Kosova

Bllokohet procesi i demarkacionit me Malin e Zi

bllokohet-procesi-i-demarkacionit-me-malin-e-zi_2_2_hdMospajtimet brenda Komisionit kosovar Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, për rreth 6 kilometrave kontestues, kanë bërë që të bllokohet i tërë procesi punues, për përcaktimin e vijës së përhershme kufitare. Pas dy vite pune çështja e arbitrazhit po përmendet si zgjidhje nga të dyja palët.

Nëse dëgjohet kreu i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha, procesi për demarkacion nuk ka asnjë problem.

Madje kufiri do të mbetet tek vija kufitare e ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, e vitit 1974.

Megjithatë prej vitit të kaluar palët nuk janë takuar dhe nuk kanë bërë ndonjë hap tutje .

“Nuk kemi telashe dhe nuk ka asnjë gjasë që çështja të shkoj në arbitrazh. Kufiri i vitit 1974, shpallja e pavarësisë dhe Pakoja e Ahtisarit janë pjesë përbërëse e vendimmarrjes për vijën kufitare”, i ka thënë Meha, Radio Kosovës.

Por, që puna është bllokuar dhe ka mospajtime konfirmon anëtari tjetër i këtij Komisioni Ali Lajçi.

Ai ka thënë se procesi është stopuar për shkak të pjesës kontestuese në pjesën e Rugovës, te Kulla dhe në komunën e Plavës, nën Çakorr.

“Kemi mospajtime dhe puna është ndalur. Nuk është e vërtetë ajo që thotë Meha se nuk ka problem. Çështja është se po thirren në kufijtë e vitit1974. Nuk janë të 74-së, por të 2002-s, një plan i ri i Malit të Zi që i kanë përpunuar rishtas dhe ky përpunim ka bërë lëvizje kufijsh. Prandaj është e pa pranueshme dhe kemi kërkuar arbitrazh”, ka thënë Lajçi.

Sipas Lajçit, Kuvendi i Kosovës nuk mund ta miratoj atë për të cilën insiston kreu i Komisionit Meha.

E ndërkaq Meha thotë se ku ka toka të shqiptarëve nuk do të thotë se aty duhet të jetë kufiri.

Pas dy vite bisedimesh të komisioneve ndërshtetërore në hartat kadastrale, palët vazhdojnë të tërheqin pas vetes kilometra të tëra territoresh, duke mos arritur pajtime për demarkacion.

Përveç një pjese të anëtarëve të Komisionit kosovar, për shënimin e kufirit edhe pala malazeze e ka hapur mundësinë e arbitrazhit ndërkombëtar.

Dragan Kovaceviq nga Komisioni malazez për shënimin e demarkacionit me Kosovën nuk ka folur për ngecjen, por nuk ka mohuar që çështja mund të dërgohet në duart e një arbitrazhi ndërkombëtar.

“Ndoshta për këtë më mirë duhet flas pala kosovare”, i ka thënë Kovacevic, Radio Kosovës.

Në fakt aktualisht pjesa më e kontestuar mbetet në Rugovë që mbulon 2 428 hektarë.

Derisa pala kosovare i referohet kufijve të vitit 1974 dhe Pakos së Ahtisarit, kjo e fundit në nenin 3 të Aneksit të Sigurisë thotë se “territori i Kosovës do të përcaktohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, ashtu siç ka qenë në vitin 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001”.

Pala kosovare po thotë se në kohën e autonomisë në ish-Jugosllavi, kufiri me Malin e Zi ka qenë te vendi i quajtur “Varri i nuses”, 29 kilometra nga Peja. Tash kufiri sipas tyre është te “Ura e shkallës”, një vend që ka një largësi prej 24 kilometrash nga Peja.

Sidoqoftë kufiri prej 79 kilometrash i Kosovës me Malin e Zi mbetet ende kontestues, 6 vjet pasi shteti fqinj njohu pavarësinë e vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button