për financat vendore, do të reformohet sistemi i taksimit të pasurisë, do të krijohet kadastra fiskale, do të aplikohet një sistem i taksave të ndara si dhe një formulë e re për ndarjen e grantit të pakushtëzuar.
Njësitë administrative, që zëvendësojnë komunat dhe njësitë bashkiake, funksionojnë si njësi administrative përbërëse të 61 bashkive të reja dhe do të administrojnë parqet, lulishtet, zonat e gjelbëruara, tregjet publike, këndet e lojërave, terrenet sportive, bibliotekat, shtëpitë dhe klubet e rinisë.
Sipas planifikimeve aktuale, ndarja e re territoriale pritet të kursejë 60 milionë usd/vit si shpenzime administrative dhe që do t’i kthehen pushtetit vendor në formën e investimeve.
Mesatarisht bashkitë dhe komunat shpenzojnë 27% të buxhetit të tyre për investime kapitale dhe 37% për pagat e punonjësve. Me krijimin e njësive më të mëdha të qeverisjes vendore krijohen kushtet e nevojshme për zhvillim social-ekonomik dhe përthithjen e investimeve të mëdha nga institucionet publike, Bashkimi Europian, donatorët ndërkombëtarë dhe sektori privat.