Bllokimi i lejeve, Basha: Koha e vajmedetit ka mbaruar
Rama: Do ndalet abuzimi i frikshëm. Berisha: Vendimi, antikushtetues
NGA BLEDAR HOTI
Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit për bllokimin e dhënies së lejeve të ndërtimeve nga organet e qeverisjes vendore ka shkaktuar përplasjet e para mes mazhorancës dhe opozitës. Një postim i Kryeministrit Edi Rama për këtë vendim të marrë dy ditë më parë ka sjellë dhe reagimin e kryedemokratit Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Në postimin e tij, Rama paralajmëron për dhënie fund të abuzimeve me lejet e ndërtimeve nga bashkitë. “Do të ndalet medoemos edhe abuzimi i frikshëm me pushtetin e autoriteteve vendore që kanë dhënë leje në shkelje të ligjeve e planeve vendore”, shkruan Rama në
Facebook. Disa orë pas këtij qëndrimi, ka reaguar kryebashkiaku Basha, i cili ka theksuar se “koha e vajmedetit ka perënduar”. Ai thekson se “Bashkia e Tiranës çrrënjosi historinë e dhunës, frikës, gjobave, klientelizmit korruptiv dhe betonizimit progresiv të qytetit. Qeverisja jonë bazohet te liria, transparenca dhe respektimi i të drejtave të të gjithë kryeqytetasve. Ne qeverisim me koncepte të qarta, me plan rregullues, me raporte europiane të zhvillimit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së mjedisit rrethues. Ne ndërtojmë me vizion kryeqendrën europiane të shqiptarëve. Ne projektojmë bulevarde të reja, infrastrukturë metropolitane dhe investime që hapin portat e zhvillimit”. “Me durim ne do t’i flakim tej edhe mbetjet e fundit të së vjetrës që po perëndon.
Tirana që hodhi diktaturën, do të triumfojë edhe mbi bllokadën e nipave të komunizmit”, thekson Basha.
Berisha
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi si antikushtetues vendimin e marrë nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT). “Dy ditë më parë, piktori dështak deklaroi në konferencën e shtypit se ‘ndërtimi ka rënë dhe kjo është diçka e mirë, duhet të bjerë se po rriten sektorë të tjerë’!? Ai me këtë deklaratë faktoi injorancën e tij totale, faktoi se ai nuk mund të dijë se ndërtimi, pa përjashtim në çdo vend në zhvillim, është motori i zhvillimit, gjenerator kryesor i punësimit dhe se rënia e tij shënon rënien në kolaps të ekonomisë. Mbi këtë koncept idiotesk, Rama vendosi dje me Lamet dhe Shkrelët t’i japë goditjen e mëshirës sektorit më kryesor të ekonomisë së vendit. Ai, në shkelje flagrante të Kartës Europiane të Autonomisë Lokale, Kushtetutës së vendit, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ligjit për Urbanistikën vendosi që, në një akt dënimi kolektiv, të bllokojë planet dhe lejet e ndërtimit, pra ndërtimin në mbarë vendin për së paku 15 muaj dhe të lejojë atë vetëm me autorizimin direkt, objekt për objekt, nga zyra e tij, pra të lejojë vetëm duke prerë gjobën 20%”, reagon Berisha. Më tej ish-kryeministri ka një apel ndaj drejtuesve vendorë, i cili i bën thirrje që të mos ta zbatojnë vendimin e KKT-së. “Një vendim i tillë nuk ka ekzistuar kurrë, nuk ka ekzistuar as në ditët më të zeza të diktaturës kur dajë Koleka bënte xhelatin e ndërtuesve shqiptarë, kurse babi Kristaqi firmoste varje dhe ekzekutime të njerëzve të pafajshëm në sheshe publike. U bëj thirrje qeverive vendore të zbatojnë Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ligjin për Qeverisjen Vendore, ligjin e Urbanistikës dhe të hedhin në kosh të plehrave vendimin e atyre që sillen si banditë ndaj shtetit, ligjit dhe institucioneve të tij. Qytetarë, zgjidhja është një dhe vetëm një; t’i shporrim qelbësirat!”, përfundon Berisha komentin e tij.
Partia Socialiste, Shkjau: Vendimi i qeverisë do të ndalojë fenomenin Lul
Partia Socialiste e cilëson vendimin e qeverisë për ndalimin e procesit të dhënies së lejeve nga vendorët si të drejtë dhe që do të ndalojë ‘fenomonein Lul në bashki’. Deputetja e PS-së, Esmeralda Shkjau në deklaratën për mediat u shpreh se “ditët e fundit opinioni publik është njohur me një shkelje flagrante të një premtimi të Lulzim Bashës. Kur i duheshin votat, njësoj si Sali Berisha, Lulzimi u zotua të ndërtojë një park sportiv te diga e Liqenit. Por njësoj si Sali Berisha edhe Lulzim Basha, tjetër thotë e tjetër bën”. Sipas Shkjaut, në vend të parkut sportiv kryebashkiaku i Tiranës ka dhënë lejen për të ndërtuar një mur gjigant betoni, me pesë kulla njëzetkatëshe vrojtimi, që ndan qytetin e qytetarët nga parku i mbetur i liqenit. “Vendimi i djeshëm i qeverisë do ta ndalojë jo Lulzim Bashën, po fenomenin Lul në mbarë Shqipërinë, që të vazhdojë të shkatërrojë e shëmtojë qytetet, bregdetin, peizazhin anës rrugëve, tokën bujqësore, ullishtat, me leje abuzive që pjellin masivisht shëmtira prej betoni. Fenomeni Lul nuk fillon e as mbaron në kufijtë e autoritetit vendor”, u shpreh socialistja Shkjau.
Bashkia
“Rama betonizoi, 65 mijë metra katrorë lulishte”
Bashkia e Tiranës reagoi ndaj akuzave të selisë së PS-së për çështjen e ndërtimeve të kullave 17-katëshe pranë digës së Liqenit. “Edi Rama, njeriu që betonizoi mbi 65 mijë metra katrorë lulishte në zemër të Tiranës vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak hapi edhe sot gjirizin e shpifjeve dhe sulmeve kundër Bashkisë së Tiranës. Në vend të mashtrimeve që nuk i ha më askush, kryekarikatura e keqqeverisjes duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Tiranës se pse ka bllokuar projektin e bulevardit të ri, ku përfshihen 7 parqe me mbi 300 mijë metra katrorë gjelbërim për kryeqytetasit dhe gjithë vizitorët e tij? Pse ka bllokuar garancinë sovrane për ndërtimin e tramit, projekti i të cilit është gati? Pse bllokon projektin e stacionit multimodal të pasagjerëve i cili pakëson ndotjen e ajrit në Tiranë me 6 tonë gaz karbonik më pak në ditë? Të gjitha këto projekte u shërbejnë interesave të qytetarëve pa dallim, por Edi Rama i bllokon, sepse para tyre ai ka vënë si përherë interesat e tij dhe sekserëve të tij”, thuhet në reagimin zyrtar të bashkisë.