Bllokimi i ligjeve, Celibashi i kërkon llogari Kuvendit
Konferenca e Kryetarëve, PD nuk kundërshton draftin për KLD-në
HERION MESI
Veprimtaria legjislative dhe më konkretisht mungesa e një efikasiteti më të madh nga ana e komisioneve parlamentare për të miratuar nismat e qeverisë brenda këtij sesioni parlamentar që pritet të përfundojë punimet e tij më 31 korrik, ka qenë pjesë e diskutimeve edhe në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në datën 30 qershor. Ashtu siç do të ndodhte tri javë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ku kryetari i PS-së, Edi Rama, do t’u kërkonte deputetëve të tij të miratonin projektligjet, mazhoranca duket se po nxiton për të miratuar disa nga draftet më të rëndësishme të qeverisë. Në procesverbalin e zbardhur të mbledhjes së kryetarëve të grupeve parlamentare, ku u diskutua mbi kalendarin e punimeve parlamentare deri në mbyllje të sesionit, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, kërkoi që, përveç projektligjeve të propozuara nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, të përfshiheshin projektligji “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, projektligji “Për mbrojtjen nga shëndeti prej produkteve të duhanit”, si dhe projektligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, projektligje këto që u miratuan të enjten e kaluar në Kuvend. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, kërkoi që dy projektligjet për ndryshimin në ligjin e Gjykatës Administrative dhe Kodi i Procedurës Penale të futeshin në këtë kalendar, me argumentimin se projektligji i Gjykatës Administrative ka amendamente që priten nga Gjykata e Lartë, pasi “dhe ata vetë kanë një ngërç aty”, u shpreh Xhafaj.
Ligjet për drejtësinë
Por, nga ana tjetër, bie në sy se gjatë diskutimeve në këtë mbledhje, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, që ishin të pranishëm në këtë mbledhje, Edmond Spaho, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Majlinda Bregu, nuk i kundërshtuan dy projektligjet e socialistëve që kanë shkaktuar debate dhe akuzat e ashpra ditët e fundit lidhur me sistemin e drejtësisë në vend. Bëhet fjalë për projektligjin e shumëkontestuar për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku demokratët dhe vetë nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa, u përfshinë në një debat të ashpër në distancë me mazhorancën dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço. “Jemi mbledhur për të miratuar draft-programin e punimeve të Kuvendit për periudhën (4–31 korrik 2014) dhe draft-kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën (4–25 korrik 2014). Në mënyrë elektronike u është shpërndarë materiali, ndërkohë Kuvendit i janë depozituar dy ligjet e mëposhtme, të cilat janë nisma deputetësh. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’”, i ndryshuar, dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për shkollën e Magjistraturës’”, i ndryshuar. I propozoj Konferencës së Kryetarëve që të përfshihen edhe këto projektligje në programin e punës për periudhën (4–31 korrik 2014)”, u shpreh kryeparlamentari Meta, gjatë nisjes së mbledhjes, ku prezantoi edhe programin e punës së kësaj mbledhjeje. Por ky prezantim i kreut të Kuvendit, nuk ka shkaktuar asnjë reagim të deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët më së shumti duket se e shmangën një debat të tillë, ku përkundrazi, duket se vetë demokratët kontribuuan në mosvonimin e mbledhjes, duke e kaluar krejtësisht në heshtje, jo vetëm ndonjë debat për këto dy projektligje, por dhe të gjithë Konferencën e Kryetarëve, ku diskutimi është zhvilluar mes vetë përfaqësuesve të mazhorancës në këtë konferencë. Edhe pse në këtë mbledhje nuk u kundërshtuan nismat e tetë deputetëve të majtë për KLD-në dhe Shkollën e Magjistraturës, i gjithë debati politik për drejtësinë do të transferohej në selinë blu, pikërisht pas incidentit që ndodhi në sallën e Kuvendit, në të cilin deputeti Gent Strazimiri u sulmua fizikisht nga dy socialistët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu e ku PD-ja vendosi dhe të ndërpresë marrëdhëniet e saj me Parlamentin.